Kur Kosova grryen vetëveten

26 nëntor 22:08

ERION MANOHASA

Seanca e fundit e parlamentit të Kosovës kushtuar votimit për anëtarësimin e saj në Interpol ishte një shembull i fuqishëm i egocentrizmit që ka kapluar politikën kosovare, në dhjetë vjetët e parë të shtetësisë. U panë deputetët e opozitës, por jo vetëm të saj, që me gjasë kanë udhëtuar shumë pak nëpër botë, dhe sillen me politikën botërore si me rivalitetin Drenicë-Dukagjin, që me kompetencë imagjinare për sfida globale, me qasje editorësh portalesh për fake news, që e trajtuan si dështim këtë votim. Po këta deputetë vendosën lehtësisht gishtin e fajësisë në një person të vetëm, ministrin e jashtëm.

E gjitha kjo shfaqje vetëdëmtuese, vetëshkatërruese ndodhi në një kontekst që imponon unitet : qoftë barra e fundit tarifore prej 100%, qoftë bisedimet me Serbinë, kërkojnë që gjithë partitë politike në Kosovë të jenë bashkë rreth një platforme, rreth një skenari që e forcon Kosovën dhe nuk e dobëson atë. Duhet forcim përballë Serbisë, por dhe globalisht.

Pse egocentrizëm ? Pse ishte i gabuar leximi i kritikëve për votimin e Kosovës në Asamblenë e Interpol-it ?

Kosova nuk është në qendër të vëmendjes së botës si mendojnë në Prishtinë

Për një pjesë të mirë të politikës, mediave vendore, Kosova është në qendër të vëmendjes së botës. Udhëheqësit e saj zgjohen dhe ngrysen duke diskutuar për Kosovën- mendojnë ky takëm. Për këta lloj politikanësh të parlamentit më të kontestuar në historinë e pluralizmit kosovar, kundërshtari, duhet sulmuar njëjtë si portalet bëjnë lajke : me fake news kryesisht. Pse jo dhe me sulme të personalizuara, të cilat shërbejnë dhe për gjoba, apo shantazh aq më tepër nëse ai disponon vende komode pune si rasti i ministrit të jashtëm.

Jo, Kosova nuk është në qendër të vëmendjes botërore. Ky nuk është rasti i saj dhe as ka qenë ndonjëherë me përjashtim të momenteve të konfliktit të 1999, dhe ky mentalitet, kjo qasje është tregues i papjekurisë ku lëngon politika e shtetit të ri vetëm dhjetë vjeç. E vërteta mjerisht është pak më e trishtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë axhendë tjetër prioritetesh, po ashtu dhe fuqitë e tjera të mëdha perëndimore. Ata e duan Kosovën të integrohet në bashkësinë ndërkombëtare, madje dhe në Interpol, por për këtë nuk harxhojnë gjithë energjitë, gjithë armët e tyre. Nëse do ta bënin, do rrisnin pazarin, sepse shtetet që do duhet të votonin pro Kosovës, të vogla, të varfra, nga të gjithë anët e globit, do i kërkonin diçka të madhe në këmbim : shtetit të madh, i kërkohet pazar i madh.

Së dyti, Serbia është shtet në fuqizim të ndjeshëm ndërkombëtar. E ka kapërcyer kompleksin e vendit që ka bërë gjithë luftërat genocidale në Ballkan në fund të shekullit të 20. Serbia është shtabi i përgjithshëm i investimeve kineze, turke në rajon dhe flirton rregullisht me Rusinë. Ky shtet ka burime korruptuese, ka instrumente për të blerë vota, favore, tregton armë, etj. Serbia është angazhuar në një operacion gjigand për të dobësuar Kosovën në negociatat e Brukselit, për t’ja ulur fuqinë negociale, e Kosova nuk i ka mjetet e Serbisë. Serbia nuk mund të lejojë që Kosova në Interpol të shpallë në kërkim udhëheqësit e ushtrisë dhe policisë së saj.

Së treti, që Kosova nuk i ka punët mirë ndërkombëtarisht kjo duket me një fakt të thjeshtë si është mosdhënia e liberalizimit të vizave, të premtuara pas votimit të demarkacionit me Malin e Zi. Liberalizimin e ka marrë Ukrahina, Moldavia, Gjeorgjia shtete të mëdha apo të përafërta me Kosovën, që mund të krijojnë probleme me emigracionin e tyre, me konflikte ndëretnike, por jo Kosova, e krijuar si shtet pikërisht nga Perëndimi, nga Bashkimi Europian. Imazhi ndërkombëtar i saj është aktualisht i dobët, pamjet e gazit lotsjellës në parlament, numri i madh i luftëtarëve të huaj, etj, etj, nuk janë vitrinë e mirë për një shtet të vogël në botën e madhe që ka telashe shumë. Kosova sot nuk ka një protektor të madh ndërkombëtar që e ndjek në gjithçka si e kishte Kroacia dikur Gjermaninë, e që madje e ka dhe sot. Mbështetjen e një fuqie të madhe duhet ta meritosh çdo ditë dhe mund ta shpërdorosh nëse gabon.

Kosova pra, u përplas me Serbinë pikërisht në një kontekst të tillë, që egocentrikët kosovarë nuk duan ta pranojnë dhe megjithatë mori më shumë vota se ajo !! Beteja për Interpolin, organizatë teknike drejtorësh policie që shkëmben informacione për të kërkuarit dhe gjurmët e gishtave të tyre, kësisoj u shndërrua në betejë politike, diplomatike, gjeopolitike. E vetmja cilësi diferenciale që kishte Kosova në këtë ballafaqim ishte ministri i saj i jashtëm, Behgjet Pacolli. Ai ka profil të lartë ndërkombëtar, ka rrjet miqsh burrështetasish ndërkombëtarë, ka një kompani globale që prodhon interesa në të gjithë pikat e rruzullit, dhe pikërisht këtë avantazh të Kosovës e sulmojnë serbët, dhe …opozita e vendit.

Leximi real i votimit në Interpol

I shndërruar në votim politik, rezultati i Interpol-it, nuk mund të ishte ndryshe. Bile mund të ishte dhe më keq. Vende të caktuara njohëse të Kosovës e lexuan si ishte : votim teknik dhe nuk u skuqën ndërsa abstenuan si favor për policinë serbe, apo shtetin serb- rasti i Hungarisë. Japonia thuhet se ka patur një qejfmbetje të caktuar ndaj Kosovës, ndaj dhe abstenoi. Emiratet abstenuan me gjasë pse udhëheqës të Kosovës janë pozicionuar publikisht për Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Por votimi për anëtarësimin në Interpol pati dhe pamje të tjera.

Rusia, vendi që konsiderohet se është protektori absolut i Serbisë (edhe nga egocentrikët kosovarë gjoja patriotë), në seancën e parë votoi pro shqyrtimit të kandidaturës së Kosovës, pra kundër Serbisë ! Takimi Thaçi-Putin, i cili me gjasë nuk u shfrytëzua mirë nga delegacioni kosovar, dhe votimi i ditës së parë, ishte thjesht tregues se Rusia ka qasje pragmatike edhe ndaj Kosovës, që mund të shërbejë si precedent për pranimin e Krimesë. Rusia ose ka dashur të krijojë monedhë shkëmbimi për kandidatin e vet në kryesimin e Interpol-it ditën e dytë të Asamblesë, ose ka dashur të masë forcat me SHBA-të, që kanë mbrojtur (por me gjasë jo vendosmërisht) kandidaturën e Kosovës.

Kosova mori votën pro të Kazakistanit, një vend ish pjesë e Bashkimit Sovjetik ku kompania e Pacollit punëson mijra shqiptarë dhe kryeqyteti Astana mban vulën e tij shqiptare.

Nigeria, vend i madh afrikan, për të cilin kritikët egocentrikë të Kosovës i kanë kërkuar prej kohësh Pacollit t’u sjellë notën verbale të njohjes, votoi pro Kosovës. Izraeli, Kenia, Uzbekistani, Vietnami, Sllovakia, Sejshellet, Mongolia, Taxhikistani, etj, abstenuan ndonëse janë vende jo njohëse. Do të mjaftonin këto dy vota pro, apo këto abstenime, që realistët politikë në Prishtinë të ishin entuziastë. Votimi në Interpol ku Kosova mori më shumë vota se Serbia ishte test për votimin në OKB. Kosova tregoi se potencialisht mund të marrë vota dhe nga vende që dikujt në Prishtinë nuk i shkon mendja, ose janë vota që pasi i sjell Pacolli, më mirë nuk duan t’i kenë.

Epo atëherë kush krijoi këtë disponim pro Kosovës, që duket tek vendet abstenuese ? Delegacioni lobues i parlamentit të Kosovës ? As që mund të mendohet. Dikush prej delegacionit, pjesë e opozitës udhëtoi në Laos dhe Kamboxhia dhe pas udhëtimit të pasuksesshëm nga nuk solli vota, i kërkoi llogari Pacollit si dështues ? Jo, në këtë rezultat pozitiv, diferencën e ka bërë pikërisht ministri i jashtëm dhe mbështetja në një përmasë të caktuar e fuqive të mëdha perëndimore.

Çfarë është ministri i jashtëm i një vendi si Kosova ?

Ministri i jashtëm i një vendi si Kosova është shef i marketingut të shtetit, nëse mund ta quajmë kështu, dhe për fat të mirë ai ka studiuar marketing, është ndërmarrës ndërkombëtar, si thonë me përbuzje socialistët apo socialdemokratët në parlamentin e Kosovës, të shndërruar në proamerikanë nga zori. Si mund të shesë shtrenjtë shefi i marketingut një mall problematik si Kosova me pamjet unike botërisht të parlamentit me gaz lotsjellës të hedhur pikërisht nga kritikët e ministrit, apo me numrin më të madh të luftëtarëve të huaj për kokë banori ? Sot diplomacia është ekonomi, është transaksion, diplomacia është pazar interesash, dhe ato i luan mirë shteti kundërshtar, Serbia. E pse Kosova duhet të heqë dorë pikërisht nga njeriu që i di interesat, i interpreton drejt ato, që ka firmosur mijëra kontrata, pra di të negociojë dhe në nivele të larta? Dhe diçka tjetër. Kosova po dialogon me Serbinë, në një proces themeltar që ngjan më i rëndësishmi pas shpalljes së pavarësisë. Kjo marrëveshje mund të jetë më e mira nwse Kosova kupton se nuk flitet vetëm për territor, por dhe për ekonomi. Më në fund, çdo marrëveshje, edhe më e mira për Kosovën, do duhet të sjellë pranimin e saj në OKB, pra do duhet të marrë miratimin e Rusisë. Kush do të komunikojë me Rusinë ?

Në sulmin autolezionist apo vetëdëmtues të parlamentit ndaj Pacollit, me siguri ka patur njerëz brenda qeverisë që kanë fërkuar duart. Edhe kjo është dritëshkurtësi tipike e egocentrikëve, që nuk shohin përtej hundës së tyre. Mjerisht e gjitha kjo ndodh kur Kosova duhet të shohë jo thjesht përtej hundës, apo thjesht në oborrin e vet, por shumë larg, që të bindë botën, se është shtet serioz, funksional dhe që meriton të integrohet. Nëse ka dështim të Kosovës nInterpol, do mund të quhet pamundësia që të sillte në sallë një numër të caktuar vendesh që e njohin atë. Po pse nuk u angazhuan për këtë qëllim, relativisht të lehtë, anëtarët e tjerë të delegacionit, të lobistëve të shquar të Kosovës ? Kësisoj, nëse Kosova do ja kishte dalë mbanë, mund t’ja merrnin suksesin ministrit të jashtëm, ndërsa tani, fërkojnë duart që ai tregohet me gisht si dështues ! Për suksesin rregullisht ka shumë baballarë, kurse për të ashtuquajturin dështim, ata janë fshehur dhe duartrokasin egocentrikët sulmues që po e dëmtojnë njëlloj Kosovën. Sulmuesit janë duam nuk duam në unison me Serbinë, madje. Në një skenë të tillë politike, nuk gjendet asnjë magjistar marketingu që ta shesë botërisht Kosovën. Situata ngjan e vështirë, por jo e pashpresë./ panorama.com.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,…