Kujt po i pengon UÇK?

05 maj 17:44

Shkruan: Ismail Tasholli

Më 29 janar 2001, në një gazetë të përditshme kishte dalë një titull: “Grafite me përmbajtje fyese kundër UÇK-së”. Në ato grafite, të shpërndara në muret e një qyteti të Kosovës, shkruante: “Poshtë UÇK-ja”.

Nuk ishin dy vjet të plota që kishte përfunduar lufta dhe dikush mund ta mendonte këtë.

Ka shumë shkaqe që kanë mundur ta krijonin një klimë të tillë, ku disa persona mund ta merrnin guximin e ofendimit të një pjese të qytetarëve që mosnënshtrimin e kishin karakter dhe kauzë, prej atyre psikologjike e deri te ato politike.

Pastaj, erdhi një kohë kur në bisedat e përditshme dikush thoshte se “ata që kanë luftuar vërtet, kanë vdekur”. Ishte fjala për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Etimologjia e këtij formulimi është në thënien e serbëve për ne: “Një shqiptar i mirë është vetëm një shqiptar i vdekur”.

Po ashtu, ka shumë shkaqe pse filluam që qëndrimet raciste për ne t’i “adaptojmë” në diskursin tonë të përditshëm, në cilësimin për veten. E çuditshme, për të mos thënë anomalike, se si erdhëm te një auto-racizëm.

Këto dy raste, e shumë të tjera, janë tregues shqetësues se si ne i kuptojmë, ndërtojmë dhe trajtojmë vlerat tona të përbashkëta, si shoqëri që pretendojmë “perëndimoren”.

Sot, udhëheqësit e UÇK-së i kemi në Hagë, si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të shtetit serb për të relativizuar çdo gjë dhe për të rishkruar përpjekjet dhe dhimbjen tonë për lirinë e vendit.

Shteti serb ka aktivizuar të gjithë mekanizmat dhe po përdor të gjitha mundësitë, kudo që i ka, për ta paraqitur luftëtarin e lirisë si dikush që nuk ka qenë.

Çka bëjmë ne? “Qesim petlla në ujë”, nga një pseudo-diskurs që idhnakësinë e luftën e ultë politike të brendshme ka busull.

Të gjitha institucionet e shtetit, jo vetëm që nuk ndihmojnë, jo vetëm që heshtin, por tentojnë të pengojnë dhe diskreditojnë udhëheqësit e luftës sonë çlirimtare që gjenden në Hagë.

Gabim historik i një klase të papjekur politike.

Jo vetëm që po shkatërrojnë dinjitetin e një shoqërie të një konteksti shumë të rëndësishëm historik, e që është universal (lufta për liri), por po e mbjellin edhe farën e mosmirënjohjes. Farën më të poshtër për t’ju kundërvënë njëri-tjetrit.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri historinë, ktheu dinjitetin përmes shembullit të mosnënshtrimit dhe hapi udhë të rëndësishme për ta gjetur krenarinë shoqëria jonë.

Deri më sot UÇK i ka penguar vetëm Serbisë, sepse ia ka prishur llogaritë e planit të saj fashist për Ballkanin.

Kush nga ne po i bëhet sot armik UÇK-së dhe cila është nevoja e këtyre politikanëve për një “performansë” kundër çlirimtarëve?

Sa i marrë duhet të jetë njeriu që të mos dijë ta ndajë një vlerë të shenjtë të popullit tonë me luftën e përditshme politike?

Politika jonë është bërë “skenë ku defilojnë vetëm sedra të lënduara”. Përtej, kësaj nuk kanë shikim dhe mbi këtë po ndërtojnë verbërinë e tyre politike.

Perëndia ua ndriçoftë rrugën. Amin!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga…