Kultura shtetformuese shqiptare në dekadën e dytë të shekullit XXI

22 gusht 2019 | 16:12

BAJRAM KOSUMI

Shoqëria e sotme shqiptare ende po përpëlitet në tranzicionin e shumëfishtë: midis një shoqërie tradicionale dhe moderne; midis një shoqërie të robëruar dhe një shoqërie të lirë; midis një shoqërie autoritare dhe një shoqërie demokratike; midis një shoqërie të paditur dhe një shoqërie të dijes; midis një shoqërie lokale dhe një shoqërie universale; midis një shoqërie të mbyllur dhe një shoqërie të hapur e globale. Mund të gjejmë edhe përplot pika antonimike në të cilat po ndeshet sot kjo shoqëri, por ajo që është e rëndësishme në gjithë këtë dysi është se ky proces i dyzimit po stërzgjatet mbi dy dekada si pasojë e disa prej problemeve referenciale të cilat po e pengojnë të ecë më shpejt dhe më sigurt përpara.

Edhe pse është e mirënjohur se kultura shtetformuese është një proces i ndërlikuar i shumë faktorëve, (historikë, socialë e ekonomikë), disa elemente të kësaj kulture krijojnë pasoja më afatgjata, prandaj diskutimi i tyre ndihmon për qartësimin dhe përkufizimin e tyre.

Në këtë artikull kam dalluar disa nga këto probleme kryesore, të cilat i kam quajtur pika kritike, në kuptimin se këto elemente të kulturës shtetformuese sillen midis kulturës shtetformuese dhe kulturës shtetdëmtuese.

Problemi i parë: i kujt është shteti?

Shqiptari dhe shteti, pothuajse gjatë tërë shekullit XX, kanë qenë dy pole. Shteti ka qenë i huaj dhe shqiptari ose është natyralizuar në atë shtet ose ka luftuar kundër tij për ta ndërtuar një shtet të vetin. Ose, shteti nuk ka qenë i huaj, por nuk i ka mbrojtur interesat e shqiptarit. Në dy variantet, rrallëherë shqiptari ka mundur ta përdorë mekanizmin e shtetit për interesat e veta. Edhe historikisht kjo marrëdhënie ka dominuar gjithë kohën e re të historisë shqiptare: edhe atëherë kur individë shqiptarë kanë pasur rol të madh në qeverisjen e Perandorisë Osmane, populli shqiptar nuk ka pasur asnjë marrëdhënie tjetër përveç pushtues, i pushtuar.

Në fillim të shekullit XX shqiptarët e bënë Shqipërinë. Në krye të shtetit u vendos klasa politike e ndërtuar mbi mendësinë e vjetër perandorake, ajo klasë që nuk kishte shumë ndjenjë për plebenjtë, qytetarinë e thjeshtë. Ndërsa Shqipëria përbëhej më shumë se 90 % prej plebenjve. Klasa politike e vjetër në krye të një shteti të ri i ndërtoi mekanizmat e shtetit për interesat e veta, si thotë Shinasi Rama te Përrallat e tranzicionit shqiptar (2012). Qytetarët nuk e panë shtetin asnjëherë si një mekanizëm në interesin e tyre, por si mekanizëm në duart e elitave politike e për interesat e saj, qofshin ato feudale, borgjeze apo komuniste. Kjo marrëdhënie e qytetarit me shtetin ka vazhduar gjatë gjithë shekullit, prandaj në çdo rast të dhënë ky qytetar ka synuar ta shkatërrojnë shtetin. Jo vetëm shtetin, por edhe çdo mekanizëm të tij, çdo prodhim të tij. Çdo revolucion në Shqipërinë e shekullit XX ka nisur me shkatërrimin me themel “të së vjetrës”, duke përfshirë në këtë të vjetër edhe mekanizmat shtetërorë, deri edhe pisha, ullinj e objekte, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me politikën.

Në anën e veriut, gjatë shekullit XX shqiptarët e kanë parë Jugosllavinë si një mekanizëm që duhet shkatërruar, sepse ai veproi në tërë ekzistencën e tij kundër interesave të tyre. Ta dëmtoje këtë shtet pushtues, në çfarëdo forme dhe deri në skajshmëri, ishte një akt patriotik gjatë gjithë shekullit XX, qoftë edhe nëse motivi i aktorit nuk ka qenë patriotik, por tërësisht personal, madje edhe banditesk, pikërisht ashtu si e përkufizon Franc Fanoni këtë shfaqje të kolonizuarve kundër kolonizatorit te Të mallkuarit e botës (1984).

Në fund të shekullit XX u bë shteti i ri i Kosovës. Por shqiptari nuk u çlirua edhe prej mendësisë të së kaluarës për dëmtimin e shtetit. Dëmtimi i shtetit, në cilëndo formë, edhe sot është një logjikë e gjallë në shoqërinë e Kosovës. Pjesa më e madhe e punonjësve të shtetit lavdërohet se nuk punon asgjë në zyrat e shtetit. Ose, në rastin tjetër, secili kujdeset mrekullisht për pronën private, por sapo e qet këmbën në pronën e shtetit, ka një qasje dëmtuese ndaj saj. Vetëm se tash, shteti është yni dhe jo shtet pushtues dhe, ky shtet bëhet prej taksave tona.

Pak a shumë, shqiptarët në të dy shtetet nuk janë të kënaqur me shtetin: në rastin e parë e konsiderojnë si vegël të elitave, në rastin e dytë ende nuk janë liruar nga vetëdija e së kaluarës për ta dëmtuar shtetin, si elita ashtu edhe qytetari.

Kjo qasje ndaj shtetit dhe kjo marrëdhënie e pengon krijimin e çdo kauze dhe vizioni për të ardhmen. Shteti duhet ta korrigjojë veten dhe filozofinë e ekzistimit të tij: aparati shtetëror është në shërbim të qytetarëve e jo në shërbim të elitave. Vetëm kur qytetari sheh përfitime konkrete prej shtetit, ai ka mundësi ta ndryshojë qasjen e tij.

Problemi i dytë: familja përballë shtetit

Duke qenë familja institucioni më i fortë social në historinë e shoqërisë shqiptare, ajo ka krijuar lidhje të forta midis anëtarëve të saj dhe shoqërisë përreth. Këto lidhje janë pozitive përderisa shërbejnë për shoqërizim të individëve dhe, këto janë një prej vlerave të cilën shoqëria shqiptare mund t’ua ofrojë shoqërive evropiane. Por, kur këto lidhje kalojnë kufirin e shoqërizimit dhe shërbejnë edhe për interesa të tjera, si pushtetare, ekonomike e të aktiviteteve të tjera sociale, atëherë kjo shfaqje kalon në familjarizëm (nepotizëm). Marrëdhënia familja-shteti është e ngjashme me marrëdhënien grupi etnik-shteti: historikisht, vetëdija për lidhjen e gjakut, e cila krijon grupin etnik dhe përkatësinë etnike, ka shmangur luftërat fetare dhe ideologjike, në favor të shtetit. Por, kur vetëdija etnike e shtypë çdo kërkesë opozicionale për zhvillim, e pengon diversitetin dhe pluralizmin, atëherë vetëdija për lidhjen e gjakut prodhon të kundërtën: totalitarizmin.

Familjarizmi e pengon shtetin, sepse del mbi forcën e ligjit. Çfarëdo procesi dëmtohet për shkak të këtyre lidhjeve familjare. Familjarizmi e mund në shoqërinë moderne shqiptare çdo institucion e ligj.

Në Kosovë votat në zgjedhjet demokratike mblidhen duke filluar nga bërthama familjare, pastaj zgjerohen në bërthama kushërinjsh, fisi, katundi dhe shkojnë duke u zgjeruar por, piramida e zgjedhjeve i ka në majë familjen dhe familjarizmin. Edhe pushteti i cili buron nga këto zgjedhje ipso factum e ndjek këtë model. Është klientelizëm, vetëm se mbi baza të lidhjeve familjare.

Sidomos në shoqërinë e Kosovës, për shkak të numrit të vogël të banorëve të Kosovës (nën dy milionë banorë) e, në anën tjetër, për shkak të familjeve me bazë të gjerë trungore, pra me numër të madh të anëtarëve, ky problem duhet trajtuar shumë seriozisht, sepse secili me secilin e ka diku një lidhje familjare dhe kjo e krijon imazhin se gjithçka po ndodh për shkak të familjarizimit, edhe atëherë kur nuk ka asnjë bazë. Për shembull, çfarëdo procesi i tenderimit publik do të komprometohet për shkak të dyshimeve për familjarizëm, sepse secili fitues i tij do të ketë një lidhje familjare me secilin ofertues të tij, edhe nëse të gjitha procedurat e tenderimit janë korrekte.

Problemi i tretë: sundimi i ligjit

Mendësia shqiptare për ligjin dhe respektimin e tij ka një histori të çuditshme: është krijuar në një shoqëri totalitare e burokratike, çfarë ka qenë Perandoria Osmane, ka vazhduar në një shoqëri tjetër totalitare ideologjike, çfarë ka qenë shteti komunist dhe, tash së fundi, po vazhdon të krijohet në një fazë kalimtare kah demokracia. Në të gjitha këto situata historike ligji ka shërbyer vetëm për grupet e fuqishme shoqërore dhe në interes të tyre. Qytetari i zakonshëm e ka kundërshtuar atë ligj manipulues por, duke mos mundur ta ndryshojë, e ka urryer.

Kjo trashëgimi negative vazhdon edhe sot në forma më të zbutura: ligji përshtatet për interesat e grupeve të fuqishme politike e ekonomike dhe sfidohet nga qytetarët e zakonshëm. Në situata të tjera ligji përshtatet për interesat e çastit dhe për interesat individuale. Të fuqishmit e bëjnë ligjin për vete, ndërsa të pafuqishmit e shkelin dhe e urrejnë. Praktikisht, ligji nuk është i barabartë për të gjithë.

Mjafton të marrim vetëm dy-tre shembuj. Shqiptarët, në të tre shtetet ku jetojnë, janë i vetmi komb në Evropë i cili ka problem me Ligjin për Zgjedhje, përkatësisht me pastërtinë e votës në procese zgjedhore. Jo fitimi i votës, por ruajtja e saj nga vjedhja është puna më e rëndësishme në zgjedhjet shqiptare. Shikuar në praktikë, ka plot ligje që e dëshmojnë këtë marrëdhënie të ligjit me interesat e grupeve të vogla. Ligji për sigurinë në komunikacionin rrugor e rregullon çështjen e homologimit të automjeteve dhe Qeveria e Kosovës ka lidhur kontratë me një operator i cili për dhjetë vjet do ta bëjë këtë punë, duke i mundësuar operatorit fitime të mëdha pa asnjë procedurë ligjore (Analizë politikash/monopoli i homologimit, GAP, prill 2016).

Mossundimi i ligjit sot është armiku numër një i shoqërisë shqiptare.

Problemi i katërt: padituria

Janë të famshme barsoletat shqiptare për diturinë apo paditurinë e tyre. Qeveritë shqiptare më parë investojnë paratë publike në asfalt sesa në shkolla. Universitetet në Kosovë janë shndërruar në mekanizma të paqes sociale. Në shoqërinë tonë ende intervenohet që notat e mësimit të jepen me të njohshëm e jo me dije.

Jo dituria, por diploma thotë gjithçka. Është tepër e pabesueshme se çfarë makinacione shpiken, çfarë formulash stisen, çfarë veprimesh ndërmerren për të kopjuar në provime, për ta marrë një notë pa meritë, për ta bërë një temë diplome shpejt e shpejt.

Shoqëria shqiptare mund të ketë individë me diploma nga mbarë bota, por nuk është sa duhet e ditur. Padituria pengon më shumë se gjithçka, në çdo hap, përparimin. Dhe, ka vetëm një rrugë për zhdukjen e saj. Padituria sot është armikja e dytë më e madhe e shqiptarëve.

Problemi i pestë: selektimi social dhe e drejta e zgjedhjes

Të drejtën e zgjedhjes e garanton ligji, por cilësia e zgjedhjes është një problem filozofik, social dhe organizativ, e jo problem ligjor.

Shoqëritë me një vizion të kthjellët, me logjikë organizative, kujdesin më të madh në organizim ia kushtojnë selektimit pozitiv. Çështje mbi çështjet është selektimi (zgjedhja) i udhëheqësit, i mësuesit, i specialistit, i nxënësit a studentit, i mjeshtrit etj. Shoqëritë pa vizion të qartë selektimin e bëjnë si në novelën e Faik Konicës Një ambasadë e Zulluve në Paris.

Në kulturën ballkanase, pra edhe shqiptare, selektimi u nënshtrohet interesave familjare, klanore, grupore, partiake, interesave të çastit, vetëm interesit publik jo. Në shumicën e rasteve selektohet jo më i miri, por ai që e garanton një interes të çastit. Kështu selektohen presidentët, kryeministrat, ministrat, profesorët, gjykatësit etj… deri edhe nxënësit se kush çfarë do të studiojë.

Një selektim i tillë kushton shtrenjtë: për shembull, një mësues jo i duhur i merr më qafë dyzet gjenerata; një gjykatës jo i duhur ta shkatërron drejtësinë; një politikan i keq ia këputë këmbët shtetit.

Selektimi negativ sot është armiku numër tre i shoqërisë shqiptare.

Problemi i gjashtë: grykësia dhe mujshia

Mujshia dhe grykësia janë simbole të një shoqërie ende të parealizuar. Grykësia nuk e tregon urinë, por pangopshmërinë. Njerëzit e uritur nuk janë grykës. Njerëzit e pangopshëm janë grykës. Sado që të hajë, grykësi nuk ngopet.

Kështu reflekton edhe grykësia politike: në shoqërinë shqiptare ka një pangopshmëri me fuqi politike, pangopshmëri me fuqi financiare dhe pangopshmëri me dominim social. Që të realizohet kjo pangopshmëri, duhet të ketë edhe mujshi politike, ekonomike e sociale.

Prandaj në shoqërinë tonë gjithnjë e më të rralla janë rastet kur tregtia bëhet si në formën tradicionale, duke ia dhënë shitësi dhe blerësi dorën njëri-tjetrit për marrëveshje. Gjithnjë e më të vetmuara janë rastet kur një kandidat kërkon votën sepse ka këtë e atë projekt më të mirë. Gjithnjë e më të pakta janë rastet kur shoqëria ka mirëkuptim për grupet e ndryshme sociale.

Si pasojë: tregtia bëhet si kuptimi pezhorativ i fjalëve tuxharllëk e allishverish, pra duke e mashtruar njëri-tjetrin; udhëheqësit politikë blejnë me para pozitat udhëheqëse; dhe grupi social që e ka pushtetin është në gjendje që të gjitha të mirat materiale t’i përdorë për veten, pa llogaritur në interesin edhe të grupeve të tjera sociale, të cilat në atë çast nuk janë në pushtet.

Grykësia dhe mujshia sot janë armiqtë numër katër të shoqërisë shqiptare.

Përfundim: hapja e debatit

Si pasojë e të gjitha këtyre, por edhe problemeve të tjera morale, politike, sociale, ekonomike etj., shqiptarët sot kanë njollosur, pa dallim, gjithë elitën e vet: ata janë shoqëri pa elitë të pastër dhe të besueshme. Shoqëria shqiptare sot nuk beson në asgjë dhe në askënd. Ajo nuk beson në njerëzit e gjallë, ashtu si mund të mos besojë në historinë e saj. Në opinionin publik, të gjitha grupet sociale të shoqërisë sonë konsiderohen të korruptuara: politikanët e korruptuar, mediat e korruptuara, biznesmenët e korruptuar, mjekët e korruptuar, gjykatësit e korruptuar, profesorët e korruptuar, studentët e korruptuar, hoxhallarët e priftërinjtë e korruptuar, policët e korruptuar… deri edhe zyrtari më i vogël konsiderohet i korruptuar. Njësoj, të gjitha këto grupe, dhe të tjera më shumë, konsiderohen kriminale. Çdo pasuri e fituar konsiderohet e fituar me mashtrim.

Edhe puna më e ndershme, si pasojë e kësaj inercie, konsiderohet e pandershme. Nën këtë inerci nuk ka grup social, nuk ka institucion dhe nuk ka individ që konsiderohet i ndershëm në shoqërinë shqiptare!

Kjo nuk është e vërtetë!

Ka grupe të ndershme sociale, ka institucione që funksionojnë në të mirë të shoqërisë e të ligjit, ka individë të ndershëm që punojnë dhe jetojnë prej djersës së tyre, poende, besoj fuqishëm, se kjo pjesa e ndershme është pjesa e madhe e shoqërisë. Gjithmonë është më e vogël ajo pjesa tjetër, e cila ligjin e përdorë për nevojat e veta. Ata përbëjnë pakicën por, meqenëse janë të pozicionuar në pozita të rëndësishme, krijojnë përshtypjen se gjithçka në shoqërinë tonë është e korruptuar, e kalbur dhe e pandershme etj.

Nuk është e vërtetë se shoqëria shqiptare është në pikën më kritike në historinë e saj sepse ajo ka qenë në pikën më kritike edhe para luftës, edhe gjatë luftës. Ajo shoqëri është duke ecur drejt një shoqërie moderne të shekullit XXI. Shqiptarët më nuk janë në udhëkryq historik: e kanë kaluar atë dhe janë duke ecur në rrugën e drejtë përpara.

Në secilën qelizë të shoqërisë janë grupet, institucionet dhe individët të cilët e shtyjnë përpara këtë proces. Ata janë bartësit e zhvillimit. Të tjerët janë përfituesit nga ky zhvillim. Pse, pra, kjo pjesë zhvillimore e shoqërisë nuk mbizotëron përderisa është shumicë? Sepse liria, demokracia, dituria, sundimi i ligjit, përgjegjësia për tjetrin etj., nuk fitohen vetëm duke qenë formula në letër, por duke qenësuar në çdo situatë dhe në çdo kohë. Vlerat demokratike nuk janë statike, por dinamike, si çdo proces tjetër social. Vlerat e demokracisë, si çdo vlerë tjetër sociale, krijohen çdo ditë dhe kalben çdo ditë, fitohen ose humben çdo ditë në një betejë të pafundme historike kundër antivlerave dhe joligjësive.

Në shoqërinë e sotme shqiptare, sado ka përparime historike, vlerat morale, politike dhe ekonomike, por edhe individuale, janë rrezikuar për shkak të problemeve që i përmendëm më lart, por edhe problemeve të tjera që do t’i përmendim në tekste të tjera të kësaj natyre. Kjo shoqëri sot është potencialisht e çorientuar. Ajo ka devalvuar pikat orientuese, në emër të çmitizimit dhe për interes të votës. Çfarëdo vlere shoqërore rrezikohet për pak vota apo për pak para. Një shoqëri pa pika referenciale është si një i humbur në mal pa hartë. Ai ecën kuturu.

Dhe, në këto raste, elitat kanë heshtur ose janë vënë në shërbim të grupeve të forta të interesit. Elitat kanë lidhur aleancë me grupet e forta të interesit financiar dhe nuk po e kryejnë përgjegjësinë të cilën e kanë para qytetarit: orientimin. Prandaj duhet hapur dialogu i brendshëm, në të gjitha nivelet, për të gjitha temat dhe në të gjitha strukturat. Vetëm duke i diskutuar problemet sociale, morale, politike e ekonomike, mund t’i zgjidhim. Elitat intelektuale duhet ta kenë një rol vendimtar në këtë proces.

Më duhet ta përmbyll me një fjali të cilën e dimë të gjithë por, ka rrezik se, duke e ditur dhe përsëritur vend e pa vend, ajo është shndërruar në parullë që nuk thotë asgjë: liria nuk falet! Ngjashëm, edhe demokracia nuk falet, vlerat e një shoqërie nuk falen! Ato fitohen dhe krijohen një e nga një, pak e nga pak, në një betejë të pafundme. Kush e kupton këtë betejë, do ta fitojë lirinë e vërtetë. Kush nuk e kupton dhe konformohet vetëm me interesin e tij, do ta fitojë robërinë e re. (Revista “Akademia”)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
IBRAHIM GASHI Historia si disiplinë moderne akademike dhe lëndë shkollore…