Kurti nga Vushtrria: Çdo vit ekonomisë po ia shtojmë nga 1 miliard euro, me qeverisje të mirë
Sot, Lëvizja Vetëvendosje! mbajti tubim në Vushtrri në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kryetari i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Vushtrri, Sylejman Meholli, në fjalën hapëse deklaroi se Vushtrria, si vend i historisë, trashëgimisë dhe kulturës, do ta mbështesë si gjithmonë Albin Kurtin, sepse Kurti ka dëshmuar se nuk lëshon pe në qëllimet për shtetin e Republikës së Kosovës.
Kryetari i LV-së, Albin Kurti, në fjalën e tij, deklaroi se Vushtrria gjithmonë ka vetëvendosur kur ka qenë në pyetje çështja kombëtare dhe zhvillimi i shtetit.
“Të nderuar të pranishëm, në mandatin tonë prej më shumë se dy vitesh qeverisje kemi pasur kriza të njëpasnjëshme dhe shumë situata të jashtëzakonshme. As dy vite të plota nuk i kishim në kushte normale, e megjithatë rezultatet ishin të jashtëzakonshme. Tani imagjinoni se çfarë mund të bëjmë me katër vite pa kriza, me stabilitet, me planifikim dhe fokus të plotë në zhvillim. E kemi tejkaluar me sukses pandeminë, krizën energjetike, krizën e inflacionit, si dhe sulmet dhe agresionet terroriste të Serbisë. Kjo ka qenë shumica e mandatit tonë, e me një mandat pa këto kriza, imagjinoni çfarë fuqie do të ketë qeverisja jonë për Vushtrrinë dhe për mbarë Kosovën”, u shpreh Kurti.
“Të dashur qytetarë, për herë të parë në mandatin e ardhshëm, bruto produkti vendor i Kosovës për kokë banori do të tejkalojë 10 mijë euro. Pse është e mundur kjo? Sepse ekziston një trend i qëndrueshëm zhvillimi. Ekonominë e kemi marrë 7 miliardë euro në vitin 2021, sivjet është 11 miliardë dhe vitin e ardhshëm pritet të jetë 12 miliardë. Çdo vit ekonomisë po ia shtojmë nga 1 miliard euro, me qeverisje të mirë, me sektor privat që punëson e rritet dhe me sektor publik që shërben me përgjegjësi.
Paga mesatare në mandatin e ardhshëm do të kalojë 1 mijë euro në muaj. Ne nuk e ndihmojmë vetëm sektorin publik, por edhe sektorin privat, i cili mban barrën kryesore të punësimit dhe të kontributit tatimor. Me programin Superpuna, të rinjtë dhe të rejat nga mosha 18 deri në 29 vjeç që janë punësuar në sektorin privat kanë marrë për gjashtë muaj pagën minimale. Në këtë mënyrë, e kemi dyfishuar numrin e të rinjve nga mosha 16 deri 24 vjeç: nga më pak se 29 mijë, sot janë mbi 60 mijë të punësuar”.
“Kur qeveria jonë mori detyrën, Kosova kishte rreth 350 mijë të punësuar, ndërsa sot janë 435 mijë, pra 85 mijë më shumë, ose rritje prej 24%. Papunësia ka rënë nga rreth 26% në më pak se 11%. Kjo është qeverisja jonë, që e rrit ekonominë dhe e shton punësimin, veçanërisht për rininë dhe gratë”, theksoi Kurti.
Kurti përkujtoi edhe heronjtë e Kosovës nga Vushtrria, Afrim Bunjaku dhe Enver Zymberi, duke kujtuar se ata ranë heroikisht në veri të Kosovës për sundimin e ligjit, paqe e siguri, rend publik, kushtetutshmëri, integritet territorial dhe sovranitet shtetëror.
Ai theksoi se jemi përjetësisht mirënjohës për sakrificën e tyre sublime për atdheun tonë të përbashkët.
“Sot në veriun e Kosovës janë mbyllur 29 nga 37 rrugë ilegale që kanë ekzistuar, është mbyllur posta kursimore e Serbisë, banka popullore e Serbisë, janë shkatërruar laboratorët e drogës dhe kriptovalutave, si dhe grupet e mëdha kriminale. Kriminelë të mëdhenj nuk ka më: ose kanë ikur në Serbi, ose janë vrarë në Banjskë, ose janë në burg në Kosovë. Ky është rezultat i jashtëzakonshëm i shtetit tonë”, vazhdoi Kurti.
Kurti u zotua se në mandatin e ardhshëm do të dyfishohen shtesat për fëmijë, do të rriten mjetet për nënat lehona deri në 500 euro dhe buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të arrijë në 1 miliard euro.
Po ashtu, ai përmendi edhe investimet konkrete të realizuara në Vushtrri gjatë mandatit të kaluar, përfshirë infrastrukturën rrugore, spitalin e Vushtrrisë dhe pajisjet mjekësore, ndërtimin e sallave të sportit në shkolla, si dhe inventarizimin e shkollave “Lutfi Musiqi” dhe “Migjeni”, së bashku me projekte të tjera që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Ndër projektet e reja për Vushtrrinë, Kurti përmendi ndërtimin e rrethrrotullimit të ri në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë pranë lagjes Cakaj, rregullimin e rrugës nga ish-fabrika e llamarinës deri në Mitrovicë, kompensimin e dëmeve të bujqve për vitin 2023, ndërtimin e ambulancave specialistike për spitalin e Vushtrrisë, rregullimin e impianteve përgjatë lumit Sitnica dhe stabilizimin e shtratit të lumit.
Në fund, Kurti prezantoi pesë vendimet e para të mandatit të ardhshëm, përfshirë buxhetin rekord prej 4 miliardë eurosh për vitin 2026, pagën e 13-të për shërbyesit publik dhe pakon për përballje me inflacionin, duke u bërë thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor ta mbështesin Lëvizjen VETËVENDOSJE! për të vazhduar progresin e madh për shtetin e Kosovës.



