Kur 34 fisnikë shqiptarë vizituan perandorin Karl Josef në Vjenë

16 nëntor 2022 | 19:12

Shkëlqesia Juaj kont Ottokar Czernin,

Përmes kësaj shkrese konfidenciale, Ju njoftoj se sot më 17 prill të vitit 1917, delegacioni shqiptar mbërrijti në stacionin hekurudhor në Vjenë. Fisnikët shqiptarë u pritën nga gjeneralët tanë të nderuar, Ignaz Freiherr Trollmann e Ritter von Gross. Në pritje ishte edhe konsulli Rudnay dhe gazetari ynë perandorak, Leo Freundlich.

Shqiptarëve po u prinë monsinjor Nikollë Kaçorri, një burrë me autoritet të jashtëzakonshëm. Për dijeninë Tuaj, Kaçorri ishte zëvëndëskryeministri i parë shqiptar në Qeverinë e Ismail Bej Vlorës.

Fisnikët shqiptarë janë duke u shoqëruar nga profesorët e nderuar Gjergj Pekmezi e Kolë Rrota. Dy intelektualët shqiptarë tash një kohë jetojnë e punojnë në Vjenë. Protokollit shtetëror i kushtuam kujdes të duhur, në mënyrë që me shtetet armike të Shqipërisë të mos shkaktojmë keqkuptime të mëdha. Vizita e fisnikëve shqiptarë u shënua si vizitë nderi perandorit Karl Josef dhe bërja homazh tek varri i perandorit të përndritshëm Franz Josef. Siç ju kemi vënë edhe Juve në dijeni, vizita ka tjetër karakter: Udhëheqja e Perandorisë sonë kërkon aleancë me fisnikët shqiptarë dhe premtime nga ata për t’i luftuar fqinjët e tyre sllavë.

Që të mos biem në lajthitje, për secilin mysafir kam përgatitur nga një shënim të shkurtër biografik. Biografitë për fisnikët shqiptarë i siguruam nga konsullatat tona në Shqipëri.

Kur shqiptarët zbritën nga treni, turmat e qytetarëve vjenezë mbushën trotuaret për t’i parë derisa hipnin në vetura luksoze e pajtonë për t’i shijuar bukuritë e kryeqytetit perandorak. Qytetarët u befasuan nga pamja e burrave shtatlartë, me mustaqe kreshnikësh dhe kostime të bukura kombëtare të qëndisura me fije ari, të cilët deri sot i njihnim vetëm nga veprat e albanologëve austriakë.

Pa humbur kohën Tuaj të çmuar Shkëlqesi, po ua dërgoj shënimet për 34 fisnikët shqiptarë.

BEZIRKU I PARË, RRETHI I SHKODRËS: Musa Efendi Juka është kryetar i Bashkisë së Shkodrës dhe rrjedh nga një familje e përmendur shkodrane. Në kohën e turkut ishte nëpunës i lartë financash në Vilajetin e Shkodrës. Mbas pushtimit të Shkodrës nga malazezët në vitin 1913 u largua në Konstantinopol. Më pas u kthye në Shkodër ku ndihmoi shumë në përhapjen e politikës së turqve të rinj. Për këtë arsye, mbas pushtimit të dytë të qytetit nga malazezët në vitin 1915, Juka u mbajt në burg për një muaj. Kohë më parë e kemi dekoruar me urdhrin Kalorës i Urdhrit të Franz Josefit. Fisniku tjetër është Kolë Ujka me profesion tregtar. Ka zëvendësuar Gjon Çobën, i cili për arsye shëndetësore nuk mundi të vijë në Vjenë. Gjon Çoba vjen nga një familje e njohur katolike shkodrane. Babai i tij ishte për 40 vjet përkthyes i Konsullatës së Përgjithshme austriake në Shkodër. E ka kryer punën me nder. Me ne ka mbajtur lidhje të ngushta dhe për këtë në vitin 1915 u internua nga malazezët e Podgoricës. Ai si baba i tij është tregtar i madh. Në radhë është Hasan Efendi Bekteshi, i cili rrjedh nga një familje e vjetër shkodrane. Është tregtar i madh. Gjyshi i tij në kohën e vezirit Mustafa Pasha ishte Kuluktishibash, më saktë postkomandant i Shkodrës, ndërsa baba i tij ishte Bylykbash, më saktë përfaqësues i malësive në Shkodër. Hasan Efendi Bekteshi është politikisht në anën tonë. Në vitet 1914-’15 ndihmoi politikën e turqve të rinj, të cilët vepronin kundër Esad Pashës, prandaj u kap dhe u burgos nga malazezët për një muaj. Tjetri është bajraktari i Shkrelit, Vat Marashi. Ishte mudir, që në gjuhën tonë i bie administrator i Pulaj në kohë të turkut dhe fuqive ndërkombëtare. Kishte lidhje shumë të mira me autoritetet turke. Pas qëndrimit të njëanshëm e poshtërues të turqve u rreshtua në krah të malësorëve. Në pushtimin e parë nga malazezët, u internua si mbështetës i turqve. Është politikan i mirëfillt dhe orator i talentuar. Në radhë është Gjelosh Gjoka, vojvoda i Kastratit dhe bashkëpunëtor yni i sinqertë. Ishte në shërbim të princ Vidit në Durrës. Mbas ikjes së Vidit nga Shqipëria, Gjoka u kthye përsëri në Kastrat. Kur ushtritë malazeze kaluan kufirin shqiptar, ai u largua për në Shkodër në vitin 1915. E gjithë pasuria e tij u plaçkit dhe u dogj në mungesë të tij. E kemi dekoruar mbajtës të Kryqit të Arit për Merita. Anëtarë të Bezirkut nga rrethi i Shkodrës janë edhe Abdi Kola, bajraktar i Shoshit dhe Hasan Ahmeti, vojvodë i Postribës.

BEZIRKU I DYTË PËR LEZHËN: Nga Lezha fisnikëve shqiptarë u prinë Mane Beu. Rrjedh nga një familje shumë e vjetër dhe e përmendur në këto anë. Babai, gjyshi dhe ai vet ishin mudir të Malësisë së Lezhës. Familja e tij është pronare e madhe tokash. Fisniku tjetër është Dedë Çoku nga Bregu i Matit dhe ka origjinë nga fisi Klementi (Nikçi). Kohë më parë ishte shumë i pasur. E humbi një pjesë të tokave për shkak të rebelimit të tij kundër pushtetit osman. Luftoi edhe kundër rebelëve të Shijakut dhe Esad Pashës. Është nacionalist i flaktë shqiptar dhe përkrahës i hapur i Austro-Hungarisë. Ka luftuar në anën tonë kundër armiqve të përbashkët. Nga Perandoria jonë është dekoruar me Kryqin e Artë për Merita të Veçanta. Ua kujtoj se përfaqësues i Lezhës është edhe Mehmed Beu.

BEZIRKU I TRETË PËR PUKË E MIRDITË: Fisnikëve të Pukës e Mirditës u prinë kapidan Ndue Gjoni. Për dijeninë Tuaj, është vëllai i kapidanit të Mirditës, Marka Gjoni dhe kushëri i Prenk Bibë Dodës. Është edhe pasardhës i familjes së përmendur Gjon Markaj nga Oroshi. Është përkrahës i madh i Monarkisë sonë. Mori pjesë në luftimet kundër rebelëve të Shijakut. Luftoi burrërisht me njerëzit e tij edhe kundër serbëve e Esad Pashës. Pas tij vjen Zef Ndoci, vojvoda i Spaçit. Është djali i Ndoc Ndrecës, komandant i Mirditës në kohë të turkut. Ka qenë për shumë vjet mësues në Shkollën e Famullisë në Spaç. Mori pjesë aktive në qëndresën kundër turqve, në luftë kundër serbëve dhe kundër Esad Pashës, të cilit i shkaktoi dëme të mëdha. Është shqiptar nacionalist dhe simpatizant i Monarkisë sonë. Është edhe mbajtës i Kryqit të Artë për Merita të Veçanta. Bashkë me ta është edhe Zejnel Agë Iballja, vojvodë i Iballës. Ka origjinë nga një familje shumë e përmendur dhe e pasur. Luftoi bashkë me Bajram Currin kundër serbëve dhe Esad Pashës dhe ishte në krah të princ Vidit. Zejnel Agë Iballja është i njohur për miqësi me ne.

BEZIRKU I KATËRT, KRUJË-MAT: Përfaqësuesve të këtij Bezirku i prinë Ahmed Beu nga Mati. Është përfaqësues dhe trashëgimtar i fisit zotërues të Matit. Familja nga regjimi turk trashëgoi ofiqin kajmekam. Luajti rol të rëndësishëm në autonominë e Shqipërisë. Luftoi kundër serbëve dhe ishte kundërshtar i Esad Pashës. Kur ne hymë në Shqipëri, në dispozicion të ushtrisë sonë vuri rreth 5.000 luftëtarë shqiptarë, të cilët luftuan në frontin pranë Vjosës. Është nderuar me Urdhrin më të lartë të Kaiserit Franz Josef. Pas tij vjen Muharrem Pengili nga Kruja. Përpara ishte myfti tash është naib-myfti në Krujë. Është klerik i njohur muhamedan dhe shumë i dinjitetshëm.

BEZIRKU I PESTË, RRETHI I TIRANËS: Tirana përfaqësohet nga Musa Maçi. Përpara ishte kryetar Bashkie dhe vjen nga një familje me zë. Është tregtar e qytetar me ndikim shumë të madh në Tiranë. Atë e shoqëron Xhelal Beu, pasardhës i familjes Toptani. Është kushëri, por edhe kundërshtar i Esad Pashës. Është pronar i madh tokash, politikan e burrë i mençur.

BEZIRKU I GJASHTË, ZHUR-PESHKOPI: Fisnikëve të radhës u prinë Elez Isufi. Është burrë shumë i njohur dhe me autoritet në zonat e Drinit dhe Dibrës. Eshtë i besuari ynë Elez Isufi, i cili bëri qëndresë ndaj disa grupeve në Dibër duke propaganduar influencën gege. Kundërshtoi hapur propagandën e partisë së Esad Pashë Toptanit. Luftoi në krye të vullnetarëve kundër serbëve deri në tërheqjen e tyre. U vu në shërbim të forcave tona dhe ka fituar për merita lufte Urdhrin e Lartë si oficer i Franz Josefit. Pas tij vjen Salih Spahia nga Luma. Është përfaqësues i familjes më të rëndësishme në Lumë. Ka luftuar kundër serbëve dhe është nënprefekt në administratën tonë. Spahia ka shumë influencë.

PËRFAQËSUESIT PËR DURRËSIN: Siç ju njoftova në fillim, përfaqësues i Durrësit është monsinjor Nikollë Kaçorri, zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Ismail Beut. Është protonotar papnor dhe famullitar i Durrësit. Është nacionalist dhe mbështetës i Monarkisë sonë. Prift i nderuar dhe i përkushtuar. Burrë me inteligjencë e personalitet të veçantë. Atë e shoqëron edhe Izedin Beshiri. Përpara ishte nënprefekt, tash kryetar i Bashkisë së Durrësit. Është i ri në moshë, por shumë inteligjent dhe i gatshëm të ndihmojë kudo. Vjen nga një familje e mirë. Ishte bashkëpunëtor i zellshëm i administratës sonë qysh në fillim të okupimit. E kemi dekoruar me Kryqin e Artë me Kurorë për Merita të Veçanta.

PËRFAQËSUESIT PËR KAVAJËN: Fisnikëve të Kavajës u prinë Kasim Beu, i cili vjen nga një familje e përmendur. Është shumë i pasur dhe kryetar i Bashkisë së Kavajës. Atë e shoqëron edhe Shasivar Beu, nip i Iliaz Pashës nga Dibra dhe nip i të shumënjohurit dhe të nderuarit Aqif Pasha nga Shqipëria e Mesme. I ka ndihmuar trupat tona me vullnetarë. Në gjashtë muajt e parë të vitit që shkoi ishte Prefekt i Elbasanit. E kemi dekoruar me medaljen Kalorës i Franz Josefit.

PËRFAQËSUESIT PËR ELBASANIN: Atyre u prinë Lef Nosi. Është i besimit ortodoks dhe vjen nga një familje e pasur tregtare. Me gjithë rrezikun e madh në kohë të qeverisë turke, ka organizuar shumë banorë ortodoks të Elbasanit për një lëvizje nacionaliste shqiptare. Ishte Ministër për Postë-Telegraf në Qeverinë e Ismail Bej Vlorës dhe Sekretar i Përgjithshëm në të njëjtën ministri në kohë të Vidit. Edhe Irfan Beu nga Elbasani i shoqëron ata dhe është nip i Aqif Pashës.

PËRFAQËSUESIT PËR BERAT E SKRAPAR: Fisnikëve të Beratit e Skraparit u prinë Sami Bej Vrioni, pjesëtar i familjes së vjetër Vrioni. Janë zotërues tokash e pasanikë të mëdhenj në zonën e Devollit. Eshtë dhëndrri i Esad Toptanit. Ishte edhe administrator i Oborrit (Hofmarschall) të Princ Vidit. Pas tij vjen edhe Mehmed Esadi, një klerik muhamedan shumë i përmendur. Përpara ishte myfti i Beratit, tash është drejtues i Seminarit muhamedan. Ka ardhur edhe Demeter Lavda i besimit ortodoks grek. Është burrë i përmendur dhe tregtar i njohur.

PËRFAQËSUESIT PËR LUSHNJËN: Nga Lushnja erdhën vetëm dy bujarë. Ahmed Bej Resuli, i cili vjen nga një familje e vjetër, e përmendur dhe shumë e pasur. Atë e shoqëron edhe Emin Vokopola, një burrë me autoritet, shumë i njohur e pasanik.

PËRFAQËSUESI PËR FIERIN: Mysafiri i vetëm nga Fieri është Kahriman Bej Vrioni, i cili është kushëri i afërt i Sami Bej Vrionit. Është i pasur e nacionalist. Luftoi si oficer kundër rebelëve dhe kundër Esad Toptanit. Ka arritur suksese të mëdha në këtë luftë dhe i priu trupave tona. Është i besuari ynë, prandaj e kemi dekoruar me medaljen Kalorës i Urdhrit të Franz Josefit.

PËRFAQËSUESIT PËR KRASNIQEN: Atyre u prinë Hysni Curri. Është nip i Bajram Currit. Në kohën e reformave në Maqedoni në vitin 1914, bashkë me Bajram Currin ishte ndjekës i Hysni Hilmi Pashës, inspektor i Komisionit të Reformave. Në kohën e Revolucionit të Kosovës në vitin 1910, bashkë me Bajram Currin mori pjesë në qëndresën e shqiptarëve kundër qeverisë turke. Në këtë kohë mori pjesë në çdo lëvizje e qëndresë kundër sllavëve dhe në luftimet e Princ Vidit në Durrës. Atë e shoqëron edhe një burrë i shquar. Është Sali Mani nga Bunjaj, pjesëtar i një familjeje të njohur dhe të pasur. Ka qenë dhe është kurdoherë ndjekës i Bajram Currit. Në kuadër të delegacionit shqiptar merr pjesë edhe Hasan Bej Prishtina nga Kosova. Është një nga njerëzit më të përmendur nacionalist dhe me influencë në të gjitha zonat verilindore shqipfolëse. Ishte ministër në qeverisjen e Princ Vidit.

Shkëlqesia Juaj,

Gjatë qëndrimit njëjavor në kryeqytetin tonë, fisnikët shqiptarë janë shoqëruar nga gjenerali Trollmann. Shqiptarët vizituan edhe objekte të artit, kulturës dhe historisë sonë të lavdishme. Vizitën e parë e bënë në Dhomën e Thesarit të Perandorisë dhe vazhduan në Muzeun e Artit. Fisnikët u emocionuan derisa i kundronin nga afër armët dhe përkrenaren e heroit të tyre kombëtar Gjergj Kastrioti, të cilat ndodhen në Dhomën e Koleksionit të Armëve.

Vizita tjetër e rëndësishme u realizua në Katakombet e Kishës së Kapucineve, ku ndodhen varrezat e pjesëtarëve të familjes perandorake dhe sarkofagu i Kaiserit Franz Josef. Fisnikët shqiptarë vendosën kurora lulesh. Për nder të Perandorit tonë të ndjerë, fjalime mbajtën intelektualët e nderuar, Gjergj Pekmezi e Hasan Prishtina. Ditën tjetër, fisnikët shqiptarë vizituan Muzeun Ushtarak dhe Katedralen e Shën Stefanit në Vjenë.

Fisnikët shqiptarë nga qifti perandorak u pritën në Pallatin Hoffburg. Takimi kaloi në atmosferë të ngrohtë dhe zgjati rreth 45 minuta. Shkëlqesia e tij Perandori Karl u shprehu fisnikëve shqiptarë kënaqësinë për vizitën e tyre në Vjenë. I siguroi ata se derisa shqiptarët të mbërrinin pjekurinë e vetëqeverisjes, Austria kurrë nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e saj e drejtë. Austria, tha Shkëlqesia e Tij, do t’i udhëheqë shqiptarët drejtë begatisë e lumturisë. Koha e mbrojtjes tuaj varet nga zotësitë dhe meritat tuaja, përfundoi Shkëlqesia e Tij.

Kujdes të veçantë gjatë audiencës shfaqi edhe Lartmadhëria e Saj, Perandoresha Zita. Bisedoi me secilin mysafir dhe u bëri komplimente plot delikatesë. Në emër të shqiptarëve, zotëri Xhelal Toptani i dhuroi princeshës së vogël trevjeçare Adelheide një fustan të qëndisur me fije ari, punë dore të nënave shqiptare.

Edhe vëllai i Perandorit, Shkëlqesia e Tij Arqiduka Maks i priti në audiencë fisnikët shqiptarë dhe së bashku bënë një fotografi.

Pas audiencës në Pallatin Hoffburg, shqiptarët i dërguam për vizitë në Bashkinë e Vjenës. U pritën me nderime nga kryetari, Richard Weiskirchner. Sipas protokollit, fisnikët shqiptarë shijuan bukurinë e vallëzimit të kuajve të racës në Shkollën Spanjolle të Kuajve të Oborrit Perandorak. Fisnikët shqiptarë u njohën edhe me koleksionet e pashembullta e unikale të Muzeut të Natyrës, të cilin Perandori ynë e ngriti për t’i treguar botës fuqinë dhe pasurinë e Perandorisë.

Me 20 prill, shqiptarët u pritën në Ministrinë e Luftës. Gjatë bisedës me Ministrin u këmbyen falënderime e lavde reciproke. Delegacioni shqiptar vizitoi edhe Kështjellën e Schönbrunnit. Në orët e vona të natës, një pjesë e delegacionit shqiptar sipas protokollit u largua nga Vjena drejt atdheut të tyre, me ç’rast nga autoritetet tona u organizua një festë përcjelljeje. Në programin javor ishte paraparë edhe një takim me fëmijët shqiptarë, të cilët shkollohen në Vjenë dhe jetojnë në konviktin e veçantë në Krottenthalergasse.

Mbresëlënëse në festën madhështore lamtumirëse ishte fjala e komandantit të forcave austriake në Shqipëri, gjeneralit Trollmann. Ky i fundit i falënderoi fisnikët shqiptarë për ndihmën e madhe për organizimin e ndihmave, ushtrisë sonë dhe vullnetarëve. Në fund të fjalës së tij, gjenerali Trollmann thirri në gjuhën shqipe: Rroftë Shqipnia!

Pastaj fjalën e mori Imzot Nikollë Kaçorri. Ai tha se shqiptarët po ndahen shumë të kënaqur me pritjen në këtë qytet të mrekullueshëm për nga fuqia, kultura e bukuria. Në emër të fisnikëve shqiptarë, Kaçorri falënderoi autoritetet perandorake për pritjen e ngrohtë që u organizua te Shkëlqesia e Tij Perandori Karl dhe autoritetet tjera shtetërore. Imzot Kaçorri me fjalë të ngrohta falënderoi dhe i dëshëroi shëndet gjeneralit Trollmann për simpatinë që ai ushqen për popullin shqiptar. Urimi u brohorit nga të gjithë fisnikët shqiptarë.

Është me rëndësi t’u njoftoj për një incident që ndodhi në Operën e Vjenës, fundi i të cilit ka mundur të ishte tragjik. Në ditën e tretë të vizitës, fisnikët shqiptarë i dërguam për të parë shfaqjen “Fidelio” të Ludwig van Bethovenit. Disa nga ata për herë të parë në jetën e tyre u gjendën ne teatër. Habia e tyre sapo hynë në ambientet mbresëlënëse të Operës së Vjenës shprehte këtë fakt. Shfaqja filloi qetë dhe fisnikët shqiptarë zunë vendet në lozhë. Derisa po kënaqeshim me lojën e sopranove dhe baritonëve, në veçanti me Fidelion, bijën e vetme që i nxori jo pak telashe atit, njëri nga bajraktarët shqiptar nxori pistoletën e praruar në argjend dhe lëshoi një klithmë më të fuqishme se baritoni në skenë. U tmerruam të gjithë. Bajraktari kujtonte se baritoni me pranga në duar ishte i zënë rob. Deshi ta vriste baritonin tjetër në skenë, duke pretenduar se ai ishte pranguesi i vërtetë i baritonit. Falë profesorit inteligjent Gjergj Pekmezi, i cili mori situatën në duar, shfaqja nuk përfundoi me gjakderdhje. Bajraktari shqiptar kërkonte që Perandori Karl Josef të ndërmjetësonte në lirimin e baritonit. Profesor Pekmezi i premtoi bashkëpatriotit të tij se çështja e të prangosurit do të zgjidhej sapo të mbarojë shfaqja!

Nuk më ka pëlqyer as mbajtja e armëve nga fisnikët shqiptarë gjatë vizitës së tyre në Vjenë. Gjithë kohën lëviznin me armë dhe krekoseshin duke pozuar para fotografëve. Në veçanti situata u bë e padurueshme kur armët nuk i hoqën as gjatë audiencës me Shkëlqesinë e Tij, Perandorin Karl. Të vetëdijshëm se shqiptarët janë të ndjeshëm në çështje armësh, lejuam shkeljen e protokollit shtetëror.

Krejt në fund Shkëlqesia Juaj kont Ottokar Czernin, duke ju falënderuar për kohën Tuaj të çmuar, ju njoftoj se delegacioni shqiptar u nis nga Vjena për në Shqipëri më 23 prill.

Këtë ese e kam shkruar falë mikut tim shkodran Pjetër Logoreci, i cili jeton e punon në Vjenë.

(Shkruar nga Bajram Mjeku)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Parlamentar, i përbërë në shumicë nga Lëvizja Vetëvendosje, për…