Kur sëmuret mjeku

13 gusht 2020 | 13:01

AZIZ MUSTAFA

 

  1. (Kur sëmuret mjeku)

Dr. Xhemili u përmend nga dremitja. U ngre, shkoi në banjë dhe u kthye me buzëqeshjen e ngrohtë në fytyrë.

“Si po të duket Japonia?” – më pyeti.

“E bukur, e pastër, e rregullt” – u përgjigja.

Pastaj biseda u soll rreth gjërave të parëndësishme, por në ajër patjetër sillej hija e burgosjes sime. Edhe pse dr. Xhemili, një erudit dhe profesionist i shkëlqyer, por edhe njeri, nuk më pyeti drejtpërsëdrejti, por duke ma treguar tregimin e jetës së vet, më ngushëllonte e më përkrahte.

“E di se unë kam qenë i sëmurë me meningjit?” – më pyeti.

“Kam dëgjuar diçka, por nuk e di si ka qenë puna. Ma trego, të lutem!”

“Ja, po ta tregoj – filloi dr. Xhemili me qetësinë dhe butësinë e admirueshme të zërit dhe të karakterit. – Ka qenë korrik. Edhe një muaj bëhen fiks njëzet vjet. Isha mjek i përgjithshëm në Qendrën Emergjente të Edirnes. Kisha dy vjet që punoja mjek i përgjithshëm dhe prisja ta mbushja stazhin e nevojshëm e të konkurroja për specializim.

Asokohe, para se të sëmuresha, kisha një vizion tjetër për veten, për familjen, për punën, për botën… një burrë njëzet e tetë vjeç, baba i një djali dhjetë muajsh, bashkëshort i një studenteje në vitin e fundit të studimeve të logopedisë, mendoja se isha në fillim të një rruge plot dritë e që fundi s’shihej asgjëkund. Nuk e shihja unë.

Punoja shumë, pa kontroll. Ishte koha e pushimeve dhe gjysma e kolegëve ishte në pushime. Orët e punës së natës paguheshin më tepër. Nusja ende ishte pa punë. Ajo kujdesej për djalin dhe përpiqej të mësonte për provimet e fakultetit kur djali flinte.

Dëshpëroheshim për disa lira më shumë kur rroga ime përgjysmohej nga kreditë që kisha marrë për t’i kryer studimet. Prindërit mezi mbaheshin me një pension të babait, motrat ishin martuar dhe unë nuk kisha kurrfarë ndihme pos dy duarve të mia.

Punoja nga njëzet e katër orë, pastaj pushoja njëzet e katër të tjera dhe kështu me radhë, për dy javë të plota, deri në ditën e fundit të korrikut.

Nuk e harroj kurrë. Kanë kaluar njëzet vjet dhe secila orë dhe secili çast i asaj dite më kujtohen shumë qartë”.

Derisa ai po i tregonte këto mua m’u kujtua secila goditje që i jepja Demirit, po ashtu reagimi, sharjet dhe britmat e tij. Më kujtohej frymëmarrja ime, secila e rrahur e zemrës dhe të gjitha hollësitë në ato çaste sepse i kisha sjellë e risjellë në mendje me qindra herë gjatë netëve në burg.

Dr. Xhemili vazhdoi rrëfimin.

“Isha në ndërrim të ditës. Nga ora shtatë në mëngjes deri në shtatë në mbrëmje. Bënte vapë dhe flladitëset bënin pak punë. Shpesh shkoja në dhomën e mjekëve, i pastroja dhe i freskoja fytyrën dhe kokën. Flokët e gjatë kaçurrele po më kallnin. Doja që, sapo ta kryeja ndërrimin e punës, të shkoja deri te berberi i lagjes e të qethesha, pastaj të shkoja në shtëpi dhe, pas tushit, të flija pa më plasur për asgjë deri të nesërmen. Në pushimin e drekës hëngra bukë, por nuk munda të dremitja si zakonisht në shtëpi. Mjekja që punonim bashkë në ndërrim ishte më e re dhe më e papërvojë se unë. Ishte në muajin e parë të punës, prandaj te rastet më të rënda duhej t’i ndihmoja ani pse e kishim të ndarë kohën e punës në pjesë të barabarta. Kisha një lodhje që më kishte hyrë në asht. Më vonë pata lexuar për shprehjen e stërlodhjes, së cilës anglezët i thoshin “burnout”, turqisht nuk dija si ta përktheja. Molisje, lodhje në palcë, në asht, stërlodhje. Mezi prisja të mbaroja punë e të shkoja të shtrihesha në shtëpi. As flokët s’do të shkoja t’i prisja.

Në orën e fundit të orarit, rreth orës gjashtë të mbrëmjes, telefonoi kolegu që më ndërronte, dr. Fatihu, Fati e thërrisnim ne. M’u lut ta vazhdoja ndërrimin edhe nja një orë, të shumtën një orë e gjysmë, sepse nuk mund të vinte. Kishte një mbledhje me rëndësi në degën e partisë ku ishte nënkryetar dhe se nuk bënte assesi të mos shkonte. Më betohej se do në ma kompensonte kur më duhej më së shumti. Pranova, edhe pse i tregova se sot isha më i lodhur se kurrë tjetër. Pikërisht dy orët e para të ndërrimit të natës ishin më të ngarkuarat. Vinin burrat nga puna, shihnin fëmijët me temperaturë dhe i sillnin te mjeku, apo me kollë a barkqitje. I sillnin pleqtë që u ngrihej tensioni apo që ndienin dhembje në gjoks, dhembje koke e gjithçka tjetër. Je mjek vetë dhe e di”.

Pohova me kokë.

“Jo një orë e gjysmë, por dy të plota u vonua dr. Fatihu. Hyri në ordinancë me plot energji, duke më falënderuar dhe puthur në të dyja faqet. Unë s’kisha nevojë për puthjet e tij. Unë kisha nevojë vetëm për pushim. Një dhembje e fortë koke më hante.

  • Kam dhembje të madhe koke, Fat – i thashë.
  • Pije një aspirinë e fli, se do të të kalojë, se nga lodhja e ke. Ma bëj hallall, vëllai im!

Shkova në shtëpi. Berberin e harrova. Mezi bëra dush, e piva një aspirinë me vitaminë C dhe u shtriva të fle. Nuk kam fjetur gjysmë ore, kur u zgjova me një dhembje të padurueshme koke dhe me mundim. Më villej dhe, gati sa s’volla në shtrat. Mezi mbërrita në banjë. Volla shumë, sa desh i nxora zorrët përjashta. Kisha pasur edhe raste të tjera si kjo: një lloj migrene si dikur nëna ime, tashmë e ndjerë. Më dhembte koka, më villej edhe herë të tjera por, sapo villja, çlirohesha, pastaj flija dhe zgjohesha si të mos kisha pasur asgjë. Këtë herë, pasi volla, s’u përmirësova. Piva edhe një aspirinë tjetër sepse e dija se e kisha vjellë para se të më shkonte në gjak, por dhembja nuk m’u fashit. I kërkova nuses një shall që të lidhja rreth kokës sepse kisha përshtypjen se, nëse do ta shtrëngoja mirë, do të më ndalej dhembja. Përshtypje e gabuar. Dhimbja nuk m’u ndal. Volla edhe një herë. Kur volla për herë të tretë e dhembja nuk m’u ndal hiç, e kuptova se nuk e kisha punën mirë”.

 

  1. (Nata e parë në spital)

Nusja po çmendej nga meraku.

– T’i thërras prindërit – më tha.

Prindërit e mi jetonin pesë kilometra në periferi, në shtëpinë tonë të familjes. Unë isha në banesën që kishim blerë kur isha martuar e punësuar.

– Jo, mos i thirr. Në këtë orë të vonë, po të marrin vesh se jam sëmurë, do të pësojnë infarkt – i thashë.

  • Po si t’ia bëjmë?
  • Po i thërras kolegët e punës e vijnë më marrin.
  • Po unë, të çmendem këtu?
  • Jo, thirre motrën tënde të rrijë me ty dhe djalin – i thashë dhe e shtypa në telefon numrin e punës.

Ambulanca, po e njëjta me të cilën shkoja nëpër urgjenca nëpër Edirne dhe në periferi, erdhi e më mori në shtëpi. Nusen e lashë me lot në sy. Ishte ora njëmbëdhjetë e natës. Vapa ende ndihej në asfalt. Shaminë që e mbaja në kokë, e shtrëngova edhe më shumë, se më dukej se do të më ndahej koka përgjysmë.

  • Për ku doktor efendi? – më pyeti shofer Asllani.
  • Në spital të qytetit, Asllan abej.
  • Si urdhëron, doktor efendi – kështu më thoshte përherë Asllani.

Në njëmbëdhjetë e gjysmë mbërritëm në repartin e pranimit të Spitalit Sulltan Murati i Parë, rruga “Havllaciuoglu”. Këtu kisha bërë stazhin dhe njihja gati të gjithë stafin. Tekniku që ishte me mua më vendosi në një shtrat dhe më shtyu deri te dhoma e pranimit. Në pritore kishte mjaft njerëz, por tekniku hyri dhe i tregoi njërit prej mjekëve se kush isha dhe si e kisha punën. Tekniku më futi në dhomën e kontrollit. Mjeku që më kontrolloi ishte internist i ri me të cilin nuk njiheshim. Më kontrolloi me kujdes, nga koka deri te këmbët sipas librit të propedeutikës. Dukej se ishte shumë i kujdesshëm. Kur më shikoi fytin me dritë, bëri:

– Uh, doktor, plot qelb bajamet i paske! Anginë lakunare dhe filloi të shkruante në kartelë.

– Doktor Nazim… – iu drejtova pasi ia lexova emrin në kartën që mbante varur në xhaketë. – Dr. Nazim, më dëgjo të lutem. Shumë shpesh kam pasur angina, prej që mbaj mend kam pasur angina, dy deri tri herë çdo vit, por në këso gjendje nuk kam qenë kurrë.

– Po si po mendoni ju, koleg i nderuar?

– Me dhembjet dhe të vjellat që kam, unë mendoj se jam me meningjit – i thashë me zë të mekur.

– Jo, dr. Xhemil. Unë nuk mendoj ashtu. Angina jep të vjella dhe dhembje koke dhe dhembje në të gjithë trupin – ma ktheu ai.

– Më fal, koleg i dashur, por unë e njoh organizmin tim. Vetë jam mjek. Po të them se me dhjetëra herë kam pasur angina lakunare, por nuk kam qenë kurrë në këtë gjendje. Unë kam meningjit. Të lutem më jep terapi për meningjit, ose vetëm më udhëzo në repartin e Infektologjisë – e luta unë.

– Koleg, me gjithë respektin për ju, nuk mund të procedoj sipas kërkesës suaj. Respekti-respekt, puna-punë. Ju duhet të shtriheni në Repartin e ORL-së, terapinë jua shkrova, por edhe mjeku kujdestar do ta rishikojë terapinë. Tani më falni, se kam raste të tjera duke pritur. Si mjek që jeni, ju morëm pa radhë – tha dhe ma zgjati dorën.

Nuk fola më asgjë. Çfarë të thosha. Ai ishte përgjegjësi për shëndetin tim. Unë kisha shkuar tek ai. Nuk kishte ardhur ai tek unë. Mezi ia shtrëngova dorën dhe i thashë teknikut të më shoqëronte deri te reparti.

Kjo ishte nata ime e parë në spital.

Në repart më pritën shumë ngrohtë. Ende nuk e dija se aty do ta filloja stazhin e specializimit pas disa muajsh. Edhe mjeku specializant, kolegu im i nderuar dr. Nexhati, edhe infermieret, asnjë minutë nuk më lanë vetëm. Mora infuzion me antibiotikë cefriakson dhe analgjetikë, por dhembjet e kokës nuk më pushuan. Ma dhanë telefonin ta thërrisja nusen. E gënjeva se isha më mirë.

Anginë, – i thashë. – Sa të shërohem do t’i heq bajamet. Edhe dr. Nexhati këtë gjë ma tha. Bile më premtoi se do të intervenonte te shefi i repartit të më bënin një termin sa më shpejt – i thashë nuses.

Por në vete nuk e hoqa asnjëherë mendimin se kisha meningjit. Edhe dr. Nexhatit ia thashë, pos as ai nuk e konsideroi të mundur. Por, më premtoi se nesër herët, në mëngjes, do të thërriste një mjek infektolog të më bënte një punkcion lumbal. S’do të shkonte në shtëpi pa më bindur se nuk kisha meningjit.

Ajo natë në spital ishte nata më e gjatë e jetës sime. Të vjellat m’u ndalën pas ineksioneve metoklopramid, por dhembjet e kokës shumë pak. Sa të mund të bëja një gjumë plot makthe. Tërë nata më shkoi me ëndrra të tmerrshme. Po shkoja në Indi në një seminar dhe dilnim në shëtitje në një fushë prapa spitalit, kur një tigër kapërcente gardhin dhe më sulej. Unë ikja, ai më ndiqte dhe, në çastin kur dhëmbët e tij nguleshin në mishin tim, më dilte gjumi.

Një tjetër ëndërr pashë sikur në shtëpinë e lindjes, derisa po lëvroja kopshtin, një grumbull gjarpërinjsh dolën nga toka dhe m’u kapën për këmbë. Kur më kafshonin zgjohesha duke klithur. Ëndrrat, secila më e tmerrshme se tjetra, ndërroheshin si episode të një opere sapuni. Dikur vonë, rreth orës katër, kisha fjetur pak. Kisha folur jerm tërë natën. Kisha bërtitur dhe isha trembur në gjumë shpeshherë. Kisha lënë edhe amanet. Infermierja Xhemile, e cila ishte kujdesur për mua, më tregoi në mëngjes se kisha lënë amanet që nusja të martohej nëse vdisja unë, kurse djalin të ma rriste motra, se vëlla tjetër nuk kam.

  1. (Gabim pas gabimi)

Bashkudhëtari im po vazhdonte të tregonte duke shikuar përjashta fushat e gjelbëruara japoneze.

“Dr. Nexhati e mbajti fjalën. Pra, para se ta kryente ndërrimin, e thirri një mjek specialist infektolog nga Reparti Infektiv dhe ai erdhi e më bëri një punkcion lumbal. O Zot sa më dhembi! Ma shkrumboi midisin gjilpëra e madhe teksa futej midis unazave. Por, duke ditur se ishte e domosdoshme, e përballova.

Pas dy orëve doli rezultati. Kisha dy mijë e ca qeliza polimorfonukleare. Edhe proteina e sheqer në lëngun cerebrospinal që, përkthyer në gjuhën e popullit, do të thotë se kisha meningjit. Dy kolegët e mi, dr. Nazimi në Pranim dhe dr. Nexhati në Repart, kishin gabuar. Mjeku infektolog, dr. Tosun, më rekomandoi të kaloja në repartin e tij. Ashtu bëra.

Terapia me manitol, antibiotikë dhe deksazon m’i qetësoi të tëra simptomat. Për pak çaste m’u duk se u shërova tërësisht. Por, edhe në repart u bë një gabim. Dr. Tosuni më pranoi, por që atë ditë ai kishte qenë kujdestar, ndërkohë shkoi në pushim vjetor. Repartin, në mungesë të tij, e udhëhiqte dr. Zejneb, një mjeke e vjetër para pensionimit. Ishte shumë e këndshme dhe e ëmbël nga goja, por nga profesioni, si dukej, nuk ia thoshte aq. Për mua nuk është mirë të flas kështu, por më shumë e më mirë se unë flasin faktet. Ajo thirri në repart një mjeke pulmologe, një mikeshën e vet, të më auskultonte, e cila dyshoi menjëherë se ndryshimet që shihte në rëntgen dhe auskultimi, ishin mjaft dyshues për tuberkuloz, kështu që ishte e mundur që unë të kisha meningjit tuberkular. O Zot, edhe kjo më duhej! Ti doktor Levent e di cila është forma më e rëndë e meningjitit, e cila rrallë kalon pa pasoja të rënda. U shqetësova shumë, por derisa nuk kisha simptoma të komplikimit, duhej të isha i kënaqur.

E pranova fatin tim.

E pranova terapinë: katër lloje antituberkulotikësh, sipas protokollit, për një vit rresht. Mes tyre edhe një rifampicinë që e shndërronte urinën në lëng portokalli. Shkova në banjë të urinoja dhe currili që doli më frikësoi shumë: nuk po urinoja, por po nxirrja lëng portokalli nga kanalet urinare. I tregova doktoreshës, por ajo më qetësoi duke më treguar se ky ndërrim i ngjyrës së urinës është normal dhe se të gjithë pacientët që marrin rifampicinë, urinojnë kështu, si xhus portokalli. Vakia e Zotit.

Kaloi java e parë në spital. Edhe pse repart infektiv, vizitat ishin të shumta, me masa të rrepta mbrojtjeje. Duke pasur parasysh faktin se isha mjek, m’i lejuan prindërit dhe gruan të vinin kohë pas kohe. Bile nusen e linin më gjatë. Sapo vente në gjumë djalin dhe linte motrën e vet me të, vinte dhe rrinte nja një apo dy orë derisa e dinte se do të zgjohej djali dhe duhej t’i jepte gji. Shkonte me lot në sy.

Një javë me terapi antituberkulotike, më saktë derisa u kthye dr. Tosuni nga pushimi. Sapo erdhi më bëri punkcionin lumbal. Këtë herë nuk më dhembi aspak. Pasi kishte parë rezultatin e punkcionit të fundit, kishte marrë kartelën time të të sëmurit dhe kishte ardhur afër shtratit tim.

  • Xhemil, mendoj se ti ke meningjit viral e jo tuberkular – më tha.

Unë mbeta pa fjalë, ai vazhdoi:

  • Po bazohem në rezultatet e punkcionit lumbal të sotëm. Ke vetëm pesëdhjetë e nëntë elemente.

Pesëdhjetë e nëntë elemente, gjendje gati normale. I dija tashmë disa gjëra.

  • Po rëntgeni i mushkërive dhe mendimi i pulmologes? – pyeta.
  • Vetëm Allahu është i pagabueshëm! – tha dhe ra shahadet. Edhe unë, po ashtu.
  • Po tani, si do t’ia bëjmë?
  • Të sugjeroj ta bësh edhe një konsultë te pulmologu, por këtë herë të propozoj të shkosh te një mik imi që punon në një spital privat këtu pranë. Në rregull?

Pranova.

Të nesërmen më shoqëruan në klinikën private të dr. Irfanit. Profesor doktor, më saktë. Kishte disa vite që kishte dalë në pension por, për shkak të ekspertizës së gjerë që kishte për sëmundjet e mushkërive, sidomos për ato tuberkulare, kishte vazhduar të punonte dhe të jepte kontribut shumë të madh. Madje ishte kryetar nderi i Shoqatës së Pulmologëve të Turqisë dhe anëtar i këshillave organizative të të gjitha kongreseve e konferencave botërore të pulmologjisë.

Na priti me buzëqeshje. Dukej shumë i freskët dhe i fortë për shtatëdhjetë vjetët që kishte. Më kontrolloi, më auskultoi, edhe perkusion më bëri. Në kohën sa studioja nuk më ishte dukur se kishte ndonjë rëndësi, por prof. Irfani e bënte me aq përkushtim.

  • A ka nevojë për ndonjë rëntgen të ri, profesor?.
  • Jo, evlad, nuk ka nevojë. Duket qartë. Në mushkëri nuk ke tuberkuloz.
  • Nuk paskam tuberkuloz?! Po unë që dy javë marr terapi kundër TBC-së – i thashë.

Ai rrudhi krahët.

  • Unë përgjigjem dhe rri prapa asaj që nënshkruaj – më tha me zë të ëmbël.
  • A mund të më shënoni një raport?
  • Patjetër. Ma jep kartelën.

E mbaj mend edhe sot shkrimin e tij në kartelë: “Në ekzaminimin klinik dhe në rëntgenogramet që ka, pacienti nuk ka shenja për sëmundje tuberkulare të mushkërive”. Nënshkrimi. Faksimilja. Vula e ordinancës.

Raportin ia dërgova dr. Tosunit. Menjëherë m’i hoqi banat. Më përshkroi vetëm vitamina edhe dy javë dhe, qëndrim në spital. Aty mandej u ndala dhe u mendova për jetën time. Për të shkuarën time. Aty kuptova se në këtë botë nuk kishte asgjë më të vlefshme se jeta. Nëse e kishe jetën, i kishe prindërit, e kishe gruan, fëmijët, punën, miqtë, vatanin. Po të vdisje, të gjitha vdisnin me ty. Prandaj ia vlente çdo frymëmarrje që merrnim, çdo ditë që jetonim.

Gabimet e mjekëve nuk më kanë dëmtuar, por kanë mundur. Fat në fatkeqësi. Prandaj jam shumë i matur në secilin rast, sepse te secili pacient shoh vetveten me dhembje të padurueshme dhe me urinën si lëng portokalli. Nuk i shikoj simptomat dhe sëmundjen. E shoh njeriun, qenien njerëzore që vuan, që i dhemb.

Unë të kuptoj si ndihesh pas daljes nga burgu.

Ndjenja e urrejtjes dhe e hakmarrjes duhen të fashiten. Dhembja shpirtërore duhet të zbutet. Ktheju jetës normale. Harroje problemin që ke pasur. Nise jetën nga fillimi i ri dhe shijoje secilën ditë që të ka dhënë i madhi Zot” – më sugjeronte dr. Xhemil Uzunbey, profesor dhe specialist i ORL-së, kryetar i Shoqatës Ballkanike të Mjekëve ORL dhe njeri fisnik.

Deri në Niigata nuk folëm më, por në kokë bluaja rrëfimin e tij.

Si është jeta e njeriut kështu?!

(Fragmente nga romani i Aziz Mustafës, “Mos e harro Japoninë, Suzanë”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një mostër e krahëve të pulave të ngrira të importuara…