Kurti ‘bojkoton’ takimin e VV-së në Mitrovicë, kundërshtime që Faton Peci të jetë kandidat për kryetar të Mitrovicës

09 qershor 2025 | 20:04

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë sot ka mbajtur takim me struktura, ku të pranishëm ishin deputetët nga ky qytet, Armend Muja, Arjeta Fejza dhe Agim Bahtiri.

Edhe pse ishte pritur që në takim të jetë prezent edhe Albin Kurti, ai nuk mori pjesë, ani pse rreth dy orë para këtij takimi të VV-së ai ka vizituar Komunën e Mitrovicës, ku është pritur nga kryetari Bedri Hamza e Nënkryetari Arian Tahiri.

Mosprezenca e kryetarit të LVV-së në këtë takim, ka reflektuar atmosferë jo të këndshme, pasi që një pjesë e strukturës ka pritur që sot aty të zyrtarizohet edhe kandidati i kësaj partie për kryetar komune në zgjedhjet e tetorit.

Veriu.info mëson se bojkoti që Kurti i ka bërë këtij takimi të strukturave të LVV-së në momentet e fundit, lidhet me faktin se një pjesë e konsiderueshme e LVV-së në Mitrovicë nuk po e mbështet kandidaturën eventuale të Faton Pecit për kryetar komune.

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se figura kyçe brenda LVV-së në Mitrovicë që po e kundërshtojnë kandidaturën e Pecit të GUXO-s në siglën e LVV, ka të bëjë me faktin se kjo parti edhe në dy palë zgjedhjet e kaluara kishte kandiduar për kryetar komune persona që nuk kishin të kaluar të gjatë me këtë parti.

Fjala është për Fehmi Feratin në zgjedhjet e vitit 2017 dhe Agim Bahtirin në zgjedhjet e vitit 2021, i cili dy herë ishte zgjedhur kryetar komune nga AKR-ja e Behgjet Pacollit, por që duke e parë që kjo parti po dobësohej shumë, kishte vendosur të aderoj në LVV në këmbim të kandidaturës për kryetar komune.

Veriu.info mëson se në takimin e sotëm të LVV në Mitrovicë nuk është përmendur asnjë emër për kandidat, por që seriozisht po shqyrtohen edhe kandidaturat e deputetit dhe kryetarit të LVV-së në Mitrovicë, Armend Muja dhe ajo e njërit prej biznesmenëve më të shquar në rangë vendi nga Mitrovica, emrin e të cilit nuk po e publikojmë deri të marrim një prononcim nga ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan ka shkaktuar reagime të forta pasi ka publikuar…