Kurti njofton se Kosova do t’i pranojë përkohësisht 50 emigrantë të dëbuar nga ShBA-ja

11 qershor 2025 | 16:48

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se në një mbledhje të qeverisë kanë marrë vendim për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta nga ShBA.

“Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Kurti ka thënë se Kosova brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë. Ai ka bërë me dije se ata do të përzgjedhen nga një listë e propozuar për aq sa i plotësojnë kriteret e caktuara.

“Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka theksuar se ShBA-ja është aleat i palëkundur i Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse sezoni kryesor turistik është në prag, në Mal…