
Kurti: Kosova është e palëkundur në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë të premten ka thënë se këtë javë në Hagë të Holandës u mbajt Samiti i 34-të i NATO-s, duke përshëndetur përfundimin e punimeve të këtij samiti si dhe vendimin unanim të vendeve anëtare të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Bruto Prodhimit Vendor.
“E vlerësojmë lart edhe rikonfimimin e vendeve anëtare për zotimin për mbrojtje kolektive që adresohet në Nenin 5 si një ndër parimet themelore të NATO-s. Gjithashtu, përshëndesim vendimin për mbajtjen e Samitit të 36-të të NATO-s në Tiranë, në Republikën e Shqipërisë, në vitin 2027”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Republika e Kosovës është e palëkundur në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur dhe po vazhdon të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me qëllim mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës, si dhe kontributin për sigurinë evropiane dhe më gjerë. E pikërisht sot Forcës së Sigurisë së Kosovës ia shtuam edhe 350 rekrutë të rinj, gjithsej 2700 pjesëtarë më shumë për ushtrinë tonë në këtë mandat”, ka pohuar ai.