Kur flasin viktimat!

16 nëntor 2020 | 11:39

Shkruan: Sedat Sahitaj

Është  fenomen i përsëritshëm se kur të gjallët heshtin në zbardhjen e krimit, viktimat fillojnë të vet flasin (ju përfytyrohen në ëndrra kryerësve të krimit). Tani së fundi kemi shumë serbë që ishin udhëheqës të operacioneve ushtarake në Kosovë në vitet 1998-1999, që kanë kryer shumë masakra në Kosovë, të cilët publikisht pohojnë se nuk mund të flenë të qetë nga përfytyrimet e viktimave.

Pra kanë filluar të flasin viktimat, e neve të gjallëve na është shfaqur amnezia kolektive. Ne si shoqëri shumë herë gjatë historisë na është shfaqur amnezia, sidomos tek elitat intelektuale, të cilat kanë shumë më shumë obligim për kujtesën kolektive. Se çfarë duhet bëjnë intelektualët , dhe cili është roli i tyre në këtë drejtim, Simon Vizental, i mbijetuari i kampeve naziste më të drejtë ka konstatuar. “Puna më e madhe që kam bërë është lufta kundër harresës, lufta për mbajtje gjallë të kujtesës. Është shumë e rëndësishme ta bëjmë popullin të ndiejë se armiqtë e tij nuk janë harruar. Ky është një paralajmërim për vrasësit e nesërm.

Drejtësia për krimet kundër njerëzimit nuk duhet të ketë kufizime kohore… me siguri monstra si Hitleri dhe Stalini lindin përditë… ata presin që të harrojmë”. Për Vizentalin të kujtuarit e viktimave dhe mizorive të luftës do të ndihmonte edhe në rindërtimin e jetës së atyre që shpëtuan. Mijëra të mbijetuar kudo që janë nëpër botë do të qetësohen disi kur të mësonin kriminelët tash e tutje do të qëndrojnë ose para drejtësisë ose në frikën e përhershme të saj.

Në historiografinë botërore  çdoherë ka qenë më së vështiri të argumentosh dhe të ndriçosh krimet ndaj etnive të ndryshme. Është një paradoks se krimet ndaj popujve të ndryshëm, çdoherë mohohen nga kryerësit e tyre. Edhe pse dihet botërisht për gjenocidin e hebrenjve, akoma sot ka një rrjet shumë të fuqishëm gjerman dhe të tjerë që mohojnë Holokaustin. Turqia vazhdon ta mohojë gjenocidin ndaj armenëve. Pastaj akoma shteti serb nuk e ka pranuar krimin e Srebrenicës dhe tenton me një këmbëngulje të pashoqe për ta mohojë një gjë të tillë.

Por edhe përkundër shumë vështirësive shumë popuj nuk kanë reshtur së punuari në ndriçimin e krimeve që janë bëra ndaj tyre. Duke u shërbyer me shumë shkenca si historinë, sociologjinë, shkencat politike, psikologjinë etj. duke mos lënë anash as fushat e artit në këtë aspekt, si: filmi, muzika, piktura etj.

Ne duhet të marrim si shembull organizmin e shtetit të Izraelit, një dëshmi e mirë për atë se çka duhet bërë për të ndriçuar krimet dhe gjenocidin, është populli hebre. Edhe pse ekziston një politikë e mohimit të Holokaustit edhe përkundër dëshmimit dhe argumentimit dhe ndriçimit të holokaustit. Izraelitët edhe tani pas 75 vjetëve nga kjo tragjedi nuk reshtin së dëshmuari për ato krime që kanë përjetuar. Pra kontributi i elitës hebraike në ndërtimin e kujtesës kolektive në nivel global për krimet që ka përjetuar populli i tyre është për admirim. Nuk duhet harruar edhe faktin tjetër se shteti izraelit ka bërë të pamundurën dhe thuajse që ka arritur plotësisht që eksponent kryesor të orkestrimit dhe ekzekutimi të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore t’i sjellin para drejtësisë.

E gjithë kjo në forma të ndryshme si përmes  veprave të mirëfillta shkencore, filmave, dokumentarëve, këngëve, pikturave, skulpturave, koleksionimin dhe prezantimin e fotografive në shumë galeri të botës, ndërtimin e muzeve ekskluzivisht për holokaustin, restaurimin dhe konservimin e gjithë atyre objekteve që kanë lidhshmëri me zhdukjen e hebrenjve.

Po ashtu armenët dhe boshnjakët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të treguar për gjenocidin që kanë përjetuar. Edhe pse jo në nivelin e shtetit izraelit.

Por ne si shoqëri çka kemi bërë në ketë drejtimi? Ne shqiptarët fatkeqësisht asgjë, as elitat, as institucionet tona më relevante shkencore dhe kulturore nuk kanë bërë punën e tyre në prezantimin e gjenocidit serb që është kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë 1998-1999, në arenën ndërkombëtare. Kjo amnezi kolektive që na ka përfshirë (fatkeqësisht na është përsëritur shpesh gjatë historisë), na kujton historianin francez Renan në esenë e tij të famshme “Çka është një komb?” ai shkruan se “…thelbi i një kombi është që të gjithë individët ( që përbëjnë atë) kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe, po ashtu, ata kanë harruar shumë gjwra..”[1] kjo e fundit është një defekt shoqëror që nuk të dërgon as gjëkundi.

Ne jemi pajtuar me një fakt të tillë, dhe nuk kemi bërë  asgjë në ndriçimin, demaskimin e kryerësve të këtyre krimeve( me përjashtim të ndonjë individi).  Akoma asnjë institucion i yni nuk ka bërë një punim me standarde të larta shkencore në gjuhë të huaj për 106 masakrat që ka përjetuar populli shqiptar gjatë luftës 1998-99. Akoma nuk është bërë ndonjë film me temë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve (serbët kanë bërë film me përmasa ndërkombëtare mbi “krimet” e UÇK-së), akoma nuk është bërë asnjë dokumentar etj. Pra siç e thotë Voltarire, Letters sur Oedipe: “Të gjallit i detyrohem respekt; por të vdekurit nuk i detyrohem gjë tjetër veç të vërtetën”.

Pra ne nuk kemi bërë asgjë  për të vërtetën e masakrave që ka përjetuar populli ynë. Ne kurrë nuk kemi me prosperuar në mesin e shoqërive përparimtare derisa pajtohemi me mohimin, heshtjen dhe durimin ndaj këtyre krimeve që kemi përjetuar. Heshtja jonë, mos puna jonë, mbi të gjitha amnezia jonë, i ka krijuar avantazh shtetit serb në politikën e jashtme. Ata me punën e pandërprerë pardoksalisht kanë arritur përkundër gjithë atyre masakrave, dhunimeve e vrasjeve të civilëve që kanë kryer ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, t’ia imponojnë bashkësisë ndërkombëtare krijimin e Gjykatës Speciale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Pastaj Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i cili ishte ministër për informim në kohën e Millosheviqit, është promovuar në arenën ndërkombëtare si njeri i paqes, edhe pse ishte një ndër njerëzit me përgjegjësi institucionale për gjenocidin serb. Në këtë fatkeqësi që kemi përjetuar kemi pasur mundësi që ta shfrytëzojmë për të dëshmuar sakrificën e popullit tonë për liri, si dhe  dehumanizimin e shtetit serb.

Hiç për asgjë tjetër, sikur edhe të mos ishin viktimat e gjenocidit serb fare shqiptarë, si qenie njerëzore do të duhej të dëshmohej për këto masakra. Për këtë shumë mirë e ka thënë në librin e tij “Mbetjet e Aushvicit”, Girogio Agamben: “Qeniet njerëzore janë njerëzore në atë shkallë sa ato durojnë të jenë dëshmitare të çnjerëzores”.

Nëse ne si shoqëri nuk bëjmë më shumë për këto maskara, përderisa ne nuk bëjmë asgjë për gjenocidin dhe kulturocidin që kemi përjetuar ne nuk bëjmë pjesë as të njerëzorja.

Prandaj historia fatkeqësisht përsëritet për ata të cilët nuk e mësojnë, por siç thuhet “historia herën parë paraqitet si tragjedi herën e dytë si komedi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Maia Sandu, një ish-ekonomiste e Bankës Botërore që mbështet lidhjet…