Kur vota nuk e mat vlerën e njeriut
Shkruan: Hanife Salihu
Derisa po i afrohemi përfundimit të numërimit të votave, si për subjektet politike ashtu edhe për kandidatët, këtë herë dua të ndalem posaçërisht tek ata kandidatë që kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvend. Procesi zgjedhor, përveçse është konkurrencë politike, është edhe pasqyrë e vlerësimit qytetar ndaj njerëzve që vendosin të marrin përgjegjësi publike.
Mirëpo, kur i shoh listat e atyre që kanë garuar dhe pastaj i krahasoj me disa ( jo, të gjithë) nga ata që kanë fituar mandatin, më rikujtohen zgjedhjet e para të pasluftës. Edhe atëherë u pa qartë se shumë nga ata që kishin mbajtur peshën më të madhe të luftës nuk u vlerësuan sa duhet. Ata njerëz që dikur ishin nëpër istikame me betimin: ose vdekje, ose liri, mbetën shpesh jashtë institucioneve që u ngritën pikërisht falë sakrificës së tyre. Për shumëkënd kjo u përjetua si një lloj bumerangu i hidhur ndaj vetë luftës çlirimtare.
Sot, pas shumë vitesh shtetndërtimi, kur i shoh disa njerëz që realisht do të duhej të ishin fitues të zgjedhjeve e duke mbetur jashtë Kuvendit, ndërsa në vend të tyre hyjnë të tjerë që, pa i gjykuar personalisht, ndoshta nuk do të duhej të ishin prioritet para disa kandidatësh të tjerë shumë më të përgatitur, më kompetent dhe më meritorë, më shtohet bindja se sistemi i votimit jo gjithmonë reflekton realisht vlerën, moralin dhe kontributin.
Prandaj, shpesh rezultati zgjedhor nuk është pasqyrë besnike e vlerës reale të kandidatëve. Ka njerëz që japin vite nga jeta e tyre në shërbim të shoqërisë dhe megjithatë mbeten jashtë institucioneve. Dhe ka të tjerë që ngjiten lehtësisht në skenën politike, jo përmes punës, por përmes rrethanave.
Kjo nuk do të thotë se populli nuk di të zgjedhë. Por tregon se procesi ynë demokratik ende nuk është pjekur sa duhet, ende ndikohet nga shumë rrethana që e largojnë votën nga thelbi i saj: vlerësimi i drejtë dhe i paanshëm i kontributit.
Në demokraci, vota është mjeti më i rëndësishëm i qytetarit. Por tek ne, fatkeqësisht, ajo shpesh ndikohet nga interesa momentale, emocionet politike, struktura partiake, ndikimet mediatike dhe jo gjithmonë nga merita personale dhe profesionale e kandidatit.
Prandaj, me plot bindje mund të them se jo gjithmonë vota është matësi më i saktë i meritës. Të paktën, jo gjithmonë, dhe jo gjithmonë në Kosovë.



