
Kurti: Marrëveshja është njohje de-fakto nga Serbia
Kryeministri i Kosovës, në intervistë për RTK-në, flet për zhvillimet e fundit politike, ekonomike, shëndetësisë, sigurisë e arsimit në vend.
Sa i përket konstruktivitetit të tij në këtë proces, kryeministri Kurti tha se gjithmonë ka qenë i tillë.
“I lexoj mirë tekstet dhe kur shoh se ka koncepte universale si kjo, kur e ke brenda pavarësinë, integritetin territorial, barazinë e palëve, atëherë jam konstruktiv”.
Më tej kryeministri Kurti, duke folur në RTK për këtë marrëveshje, u shpreh se vetë ka pranuar ta nënshkruajë, por është shfaqur edhe destruktiviteti i Serbisë.
“Unë isha e vetmja palë që kam propozuar ide dhe kam qenë aktiv”.
“Por sa më aktiv e kreativ që bëhesha, aq më shumë ngjallej rezistenca e palës tjetër që u kurorëza me mos nënshkrim sepse edhe ata e dinë siç e di edhe unë që kjo është de-fakto njohje e Kosovës”.
Kryeministri Kurti u shpreh se sa i përket tekstit dhe negociatave të këtij dialogu, prej që merr pjesë, pa barazi nuk ka proces.
Kurti tha se barazia e palëve është fakt i pacënueshëm. Duke u pyetur se çfarë ka problem me këtë dokument-marrëveshje, ai tha se është fakti që mund të ketë edhe gjëra të tjera që do të mund të përfshiheshin në marrëveshje.
“Por në parim është bazë shumë e mirë dhe mendoj se nuk ka diçka substanciale që e bën këtë marrëveshje të papranueshme, andaj e kam pranuar”.
Kryeministri tha se nuk mund të normalizohen marrëdhëniet pa adresuar çështjet e së kaluarës, e jo vetëm me ato që lidhen me të kaluarën.
“Tashmë në aneks e kemi me urgjencë çështjen e të pagjeturve, e që është urgjente që duhet të adresohet”.