‘Kurrë asnjëherë s’ka pasur neglizhenca’, Zharku dëshmon për ‘53-milionëshin’
Në rigjykimin për rastin “53-milionëshi”, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dëgjuar dëshmia e ish-ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili ka sqaruar rolin e komitetit ndërministror, kompanisë mbikëqyrëse dhe procedurat e ndjekura në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Ai ka deklaruar se asnjë institucion nuk ka të drejtë të tejkalojë opinionin e kompanisë mbikëqyrëse.
Dëshmia e Zharkut është marrë në seancën e radhës ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët po rigjykohen për keqpërdorim detyre në lidhje me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka”.
Zharku ka thënë se vendimet në këtë projekt janë marrë duke u bazuar në kornizën institucionale dhe rolin e komitetit përkatës.
“E kemi pasur vendimin e qeverisë, në të cilin është themeluar komiteti drejtues ndërministror”, ka thënë ai.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, e ka pyetur atë për rolin e kompanisë mbikëqyrëse në projekt.
Zharku ka thënë se “Ka qenë menaxher i projektit që nënkupton këshilltar financiar, operativ dhe ligjor”.
Gjyqtarja e ka pyetur me ndërkaq nëse në këtë rast ishte tejkaluar opinioni mbikëqyrës, duke iu referuar nënshkrimit të marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe operatorit ekonomik “Bechtel & Enka” më 27.9.2017. Ajo ka pyetur nëse kishte qenë e mundur të shmangej mendimi i kompanisë mbikëqyrëse.
Zharku është përgjigjur se as kush nuk ka të drejt ta tejkalojë kompaninë mbikëqyrëse.
“Në aspektin e një menaxheri nuk ishte dashur, as komiteti ndërministror as kush nuk ka të drejt ta tejkalojë kompaninë mbikëqyrëse”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se mbikëqyrësi nuk kishte pasur asnjë neglizhencë gjatë punimeve.
“Kurrë asnjëherë nuk ka pasur neglizhenca, ai ka punu aq sa ka pasur buxhet të ndarë, nuk ka as një rast”, ka thënë Zharku.
Namani-Hajra e ka pyetur edhe për pretendimet se, sipas aktakuzës, i akuzuari Pal Lekaj kishte zhvilluar negociata për të zvogëluar koston, duke anashkaluar mendimin mbikëqyrës.
“Na e kemi pas kërkesën e Bechtel Enka për 25 apo 26 milionë dhe të njëjtën kërkesë e kemi drejtuar drejt kompanisë mbikëqyrëse”, është përgjigjur Zharku.
Pyetjes se a ka mundur komiteti të anashkalonte kompaninë mbikëqyrëse, Zharku është përgjigjur qartë: “Nuk ka të drejtë me i tejkaluar”.
Prokurori i rastit, Atdhe Dema, ka kërkuar sqarime për shumën prej 14 milionë e 900 mijë euro, për të cilën Zharku ka thënë kompania mbikëqyrëse Hill International e ka bërë një vlerësim të tillë të bazuara në kontratë.
“Hill International e ka bërë një vlerësim të tillë të bazuara në kontratë. Ka qenë e përcaktuar se nëse zgjatet kontrata duhet mu paguar 1 milion euro në muaj… I vetmi autoritet për të bërë një vlerësim të tillë është kompania mbikëqyrëse”, ka thënë ai, raporton “EkonomiaOnline”.
Avokati i të pandehurit Lekaj, Artan Çerkini, ka pyetur se ndarjet e pa mjaftueshme buxhetore a kamë qenë arsyeja në zgjatjen e punimeve.
Zharku ka thënë se “Ndarjet e pa mjaftueshme buxhetore janë arsyeja e shtyrjeve të punimeve”.
I pyetur për kontraktimin e kompanisë mbikëqyrëse, Zharku ka deklaruar “është lidh pra meje… Në kontrata të mëdha kur janë dy palë që kanë ekspertiza jo të barabarta… duhet të jetë një palë e tretë mbikëqyrëse”.
Avokati ka pyetur se a ka qenë kontrata që deri sa të përfundoj projekti, pa e parashikuar vazhdimin e punimeve.
Zharku ka thënë se kontrata kishte qenë e vlefshme deri në përfundimin e projektit.
“Natyrisht, kontrata ka qenë e lidhur deri sa përfundon projekti”, ka thënë Zharku.



