Kur premtimet shndërrohen në zhgënjim varfëria dhe ikjet nga vendi shtohen

21 janar 2022 | 11:46

Shkruan: Hajdin Abazi

Një miku im më tha “je bërë si shumë skeptik!”. E vërtetë, dhe kushdo që ka përcjellë shkrimet e mia prej gushtit 2021 e ka të qartë se unë kam shprehur shumë kritika dhe kam artikuluar një skepticizëm të bazuar për pushtetin e “trinisë+” të Kryeministrit A. Kurti, Kryekuvendarit G. Konjufca, Presidentes V. Osmani-Sadriu, dy zëvendëskryeministrave D.G. Schwarz dhe B. Bislimi. Ky skepticizëm derivohet nga veprimet e padrejta të bëra publikisht, por edhe në heshtje, nga nomenklatura e 14 shkurtit 2021. Njëherë, në vitin 2008, si deputet e kam pas thënë se “nuk ekziston shkopi magjik” për ta ndryshuar gjendjen sipas vullnetit politik e dëshirave të njerëzve, dhe këtë bindje e kam edhe sot, dhe skepticizmi nuk ka të bëjë me mosgjetjen e shkopit inekzistues magjik, por me mosveprimet që njëmend sjellin përmirësim dhe ngritje kualitative dhe me mungesën e projeksioneve konkrete, ashtu sikurse ishin, fjala vjen, në vitin e shpalljes së pavarësisë projeksionet e autostradave.

Me e bërë të qeveritë e tjera shtetin, i cili megjithatë le shumë për të dëshiruar sidomos në raport me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale, dhe me dalë me thënë se asgjë nuk është bërë mirë në Kosovë nga paslufta nuk do mend se është e lehtë dhe e besueshme sidomos në një rrethanë kur ka pakënaqësi për shkaqe që determinohen nga faktorë të pakontrollueshëm, porse me e ndryshua gjendjen, në kuptimin e përmirësimit në fushat e lartëcekura, është tepër e vështirë sa që duket si e pamundur, thua se ke kapur një djall për brirësh që kurrsesi nuk mund ta bësh të ecën andej nga do të duhej të shkonte. Kjo, pak a shumë, e karakterizon pushtetin e “trinisë+” qe thuaja një vit, dhe ajo po e sheh se kur je në opozitë mund t’i japësh gjuhës si të duash (ani se opozita e tashme po e kursen mjaft dhe madje edhe e ka mbështet në veprimet kundrejt Serbisë gjë që “trinia+”  kurrë nuk e ka bërë të njëjtën sjellje politike kur ishte në opozitë), por me e ndryshua realitetin për të mirë është proces kompleks sidomos në rrethanat e Kosovës, dhe hapat bëhen aq ngadalë sa nihilistët mund as të mos e vënë re se po bëhet diçka e mirë! Me nihilizën politik erdhi kjo “trini+” në pushtet, dhe me premtime aq të mëdha sa dukej sikur befas u shfaqën shpëtimtarët, ata që janë më vizionarë se të gjithë të tjerët dhe se do ta shpëtojnë vendin e do ta bëjnë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien realitet.

Ç’është e vërteta, “trinia+” u tregua tepër azhure, duke vepruar me një dinamikë të paparë deri më tash në kapjen e funksioneve. Turri i saj për të larguar nga postet kudo dhe kenddo që kishte mandat ligjor, u trumbetua si frymë e re, veç sa nuk u tha revolucionare, për të ndryshuar funksionimin e institucioneve, e në të vërtetë krejt kjo u bë për të hapë vende pune për lojalët e tyre, ashtu që ata të ktheheshin në zbatues të frymës së “trinisë+”. Ndonëse ka dhe borde të tjera të emëruar nga “trinia+”  që kanë vepruar ngjashëm, publik u bë me pompozitet vendimi i Bordit të RTK, bord ky i zgjedhur së voni, që e shkarkoi drejtorin e përgjithshëm më një sërë akuzash, në frymën e kritikave nihiliste të “trinisë+” dhe thua se dora e njërit nga ta i ka shkruar, por që më kujtonin akuzat edhe më herët po sidomos ato pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ku diferencoheshin, shkarkoheshin e largoheshin nga postet njerëzit jo-lojalë ndaj pushtetit. Pushteti është paq, sepse shkarimin e ka bëre Bordi! Ky është marifet i pushtetarëve autoritarë, të cilin e ka përjetuar një pjesë e madhe e popullit tone në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Këtë veprim të Bordit të RTK-së mundet ta mbrojë nesër “trinia+” ashtu sikurse e mbrojti Kryeministri Kurti menaxhmentin e KEK-ut (“nuk ra menaxhmenti po ka ra turbina”), që ai e kishte emëruar, ani se Kosova u godit nga një prej krizave më të rënda të pasluftës dhjetë vite pasi që ishte tejkaluar ndërprerja e rrymës. Me këtë Kryeministri tregoi se nuk i sheh me sy kritikë ata që i ka emëruar vetë, madje e shfrytëzoi si rast për të thënë se (si për gjithçka të keqe, e veç të këqia dhe asgjë të mirë nuk ka bërë askush nga paslufta) për krizën e tashme energjetike dhe për rritjen e tashme të çmimeve faji u takon qeverive të 20 vjetëve të shkuara. Qeveria Kurti 2 ishte e paralajmëruar gjashtë muaj para krizës energjetike, por ajo nuk kishte vepruar si disa vende të rajonit për të siguruar blerje të rrymës më herët dhe me çmim më të volitshëm se sa që blihet kur të shpërthen kriza. Këtej lind pyetja se a ishte kjo neglizhencë, papërvojë apo kishte ndonjë skenar tjetër, por që është zor të dihet me saktësi.

Kriza energjetike po godet qytetarët, ata do ta bartin mbi supe barrën financiare. Dhe kjo do ta godasë standardin e jetesës, të cilin, asnjë fjalë ngushëlluese ose hedhje fajit te të tjerët, nuk ia lehtëson, po e bën të mbushet mllef e pakënaqësi, pasi që ai do të vazhdojë të varfërohet, ndërkohë që disa vazhdojnë të pasurohen, do të vazhdojë të jetojë edhe më keq. Dhe qytetari ka filluar ta ndjejë, pasi që kjo krizë gjeneron rritje çmimesh të prodhimeve të tjera. Janë rritë çmimet e ushqimit si konsum i përditshëm, të derivateve, veshmbathjes, tarifave të taksive, barnave, shërbimet e gjithçka tjetër. Ndërkohë, rriten çmimet por jo pagat, dhe këtë e ndjen në buxhetin edhe ashtu të lodhur qytetari, gjë që asnjë demagogji nuk ia mbush mendjen ndryshe.

Këto janë dështime të cilat po i fundosin edhe më qytetarët, ata që besuan shpresën që e ofroi kjo nomenklaturë e “trinisë+”. Në fund të ditës, kjo është fatura që e paguajnë qytetarët e që ua përkeqëson gjendjen edhe ashtu të rëndë, dhe këtë nuk ia lehtëson asgjë, madje as përshkallëzimi i problemeve me karakter politik.

Në mjerimin që po i trokiste në sofër u shua gloria e moslejimit të “trinisë+” të  mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë. Opozita, në mbrojtje të sovranitetit, e dha mbështetjen për zbatimin e obligimit kushtetues. Show patriotik kishte për objektiv të mbulonte obskurantizmin politik, që, sikurse u tha, për dy muaj nuk i kishte kthyer përgjigje OSBE, veprim ky që ka mundur t’u çojë sinjale të gabuara vendeve të Quintit nga moskomunikimi bashkërendues me kohë, ose ndonjë gjë tjetër që koha mund ta tregojë. Ajo që mua më la shije jo të mirë, është moskomunikimi paraprakisht me vendet e Quintit e sidomos me SHBA-në, mosparalajmërimi miqësisht i tyre dhe, sidomos, mos bashkërendimi gjeostrategjik në rajon, gjë që ua kemi borxh SHBA dhe vendeve të Quintit.

Qytetarët nuk u ngazëllyen me moslejimin e referendumit të Serbisë, mund të jenë ndikuar edhe një faktor tjetër si ai i rënies së besueshmërisë ndaj pushtetit të “trinisë+”, si rrjedhojë e verpimit për reciprocitetin lidhur me tragat, i cili u bë me aq pompozitet sa i madh e i vogël u ndjenë të gatshëm të luftonin për të mbrojtur sovranitetin në shtator 2021, e ndërkohë ka plot vetura pa stikersa në veri të Kosovës, që domethënë se reciprociteti i targave ka ngelur në letër dhe nuk po zbatohet me rigorozitetin që duhet. E po ashtu, veprimi i “trinisë+” pa bashkërendim me SHBA-në e vendet e Quintit, nuk i arriti t’i neutralizojë eliminimet politike dhe imazhin e keq korruptiv në nivel komunal të LVV.

Për gjithçka, sigurisht, gishti u drejtohet qeverive të 20 vjetëve të shkuara. Pa fije dyshimi, i ka mëkatet e veta secila qeveri deri më sot, por si ndodhi që asnjëherë asnjë punë e mirë nuk qenka bërë e megjithatë është bërë një farë shteti, i kemi ngritur dofarë institucionesh, e kemi ndërtuar një polici që dikur shahej e tash lavdërohet, është konstituuar një ushtri e Kosovës e shumë të tjera. Gjithsesi, këto janë rezultate konkrete, duke qenë zbatim i Kushtetutës dhe ndërtimit të sistemit. Të gjitha këto i gjeti “trinia+”. Dhe ajo erdhi me premtimin e jashtëzakonshëm se do t’i bënte më të mira këto dhe vetë shtetin dhe jetën e qytetarëve. Kritikat ndaj së kaluarës do të kishin vlerë aty ku pasohet me zgjidhje, por aty ku bëhet gjendja edhe më e keqe – kritika mbetet një klithje. Dhe kjo nuk u bën përshtypje qytetarëve, sepse ata reflektojnë: prandaj ne i larguam me votë nomenklaturat e vjetra, e ju vendosëm juve në pushtet me mbi 50%, jo që të vajtoni e t’i bëni punët edhe më keq, por të na zgjidhni problemet se keni premtuar se ju do të jeni më të mirë! Dhe kriza energjetike, që po shkakton shtrenjtim të jetesës përmes rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të të gjitha llojeve, nxori lakuriq faktin se nuk u treguat “barinj të mirë” siç keni thënë se do të jeni. Të mirat e juve gjithnjë mbeten vetëm premtime, për një të ardhme të padefinuar, kurse efektet e këqia, si varfëria dhe mjerimi në rritje, janë të tashme, aktuale, konkrete, të sotme për ditët, javët, muajt e vitet në vazhdim. Prandaj, si edhe më parë, edhe tash dhjetëra mijëra të rinj e të papunë ia kanë mësyrë ambasadave të huaja per viza pune, sepse nuk shohin asnje perspektive më të mirë, pasi që qe një vit nuk keni asnjë projeksion kalendarik që të tregojë kur do të nis përmirësimi e nëse nuk e keni bërë një projeksion pvr një vit duket e pabesueshme se do të bvni dicka të mirë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Manipulimi me statistikat mund të demonstrojnë aftësi interpreruese, por ato nuk i ndryshojnë faktet as sa i përket (rënies së) bizneseve, as sa i përket rritjes së (pa)punësimit, as për zhvillimin gjoja dyshifror ekonomik kur FMN tregoi se (fatkeqësisht) ende mbetet njëshifror. Këto mund të jenë akrobacione logjike, ose gjëegjëza, që t’u hidhen si rebuse deputetëve dembelë, por nuk pinë ujë te qytetari meqë nuk e ndryshojnë realitetin, faktet, të dhënat dhe gjendjen e tyre në përkeqësim të vazhdueshëm edhe gjatë vitit që shkoi.

Thjesht, “trinia+” ndryshon nga të tjerët në mospërmbajtjen dhe revanin për të kapur mekanizmat e shtetit tonë të brishtë demokratik si agjensionet e bordet, për të goditur në institucione ata që nuk punojnë sipas interesave të ngushta të pushtetarëve po sipas ligjeve, ata që ligjet nuk i interpretojnë sipas koncepteve tuaja, por nuk keni ndryshuar për të mirë asgjë nga të tjerët e madje në disa aspekte jeni edhe më të këqinj, e e dukshme kjo po bëhet në raport me qytetarët, pasi që jeta e tyre po bëhet edhe më e rëndë se ç’ishte.

Të gjitha këto që i parashtrova deri këtu, ndonëse tepër të përgjithësuara, besoj se tregojnë se kam arsye të qëndrueshme të jem skeptik, sepse po shoh se gjërat që janë premtuar se do t’i bëjnë mirë nuk po i bëjnë aspak mirë. Ndaj dhe po e vëj theksin tek to, sepse një qeveri zgjedhet për të punuar mirë, dhe duhet kritikuar fuqishëm kur nuk ponon mirë. E unë këtë po përpiqem ta bëj, ani se, në thelb, unë jam optimist, sepse besoj në ideal, dhe kurrë, për rreth tridhjet vjet të jetës sime, nuk kam qenë skeptik në besimin tim për çlirim, për liri dhe shpallje të pavarësisë, madje as kur kam mundur ta paguaj me jetë dhe jam ndjekur e përndjekur. Tash jam skeptik, gjithsesi, vetëm për sa i përket mospunës, kur premtohet ndryshe e veprohet ndryshe. T’i mbyllësh sytë para këtyre dështimeve nuk është optimizëm, përkunrazi është (vetë)mashtrim, (vetë)iluzion dhe (vetë) hipnotizim me besim të rremë për mos të shquar realitetin e mjerueshëm.

Unë dëshiroj të jem krejt i gabuar në ato që i shkruaj. Sepse, askush nuk e pëson nëse unë e kam gabim. Ashtu sikurse kur opozita gabon, ajo mbetet një qasje opozitare, zakonisht konsiderohet si retorikë, si kundërshtim për të fituar poena politik në opinion, e që jo gjitherë ia arrin. Kurse me pushtetin është ndryshe: kur ai gabon ato janë gabime të rënda, largohen njerëz nga puna, shkaktohen kriza, rritje çmimesh e këto sjellin rritje varfërimi e mjerimi, të cilat shkatojnë pezm te qytetarët. Gabimet e qeverisë kanë konsekuenca të drejtpërdrejta por edhe afatgjata koston e të cilave e paguajnë brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur sot një konferencë…