Kur gara për pushtet dobëson shtetin e Kosovës

25 tetor 2025 | 08:31

Shkruan: Ethem Çeku

Në një kohë kur bota po përballet me kriza të thella politike, ekonomike dhe morale, Kosova vazhdon të mbetet e mbyllur në vetvete. Në vend që të bashkohemi përballë sfidave të përbashkëta, ne vazhdojmë të jetojmë nën hijen e ndarjeve dhe rivaliteteve partiake. Pas zgjedhjeve lokale, pothuajse të gjitha partitë shpallën fitore, por në të vërtetë e vetmja që po humbet është Kosova. Fitoret komunale, në thelb, janë fitore të qytetarëve në nivel lokal, të njerëzve që punojnë për komunitetin e tyre dhe që kërkojnë ndryshim konkret në jetën e përditshme. Por në diskursin publik ato po përdoren shpesh për të mbuluar dështimet e politikës në nivel qendror, për të fshehur mungesën e vizionit shtetëror dhe paaftësinë për të ndërtuar institucione të qëndrueshme.

Në një kohë kur fuqitë botërore kërkojnë rrugë për paqe dhe stabilitet, ne në Kosovë ndërtojmë mure ndarëse brenda kombit tonë. Kjo gjendje e përhershme e konfliktit politik ka shndërruar energjinë krijuese të shoqërisë në energji negative, në inate, paragjykime dhe mungesë besimi. Disa parti politike në Kosovë e shohin veten si forca “emancipuese”, por shpesh janë bërë burim i ndasive që pengojnë zhvillimin institucional. Këto ndasi po e mbajnë peng Republikën tonë, duke dobësuar lidhjet me miqtë ndërkombëtarë dhe duke vonuar zhvillimin e brendshëm.

Por historia evropiane dëshmon se shoqëritë që kanë ditur të kalojnë përtej partive kanë arritur të ndërtojnë institucione të qëndrueshme dhe shtete funksionale.

Spanja: pas vdekjes së diktatorit Franco, ishin intelektualët, sindikatat, universitetet dhe mediat që ushtruan presion ndaj partive për të nënshkruar “Paktin e Moncloa-s”, një marrëveshje gjithëpërfshirëse që solli tranzicionin demokratik dhe stabilitetin institucional.

Polonia: lëvizja shoqërore Solidarność (Solidariteti), e drejtuar nga Lech Wałęsa dhe e mbështetur nga miliona punëtorë e intelektualë, detyroi qeverinë komuniste të hyjë në negociata të tryezës së rrumbullakët, që sollën zgjedhje të lira dhe lindjen e institucioneve demokratike.

Portugalia: pas Revolucionit të Karafilave, organizatat qytetare dhe grupet studentore ushtruan presion ndaj partive për të bashkëpunuar në ndërtimin e një sistemi parlamentar stabil, duke ndalur tentativat për përçarje ideologjike.

Italia: gjatë krizës së viteve 1992–1994, presioni i shoqërisë civile dhe mediave detyroi partitë të miratonin reforma të thella kundër korrupsionit dhe të rifillonin ndërtimin e institucioneve të reja demokratike.

Këto shembuj tregojnë se shoqëritë që zgjojnë vetëdijen qytetare dhe imponojnë dialogun mbi konfliktin arrijnë të prodhojnë institucione më të forta se ato që mbështeten vetëm në kompromiset politike.

Siç thoshte Vaclav Havel, “fuqia e së vërtetës është arma më e fortë e shoqërisë kundër vetëkënaqësisë politike.” Shoqëritë që heshtin, humbin; intelektualët që flasin me ndërgjegje, ringjallin kombin.

Në këtë dritë, edhe në Kosovë është koha që intelektualët, rinia, shoqëria civile dhe grupet e mendimit të bëhen forca e tretë – forca që kërkon nga partitë bashkëpunim, ndërtim institucionesh dhe përgjegjësi ndaj shtetit. Heshtja sot është bashkëfajësi morale.

Partitë politike shqiptare duhet ta kuptojnë se forca e tyre nuk matet me numrin e komunave të fituara, por me aftësinë për të ndërtuar institucione të besueshme dhe për të forcuar shtetin. Ndërsa figura të mëdha të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe vendeve mike mbrojnë me dinjitet luftën çlirimtare të UÇK-së, ne shpesh abuzojmë me lirinë që ata ndihmuan të fitohet, duke harruar mijëra burra e gra që ranë për çlirimin e Kosovës.

Brenda partive tona politike ka burra dhe gra që e ndiejnë përgjegjësinë ndaj atdheut dhe që mund të kapërcejnë egot e liderëve të tyre, duke e vënë interesin e Republikës mbi interesin personal. Pikërisht këta njerëz mund të bëhen ura të bashkimit, të ngrejnë frymën e shërbimit publik dhe të rivendosin moralin politik që po mungon.

Kosova nuk ka nevojë për fitore partiake, por për fitore institucionale. Për një frymë të re bashkëpunimi që e ngre Republikën mbi interesat e përkohshme. Historia nuk fal ata që humbin kohën në grindje, kur koha kërkon urtësi, vizion dhe dashuri për shtetin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e falënderoi Britaninë e Madhe…