Kuka: Medaljet tona olimpike erdhën nga përballjet me superfuqitë e xhudo, Majlinda është shembull i disiplinës
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës ka mbajtur “Konferencën e Pestë Shkencore Ndërkombëtare” me temë: “Sporti dhe Edukimi Fizik në Epokën e Ndryshimeve Globale: Sfidat dhe Perspektivat” ku aty ka rrëfyer sfidën e saj edhe kampionja në botës, ish-xhudistja dhe trajnerja në këtë sport, Majlinda Kelmendi. E për shpirtin e saj ushtarak, ka treguar trajneri i xhudos, Driton Kuka.
Në hapje të konferencës, drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, ka theksuar rëndësinë e kërkimeve shkencore për zhvillimin e sportit dhe ngritjen e kapaciteteve të organizatave sportive.
“Sigurisht që kërkimet shkencore janë të rëndësishme në mënyrë që sporti të jetë ambasadori që na përfaqëson në arenën ndërkombëtare. E konsideroj që një nga konferencat më të rëndësishme që krijon mundësi te vijnë njerëz të profileve të ndryshme edhe kjo ndikon që organizata sportive të zhvillohen dhe të rrisin kapacitet e tyre”, ka thënë Alaj.
Ndërsa trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka folur për rëndësinë e disiplinës dhe qasjes shkencore në punën me gjeneratat e reja.
Ai ka theksuar se sukseset e sportistëve kosovarë janë rezultat i punës së palodhshme, motivimit dhe përkushtimit, duke veçuar Majlinda Kelmendin si shembull të disiplinës dhe tejkalimit të limiteve.
“Parimet e mia janë disiplina e hekur. Pas përfundimit të luftës ka dalë një gjeneratë që është rritur pas luftës. Në Kosovë ka pasur luftë dhe kushte jashtëzakonisht të vështira. Për këtë arsye kjo gjeneratë ka qenë shumë e lehtë për të punuar sepse ka pasur motiv të punojnë dhe të tregojnë sa e dëshirojnë lirinë. Vajzat janë stërvitur nga tetë orë. Këto më kanë pasur mua, unë i kam pasur këto. Parimi kryesor i punës sime me këto gjenerata është disiplina e hekurt. Gjithçka po bazohet në shkencë dhe kjo është e vërtetë. Çdo trajner që mendon që i di rregullat dhe nuk e ndërton vetën me metoda të reja ai do të dështojë. Ne kemi punuar dhe jemi munduar të ndjekim trendin me shtetet e fuqishme. Majlinda është dora ime e djathtë. Kjo ka qenë sportiste e cila në stërvitje e ka dhënë shpirtin në të, i ka tejkaluar limitet e saj medaljet tona olimpike kanë ardhur direkt me përballjen e superfuqisë në xhudo”, ka thënë Kuka.
Në anën tjetër, Majlinda Kelmendi, ka folur për sfidat e saj, duke theksuar se respekti, disiplina dhe vetëbesimi kanë qenë parimet mbi të cilat ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës.
“Si garuese e sportit të xhudos gjëja kryesore është respekti, disiplina e hekurt dhe vetëbesimi. Nëse nuk i kisha pasur këto kompetente do të isha skeptike se a do të fitoja. Kam hyrë në libër të Guinness-it si kampione e dyfishit botërore. Nëse mendojmë edhe kushtet të cilat kemi filluar palestrat dhe kushtet kanë qenë të vështira. Tri kompetente kryesore janë ato që i thash”, ka thënë Kelmendi. /EO



