
Kurti: Gjakova ka nevojë për një kryetar si Ardian Gola
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë pjesë në tubimin qendror në Gjakovë. Kurti ka thënë para të pranishmëve se Gjakova ka nevojë për një kryetar si Ardian Gola, që e do këtë qytet, e njeh historinë e tij të lavdishme dhe që ka vizionin e duhur për ta zhvilluar.
“Gjakova ka nevojë për një kryetar si Ardian Gola, që e do këtë qytet, e njeh historinë e tij të lavdishme dhe që ka vizionin e duhur për ta zhvilluar.
Në Gjakovë kemi investuar në shkolla, ambulanca, rrugë, projekte për ujë të pijshëm, ngrohje me biomasë, po e ndërtojmë stadiumin e qytetit me investim prej 9 milionë euro prej Qeverisë sonë, do ta lidhim Gjakovën me Shkodrën përmes hekurudhës Prishtinë-Durrës, dhe do ta ndërtojmë fabrikën e municioneve.
Me Ardian Golën si kryetar zhvillimi ekonomik e kujdesi social do vijë edhe në nivel lokal. Në Gjakovë do të ketë laboratore digjitale dhe pajisje moderne në shëndetësi, kopshte të reja e biblioteka moderne për arsim, banesa për çiftet e reja, paketa Baby Box për të porsalindurit, shtesa për lehonat dhe shërbime geriatrike të specializuara për pensionistët.
Qytetarët do ta ndjejnë kujdesin e qeverisjes në jetën e përditshme, nga fëmijët deri tek të moshuarit, duke ndërtuar një komunitet të fortë, me kujdes dhe shërbime cilësore. Kjo arrihet e bëhet realitet vetëm me Ardian Golën, me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke votuar numrin 105 e kthyer Gjakovën kah e mbara.”, ka deklaruar Kurti në Gjakovë.