
Kurti: Kosova nuk do t’i harrojë asnjëherë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se çdo 14 maj përkujtojnë mbi 120 civilë shqiptarë, të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.
“Në mëngjesin e 14 majit të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë hynë në fshatin Qyshk dhe në fshatrat përreth. Ishin rreth 100 pjesëtarë të forcave të armatosura të Serbisë, të maskuar dhe të kamufluar. Pasi i dëbuan me dhunë banorët nga shtëpitë, ua grabitën paratë dhe stolitë e arit, si dhe shkatërruan dokumentet e tyre personale duke i grisur dhe djegur”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka thënë se për këto krime të rënda, dëbimet e civilëve shqiptarë, shkatërrimet e pronave, vrasjet dhe plaçkitjet gjatë zhvendosjes së dhunshme, drejtësia deri tani ka qenë shumë e ngadaltë.
“Të gjitha krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, së bashku me kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre, duhet të vihen para drejtësisë. Për to duhet të japë përgjegjësi drejtpërdrejt shteti i Serbisë. Kosova nuk mund dhe nuk do t’i harrojë asnjëherë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës. Populli ynë ka mbijetuar dhe qëndron i fortë e krenar. Së bashku, çdo ditë, po e forcojmë Republikën tonë, si jetësim të idealeve të dëshmorëve e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë. Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e lirisë!”, ka shkruar Kurti.