
Kurti mburret me eksportet e bizneseve që i sulmon vazhdimisht, hesht për deficitin masiv tregtar në katër vjet
Në mes të një fillimi të zymtë të vitit 2025, kur Kosova po përballet me përkeqësim të ndjeshëm të deficitit tregtar, rritje të çmimeve të energjisë elektrike dhe, për pasojë, rikthim të inflacionit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i rreklasuar nga mosarritja e konstituimit të Kuvendit, lexoi një fjalim të stërzgjatur, me sy të ngulur në letër, të mbushur me interpretime përdredhëse rreth zhvillimit ekonomik në katër vjet, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së. Në mesin e këtyre pretendimeve, veçoi edhe mburrjen e zakonshme për rritjen e vlerës së eksporteve, krahasuar me vitet paraprake.
Kurti pretendoi një sërë “arritjesh” që, sipas tij, pasqyrojnë suksesin ekonomik të qeverisjes së tij: “Patëm 6 për qind rritje mesatare vjetore të Burto Produktit Vendor. 76 për qind rritje të qarkullimit të biznesve private. Afër 50 për qind rritje të pagave në sektorin publik dhe 40 për qind rritje të pagave në sektorin privat. Rënie e papunësisë nga afër 26 për qind, në më pak se 11 për qind.
Ndër të tjera, ai tha se gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes vendi përjetoi “Dyfishim të eksporteve e më shumë se dyfishim të investimeve të huaja direkte.”
Megjithatë, përtej këtij entuziazmi retorik të Kurtit, qëndron një realitet shumë më i zymtë për Kosovën sa i përket tregtisë së jashtme: vetëm në katër vitet e fundit, bilanci kumulativ tregtar i Kosovës ka arritur një disbalancë dramatike prej mbi 19 miliardë eurosh – një shifër përgënjeshtruese e suksesit të shumëtrumbetuar nga qeveria Kurti.
Bilanci tregtar, që tegon diferencën ndërmjet eksporteve dhe importeve, pasqyroi në vazhdimësi rrjedhë negative: rritje alarmante të importit dhe një rënie të të eksporteve pas një kulmi të rritjes se tyre në vitin 2021 dhe 2022.
Në këtë kontekst, ekonomisti Shenoll Muharremi, një prej kritikëve më të shpeshtë të pretendimeve të Kurtit për progres ekonomik, përmes një analize të numrave të tregtisë së jashtme ndër vite, zhveshi në plonti mirazhin e progresit të paraqitur nga Kurtit:
“Pse Kryeministri ne detyrë po feston e tregon vetëm ekportet por nuk po flet e as që i përmend importet?
Nuk është vetëm importi, janë edhe energjia dhe inflacioni gjithashtu. Këto fusha më sensitive të ekonomisë tonë që po shmangen.
Kjo gjithashtu ndërlidhet me bizneset tona prodhuese dhe koston e energjisë që po ankohen se e kanë deri 200% më të lartë, si ka deklaruar pronari i Golden Eagle përshembull.
Dmth thuhet vetëm “kemi rritur ekportin në një miliardë euro” (fjalimi dje në Këshillin e partisë). E nuk përmendet importit. Asnjë fjalë të vetme. Nuk tregohet e gjithë fotografia e tregtisë. Pse?” – shkroi ai.
Njohësi i ekonomisë rikujtoi se vlera e importit ka arritur në 6 miliardë euro – një shifër alarmante, të cilën Kurti u kujdes ta anashkalojë plotësisht, ashtu siç veproi edhe me krizën e energjisë elektrike.
“Për shkak se importi ka fluturu në mbi €6 miliardë, ja pse nuk po përmendet. Sikurse me krizën e energjisë dhe rrymës, ashtu edhe me tregti dhe importi.
Rezultatet negative, shkatërruese për ekonomi, fshihen, futen ndër jorgan. Importi, Energjia, Inflacioni.. këto asnjëherë nuk përmenden.
Por duke i fshehur problemet, duke i shty e injoru, ato nuk zgjidhen. Përkundrazi, bëhen më të mëdha sesa që janë.
Lexojeni tabelën që e kam kriju nga të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave:
1. Importi në mallra është rritë 551% më shumë se eksporti gjatë mandatit të fundit qeveritar. Ky është fakt.
2. Eksporti është rritur për €466 milionë por importi për 3,036 milionë.
3. Deficiti tregtar është thellu si kurrë më parë €5,4 miliardë nga €2.8 sa ishte në fillim të mandatit.
Pse nuk po përmenden energjia, importi, inflacioni?
Se nuk tingëllon bukur në fjalim.
Se i prish narrativat “e zhvillimit ekonomik”.
Se bizneset vendore po mbyllen e dobësohen, kur mallrat e huaja dominojnë.
Se statistikat që nuk u leverdisin… injorohen.
Jo çdo rritje është sukses. Sidomos kur vetëm blen dhe nuk prodhon. Në vend se me i ndihmu prodhuesit, ne i rëndojmë edhe më shumë me rritje të kostos së energjisë.”