Kujtim për Qerim Kelmendin!

24 mars 2020 | 17:48

Shkruan: SKËNDER BERISHA

Diku para ditës së Pavarësisë së ShBA-së, më 4 korrik 1993, ishin ndërmarrë disa sulme ndaj postblloqeve të policisë në rrethin e Pejës, ishin hedhur bomba dhe ishin shkrep rafalë paralajmëruese. Pëlcitjen e bombës në Ozdrim, e kishin dëgjuar edhe bashkëfshatarët e mi, pa e ditur se ishte shpërthime në stacionin policor. Pas eksplodimit, janë shkrepur edhe shumë rafalë automatiku.

Rafalët e më pastajme, duhet të jenë bërë për efekt psikologjik, për policët që i shkrepnin pas sulmeve të tilla, nga frika, ta trimëronin veten, ta përhapnin panikun te qytetarët dhe për ta rikonfirmuar praninë e tyre.

Të nesërmen e këtyre eksplodimeve, policia me pincgauer e makina policie, rreth orës 13 ma kishin rrethuar shtëpinë e cila ishte pa rrethojë, duke më rrahur keq mua e vëllain Ademin. Rreth tre muaj nuk munda të flija në shpinë, nga goditjet e çizmeve të tyre.

Pas vizitës së veprimtarëve politik, Ukës e Bajramit, të cilët erdhën me gazetarët norvegjez të gazetës VG dhe intervistës për ta, për motivet e rrahjes, aktualitetin dhe çka po duam, ra qetësia në shtëpi.

Drejtimi i shtëpisë dhe kthimi në normalitet. Pas largimit të bashkëshortes time e vëllait nga shtëpia, normalitetin e theu Qerimi, Shpirtmadhi me Arianin, diku rreth 15 vjeç.

Tashmë kishte filluar të ngrysej. Pas përshëndetjeve të zakonta, hymë në shtëpi. Filluam të flisnim për rrethanat që na ndodhën. Shpirtmadhi filloi të tregonte se ngjarja e sotme kundër meje ishte e lidhur me hakmarrjen për aksionet e mbrëmshme paralajmëruese kundër disa stacioneve të policisë.

Qerimi ju printe ngjarjeve, ishte para kohës, ora jonë ecte krahas Shpirtmadhit. Ai i krijonte ngjarjet, bënte të ndodhnin ngjarjet që më vonë do të shiheshin me efekt historie. Biseduam gjerë e gjatë dhe kur ra nata, më tha, Skend, sonte kam vendosur të hakmerrem.

Hakmarrjen kundër stacionit të policisë në Kliçinë, nuk e miratova i thash jo Qerim, për mua jo. Lufta ka me u zhvillue në mes shqiptarëve e serbëve, jo luftë individuale, as hakmarrëse. Kjo çka ka ngja, më ka tronditë, por ta jap besën, më dora e serbit nuk më prek.

Qerimi si Qerim i papërsëritshëm, i ndjeshëm, i kuptueshëm dhe plot sinqeritet, tha, në rregull, se me këtë djalin kishim shkue me i ra Stacionit të Policisë, por, tash masi s’po shkojmë atje, po flejmë këtu.

Jo, i thash, Qerim, ata edhe një herë vinë zakonisht me sirena e batërdi për ta dëshmuar ekzistencën e vet dhe për ta përhapur panikun, mos fleni këtu.

Jo për besë, masi s’po shkojmë me sulmue stacionin për hakmarrje, kam vendosur këtu të flejmë, ma ktheu Qerimi.

Nuk e pëlqeva këtë vendim të Qerimit, por nuk e kundërshtova më shumë, e njihja vendosmërinë e tij por kisha frikë të mos na ndodhte sikur mua disa orë më parë.

Por, Qerimi kishte një plan tjetër.

Qerimi ishte i ngarkuar me shumë armë, dhe ishte i fryrë nga brezi e krahët. Po ashtu edhe Ariani kishte armë me vete.

Kam vendosur sonte ta bëj këtu vdekjen, tha Qerimi. Pse, e pyeta, pse vdekjen, nuk e mendoja as kisha afër mendsh çka i bluante në kokë Shpirtmadhi.

Gjasat që të vinë policia janë shumë të mëdha. Ata sonte vinë sërish me të trazue e me përhap panik në fshat e ti me ikë prej Kosove. Kur të vijnë në oborr, ata e dinë se s’ki asgja në shpi se të kanë bastisë, e kemi me i kallë. Është shkrue sonte me ba vdekjen këtu dhe me fillue një histori tjetër.

Tronditje të tillë, në jetë nuk kisha provuar. Tronditje nga përgjegjësia se asnjë ndihmë nuk mund t’i ofroja Shpirtmadhit. E shikoja djalin e ri, Arianin si një engjëll djalë, rrinte pa asnjë fjalë. Shihej se ishte i gatshëm të vdiste pas Shpirtmadhit. Sado i ri, nuk i trembej syri të hynte në zjarr, në shtëpi të huaj, për një qëllim.

Nuk mund ta imagjinoja, as ta parafytyroja, sa i madh ishte Qerim Shpirtmadhi, si në legjenda. Nuk mund t’i ofroja asnjë ndihmë në armatim, sepse taliankën policia na kishin marrë në vitin 1983 sa isha në burg dhe nuk kishim asnjë armë.

Në shtëpinë time, në oborrin pa rrethojë, vinte i armatosur, Qerimi me Arianin, ta godisnin okupatorin, në mbrojtje të shtëpisë time nga policët serbë, nga përdhunimi që na bëhej. Këtë lloj sakrifice të Qerimit nuk mund ta merrja me mend, kaq i madh ishte Qerimi, si shpirti i tij.

E mendoja se ky ishte heroizmi i lindur, heroizëm të cilin nuk e dispononte vetëm Qerimi. Tërë familja e vuthjanëve, siç quheshin kjo familje Kelmendi, ishin të tillë. Haxhi Vuthi me kushërinj, nuk e kishte pasur të lehtë të ngulte jetë në fshatin e banuar në zonën me ardhacak serbë e malazias.

Haxhiu kishte mbjellë farën e patriotizmit e qëndresës, krahas iluminizmit, te të gjitha bijtë e bijat e më gjerë, si te nëna e Qerimit, Nokja, e cila ishte shumë e zonja krahas fëmijëve të vet, largpamëse për çështjen kombëtare si rrallë ndonjë nënë heroinë, të bijtë Zeneli, Ademi, Dauti, Osmani, Lushja… ishin këta që i njihja në fshat, ndërsa për Ibrahimin vetëm kisha dëgjuar heroizma që aso kohe na mbanin gjallë shpresën dhe rezistencën. Kjo frymë, ishte e shpërndarë gjithandej te bijat e martuara të Haxhi Vuthit, te nipat në fshat si Sala e Bekimi, te mbesat, kushërinj e vllazni vuthjanësh në fshat e më gjerë.

Por, atë natë, dhe sa të jem gjallë, e di se Qerim Shpirtmadhi ishte përtej legjendave nga librat që njihja me bollëk.

Tërë ato kujtime, të asaj që mund të ndodhte, mi davariste Qerimi, Skendë, kemi me i kallë, kemi me i palue si dujt nëpër oborr!

Mendja ime, e thekur me lexime, asokohe nuk mund t’i rendiste ende këto skena. Ai prapë, më zgjonte nga mendimet, Skendë, këtu është shkrue me fillue historia tjetër e jona…

Unë duarthatë, Qerimi me Arianin, prisnin ta hapnin derën e historisë së ndryshkur nga durimi, nga shtëpia ime. Nuk e dija se a më fort gëzohesha të vinin policët okupator apo jo. Fundja, më nuk kishte rëndësi, për mua, Qerimi ishte heroi im.

Erdhi ta hapte portën e qëndresës, ashtu siç e kishin bërë qindra heronj tanë para tij, ai ishte tash këtu, në një shtëpi fshati, pa rrethojë, për t’ia treguar okupatorit se këtu ka zot, se këtu ka burra, se këtu ka shqiptarë.

Skendë, sonte kemi me i kallë dhe do ta shkruajmë historinë me qëndresën qe kemi me ba, thoshte papritmas Shpirtmadhi, më bënte që të mos e harroja tik-takun e mundshëm të historisë.

Ia shikoja armët dhe ndihesha i mbrojtur, si pranë heroit kombëtar, Skënderbeut…sa e vogël më dukej vetja. Akoma ishin fillimet e rezistencës së armatosur, pajisjet me armë aty këtu, akoma filizat e njoma dilnin nga rrënjët e forta të familjeve të zonja të kombit që do të prodhonin legjendar të rezistencës e çlirimit, të cilat do të shndërroheshin pas disa viteve në ushtar e ushtare të Ushtrisë tonë çlirimtare.

Sot, deri sa i shkruaj këto kujtime, më rrjedhin lotët, për heroin gjigand, Shpirtmadhin e Kombit që më nuk është në këtë jetë.

Historia ishe atë natë kursimtare, nuk e stolisi jetën time me tregimin për të qenë afër Shpirtmadhit në orët e hershme të fillimeve të një rezistencë që më vonë do të shndërrohej në ortek, sepse, Policia serbe nuk erdhi.

Atë natë, mbetëm zgjuar deri vonë, me Shpirtmadhin e Arianin, në pritje, por, tashmë, historia ime për Qerim Kelmendin, ishte e shkruar në mendjen time, zemrën time dhe kujtimet e familjes time, bashkëshortes Violetës e vëllait tim, të cilët e njohën e dinë për këtë natë të pritjes së Qerimit për t’u ballafaquar me policinë kriminale, në shtëpinë pa rrethojë.

Historia i përshkruan të bëmat në kohë, të mëdha e të vogla, unë, do ta mbaj këtë ndodhi si histori të çmuar si të paharrueshme me momentet të cilat u shmangën nga historia, për shkaqe rastësie, duke mbetur kujtime për gjeneratat se sa i madh e legjendar mund të jetë njeriu i thjeshtë e modest që do atdheun mbi gjithçka.

Shpirtmadhi, ishte i destinuar për t’ shërbyer atdheut, në mënyrën e tij.

Lavdi e përjetshme, për Ty Shpirtmadh!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“E vlerësova dhe falënderova këtë karantinë, sepse isha në gjendje…