
Kumbulla nuk është në planet e Romës, kërkohet nga Cagliari dhe Espanyoli
Cagliari është në bisedime me Romën për të nënshkruar me Marash Kumbullën, i cili nuk bëhet më pjesë e planeve të trajnerit Gian Piero Gasperini. Trajneri ka dhënë dritën jeshile për largimin e mbrojtësit shqiptar.
Roma do të ishte e gatshme të heqë dorë nga Kumbulla nëse do të arrijë një ofertë prej rreth 7 milionë eurosh, duke lehtësuar edhe bilancin financiar të klubit.
Kumbulla ka një eksperiencë solide te Roma, me 69 paraqitje në katër sezone, plus dy huazime te Sassuolo dhe Espanyol, ku u paraqit shumë mirë sezonin e fundit, duke shënuar tre gola në 35 ndeshje.
Përveç Cagliarit, Espanyol gjithashtu po monitoron situatën dhe është i interesuar për rikthimin e mbrojtësit në La Liga pas paraqitjeve të mira gjatë huazimit.
Largimi i Kumbullës do t’i jepte mundësi Romës të ristrukturonte repartin defensivë dhe të lirohej nga një pjesë e pagës së tij.
Negociatat pritet të intensifikohen në ditët në vijim, ndërsa klubi italian kërkon të marrë një ofertë që i përshtatet objektivave financiare. Ky transferim mund të jetë një mundësi e mirë për Kumbullën për të rifilluar karrierën në Serie A ose La Liga, duke garantuar më shumë minuta dhe rol kryesor në skuadër.