Kurti nuk është i interesuar për marrëveshje me Serbinë

22 qershor 11:09

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se kryeministri Kurti është shumë më i interesuar për vazhdimin e status-quos.

Murati ka treguar se kjo po ndodh, sepse zgjidhjet që mund të dalin nga procesi i dialogut nuk janë populiste. Sipas tij, kryeministri Kurti në asnjë çast nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për t’iu qasur këtyre bisedimeve me seriozitetin që ato e meritojnë.

Murati është shprehur i bindur se ripërcaktimi i kufijve në mes të dy shteteve është opsioni i vetëm që Kosovën e bën funksionale.

Ai ka theksuar se dinamikën e dialogut të Brukselit mund ta shpejtojnë vetëm amerikanët.

Muhamet KOCI

“Epoka e re”: Z. Murati, më në fund ka ndodhur takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi. Cili është vlerësimi juaj për këtë takim?
Murati: Në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi kjo ishte pjesëmarrja e parë e kryeministrit Kurti në një takim të tillë. Ishte, po ashtu, takimi i tij i parë në kuadër të dialogut me presidentin Vuçiq. Në asnjë variant nuk kam pritur ndonjë rezultat nga ky takim, jo vetëm për faktin se ishte takimi i parë dhe do të ishte naive të ngjalleshin shpresa për ndonjë rezultat por, mbi të gjitha, se duket e qartë se kryeministri Kurti, ashtu si edhe shumica e kryeministrave të Kosovës në të kaluarën, janë më shumë të interesuar për vazhdimin e status-quos sesa për arritjen e ndonjë rezultati konkret në bisedimet me Serbinë. Asnjë nga zgjidhjet që mund të dalin nga dialogu nuk janë populiste, andaj edhe kryeministri ynë, i ngritur në politikë me agjenda populiste, nuk do të preferojë të ecë rrugëve të vështira. Rrugëve që do të duhej të ecnin burrështetasit e vërtetë e vizionarë e të cilët me guxim do të duhej të punonin që duke shfrytëzuar dialogun, ta lironin Kosovën nga barra e rëndë e problemeve me Serbinë. Kryeministri Kurti realisht e ka shfrytëzuar këtë takim dhe qëndrimet që i ka paraqitur aty në funksion të agjendës së brendshme politike. Mbi të gjitha, me qëndrimet kinse të forta para Vuçiqit, ka bërë përpjekje t’i neutralizojë kritikat për pjesëmarrjen në këtë tryezë dialogu, pa u plotësuar kushtet të cilat ai në të kaluarën i ka vendosur si kushtëzim për pjesëmarrjen e tij dhe të Kosovës në dialog. Por në asnjë moment unë nuk kam arritur të lexoj ndonjë gatishmëri të kryeministrit Kurti për t’iu qasur bisedimeve me seriozitetin që ato e meritojnë. Në anën tjetër, Serbia, duke qenë në një pozitë më të favorshme, po ashtu nuk është e interesuar fort për rezultatet e dialogut. Edhe presidenti Vuçiq në rolin e tij tanimë të njohur të ‘viktimës’ dialogun dhe qëndrimet në të i formulon në raport me opinionin e brendshëm, sidomos duke pasur parasysh zgjedhjet serbe të pranverës të vitit të ardhshëm. Realisht qasja e të dyja palëve është që para faktorit ndërkombëtar të dalin mirë dhe të bëjnë përpjekje që palën tjetër ta paraqesin si penguese të dialogut. Vetë prezantimi i katër pikave nga kryeministri i Kosovës e kishte në vete edhe këtë qëllim, pra që t’i tregohej BE-së se Kosova është konstruktive, duke pasur parasysh edhe faktin se në vitet e fundit ajo është trajtuar si pengesa e dialogut.

“Epoka e re”: Kurti i bëri publike propozimet që kishte paraqitur në takim. Si i keni parë këto propozime?
Murati: Siç theksova, nuk i kam parë si propozime për t’i zgjidhur problemet, por si taktikë për ta vendosur palën tjetër në pozicion defansiv në raport me BE-në dhe, mbi të gjitha, të arrihet një fitore në planin e brendshëm. Pika e parë, ajo e shndërrimit të CEFTA-s në SEFTA (pra me përfshirjen në marrëveshjen e tregtisë së lirë vetëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor të cilat nuk janë pjesë e BE-së) dhe krijimi i një zone të përbashkët ekonomike në mes të SEFTA-s dhe BE-së nën modelin e BE-së dhe të EFTA-s (Zona Ekonomike Evropiane) është, pak a shumë, propozim i paketuar me emër tjetër për idetë dhe projektet që qarkullojnë në Ballkan vitet e fundit në kuadër të Procesit të Berlinit si Mini Shengeni, Zona Ekonomike Ballkanike etj. Ky propozim është një sinjal se qeveria Kurti është e gatshme të futet në proceset integruese ballkanike të cilat janë refuzuar deri më tani nga Kosova, por duke u dukur se po i jep inputet e veta origjinale në këtë proces. Në fund të fundit, angazhimi, qoftë i BE-së, qoftë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në integrimet rajonale, dëshmon se procesi i integrimit të rajonit në BE do të jetë më i gjatë sesa është menduar fillimisht. Në anën tjetër, pika mbi paktin për mossulmim në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndonëse në vështrim të parë mund të duket shumë dinjitoze, sepse lë mundësinë që Kosova mund të ketë kapacitete sulmuese e jo vetëm Serbia, në të vërtetë është krejtësisht e shkëputur nga realiteti në kontekstin e politikave të sigurisë rajonale. Përgjegjës për sigurinë në Kosovë është KFOR-i, përkatësisht NATO-ja, dhe jo vetëm që Kosova dhe ushtria jonë synon të jetë një partnere e NATO-s, por ajo edhe sot bashkëpunëtoren kryesore e ka fuqinë dhe shtyllën kryesore të NATO-s – ShBA-në. Andaj edhe as nuk mund të flitet për ndonjë potencial ofensiv të Kosovës në kundërshtim me NATO-n dhe ShBA-në. Në anën tjetër, pavarësisht prej politikave agresive të Serbisë si dhe armatosjes së saj të vazhdueshme, edhe Serbia, përderisa këtu është KFOR-i, nuk paraqet rrezik për sulm ushtarak (kjo nuk nënkupton që ajo nuk do të punojë në destabilizimin e Kosovës, posaçërisht në veriun e vendit). Kosova për ta rritur sigurinë e saj do të duhej të punonte me ngulm për zgjidhjen e problemeve me Serbinë, anëtarësimin në NATO dhe unifikimin e politikave mbrojtëse me Republikën e Shqipërisë deri në bashkim. Pakti për mossulmim në kontekstin pa SHBA-në, pa NATO-n dhe pa bashkim me Shqipërinë nuk do të kishte bash kurrfarë vlere praktike. Në pikën e tretë përmendet reciprociteti me Serbinë, gjë që do të ishte në rregull po do të trajtohej në kontekstin e bisedimeve me Serbinë dhe vendosjen në tryezën e bisedimeve edhe të Kosovës Lindore dhe trajtimin me reciprocitet të të drejtave të shqiptarëve atje me ato të serbëve në Kosovë, posaçërisht atyre në veriun e vendit. Por jo, kryeministri Kurti në mënyrë të çuditshme e vendos reciprocitetin si parim pas njohjes së dyanshme (reciprociteti në marrëdhëniet në mes të dy shteteve sovrane është parim i pashmangshëm dhe i zakonshëm). Ai madje propozon që për serbët të zbatohet modeli i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi (e nënkuptuar, por jo e thënë si kundërpeshë për asociacionin). Kjo prapë duket simpatike dhe madje populiste sepse nga shumë është nënkuptuar se me këtë pikën tre është menduar që shumë nga privilegjet që i ka komuniteti serb në Kosovë do t’i hiqen. Por, në të vërtetë, realiteti i këtij propozimi është krejt tjetër. Me këtë qasje nuk ka ndryshim të strukturës kushtetuese të Kosovës për ta bërë atë më funksionale. Kjo nënkupton mbajtjen e tërë privilegjeve për serbët që përmes Pakos së Ahtisaarit garantohen me kushtetutën tonë, dhe që e dëmtojnë funksionalitetin e shtetit tonë dhe në vend të asociacionit të kemi Këshillin Kombëtar të Serbëve. Kjo përveç që nuk është zgjidhje për funksionalitetin e shtetit të Kosovës, sepse bisedimet duhen shfrytëzuar për ta funksionalizuar atë, ajo i lë në një pozitë të rëndë shqiptarët në Kosovën Lindore sepse nuk i bën pjesë të zgjidhjes. Për më tepër, dërgohet një mesazh i dëmshëm se ata janë aq mirë sa do të merren shembull për serbët në Kosovë. Është e kundërta, ata janë shumë keq, dhe bisedimet duhet të jenë vendi ku do të trajtohet edhe pozita e tyre. E katërta pikë është tipike populiste për konsum të brendshëm: të largohen nga bisedimet ish-veglat e regjimit të Millosheviqit si Odaloviq dhe Angjelkoviq, por pranohet Vuçiqi, ndonëse ai ka qenë eksponent i qeverisë së Millosheviqit gjatë luftës si dhe vegël besnike e Partisë Radikale Serbe të Sheshelit, përkatësisht të lëvizjes çetnike serbe.

“Epoka e re”: Kryeministri Kurti gjatë gjithë karrierës së tij politike i ka kundërshtuar bisedimet me Serbinë, por po pretendon se në këtë proces të hapë tema të reja, duke anashkaluar temat e vjetra si asociacioni. A është i mundshëm ndryshimi i qasjes së këtij procesi?
Murati: Kryeministri Kurti në të vërtetë temat e vjetra po i paketon ashtu që të duken të reja dhe t’i shesë te përkrahësit e tij se ai nuk ka ndryshuar. Por, në thelb, siç theksova, ai po bëhet pjesë e bisedimeve si të gjithë kryeministrat e tjerë të Kosovës, duke mos e shpërfaqur para opinionit tonë rëndësinë e këtyre bisedimeve dhe interesin tonë për të, por si një obligim i imponuar nga ndërkombëtarët. Ky është një problem i madh i krejt skenës sonë politike, që asnjëherë nuk u është shpjeguar qytetarëve se zgjidhja e problemeve me Serbinë përmes dialogut është në interesin tonë. Andaj unë nuk mendoj se ai po jep ndonjë sinjal se do të ndryshojë kurs, apo se ka guxim të trajtojë zgjidhje të guximshme politike. Zgjidhjet e guximshme politike nuk janë populiste. Rrjedhimisht me këtë kurs që po e ndjek nuk do të arrijë ta shmangë presionin për zbatimin e asociacionit, sado që për shkak të rrethanave mund ta zgjasë koha e realizimit e këtij presioni.

“Epoka e re”: Ambasadori amerikan në Prishtinë ka deklaruar se Kosova e ka obligim formimin e asociacionit, ndërsa kryeministri e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Në këtë mënyrë, a mund të rrezikohen raportet e mira ShBA – Kosovë?
Murati: Nuk ka dyshim se zbatimi i asociacionit është një obligim ligjor i Kosovës me marrëveshjen e vitit 2013. Tjetër gjë është se në të gjitha variantet e tij, asociacioni është shumë i dëmshëm për funksionalitetin e Kosovës. Për më tepër, implementimi i asociacionit, qoftë me kompetenca ekzekutive, qoftë pa to, nuk është pjesë e ndonjë pakoje për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Një asociacion i tillë, i cili për së brendshmi do ta rriste defunksionalizimin e Kosovës, veç sa i rritë apetitet e Serbisë për t’i shtuar kërkesat e saj si autonomi për veriun (siç po përmendet modeli i Tirolit Jugor), eksterritorialiteti për kishat ortodokse etj. Për t’i ikur implementimit të këtij asociacioni Kosovës iu hap një derë në vitin 2019 edhe nga administrata amerikane kur u lejua që pjesë e zgjidhjes të ishte ripërcaktimi i kufijve. Kjo derë, ndonëse ka lëvizur lehtazi drejt mbylljes, duke ngushtuar hapësirën lëvizëse, nuk është mbyllur nëse për të ka vullnet. Dhe realisht kam besim se asnjëherë nuk do të mbyllet tërësisht, dhe mund të hapet nëse palët do të shprehin vullnet për të. Personalisht nuk kam asnjë dyshim se ky është opsioni i vetëm që Kosovën e bën funksionale, e trajton çështjen e Kosovës Lindore dhe e hap edhe mundësinë e bashkimit me Shqipërinë nëse për të ka vullnet. Madje duke qenë se njohja nga Serbia do të jetë shumë e vështirë, opsioni i ripërcaktimit është i vetmi nga i cili funksionaliteti i brendshëm nuk varet më pas nga njohja eksplicite. Sidoqoftë, në këtë moment nuk ka vullnet për të ecur në këtë rrugë, për më tepër ajo zgjidhje u anatemua nga shumica e subjekteve politike, por pa treguar asnjëherë se cilin opsion do ta ndjekin. E shumë opsione nuk kanë. Dhe të gjitha janë më të këqija se tjetra: asociacion, asociacion me kompetenca ekzekutive, autonomi për veriun, eksterritorialitet për kishat ortodokse. Dhe, për çudi, nuk dëgjon nga kryeministri e as nga partitë e tjera politike opozitare që si kundërpeshë të këtyre opsioneve, nëse jo ripërcaktimi i kufijve, të jetë së paku reciprociteti në të drejta: nëse kërkohet asociacion për serbët në Kosovë, të garantohet edhe për shqiptarët në Serbi; nëse kërkohet autonomi për veriun, të garantohet autonomia edhe për Kosovën Lindore etj. Duke mos lëvizur politika jonë në atë drejtim, sigurisht se presioni do të rritet për t’i zbatuar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, sepse janë obligime që i kemi marrë. Dhe në asnjë moment nuk duhet të hidhërohemi me aleatët tanë, e sidomos jo me amerikanët, të cilët vitet e fundit na i hapë dyert edhe për zgjidhjet e tjera. Sidoqoftë, më duhet të theksoj se jam shumë skeptik për mundësinë e implementimit të asociacionit apo ndonjë modeli të autonomisë serbe në Kosovë. Në të gjitha variantet këto modele do të dështojnë qoftë në implementim, qoftë në funksionimin e tyre dhe, në fund të procesit që mund të jetë disavjeçar, prapë do të mbetet si e vetmja zgjidhje ripërcaktimi i kufijve. Kam frikë, megjithatë, se në një situatë të tillë do të humbim shumë më shumë sesa po ta realizonim atë zgjidhje prej vitit 2018 e deri më sot, e mos të flas për humbjet që do t’i kemi si shoqëri nga vonesa e moszgjidhjes së problemeve me Serbinë dhe shpenzimi i energjive në luftë të brendshme politike në vend se të përqendrohemi në zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, përparim të arsimit e kulturës etj.

“Epoka e re”: Edhe në takimin e së martës Kurti – Vuçiq i pamë qëndrimet e kundërta të palëve. Sa janë gjasat që në fund të këtij procesi të kemi një marrëveshje përfundimtare?
Murati: Nuk pres një marrëveshje të shpejtë dhe kjo është ajo hapësira që qeveria Kurti e ka të manovrojë edhe për një kohë. Do të mbahet edhe një takim në korrik të këtij viti, takim i cili do të jetë pak a shumë i ngjashëm me këtë që pamë, ndonëse palët mund të vendosin aty një kornizë të gjerë të asaj se çfarë do të bisedohet. Pastaj institucionet evropiane shkojnë në pushim të verës. Në shtator janë zgjedhjet gjermane dhe largimi i kancelares Merkel nga politika gjermane; në tetor janë zgjedhjet lokale në Kosovë; në pranverë zgjedhjet serbe dhe më pas janë zgjedhjet presidenciale franceze. Të gjitha këto do ta ngadalësojnë dinamikën dhe ritmin e procesit të dialogut dhe nuk pres ndonjë rezultat apo edhe presion të madh sidomos nga BE-ja në këtë periudhë. Të vetmit që mund ta prishin këtë rehati janë amerikanët nëse vendosin që të përfshihen më drejtpërdrejt në bisedime.

“Epoka e re”: Opozita që deri vitin e kaluar ka udhëhequr këtë proces, po refuzon të marrë pjesë në dialog. Cili duhet të jetë qëndrimi i partive opozitare ndaj këtij procesi?
Murati: Ka kohë që bisedimet me Serbinë janë bërë pjesë e betejës elektorale ndërmjet partive politike shqiptare. Sigurisht që LV-ja këtë betejë politike e ka vendosur në skajet e saj duke e bërë të pamundur çdo debat normal rreth bisedimeve, madje duke i pamundësuar edhe kritikat konstruktive ndaj këtij procesi. Duke qenë se edhe partitë e establishmentit të vjetër, dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kanë trajtuar seriozisht, ato po përpiqen të sillen pak a shumë së paku në diskurs njëjtë sikur LV-ja dikur. Rruga e duhur, sipas mendimit tim, është arritja e një konsensusi rreth dialogut dhe në këtë drejtim është krejt e parëndësishme pjesëmarrja ose jo e opozitës në bisedime. Sidoqoftë, me këto opsione që favorizojnë subjektet tona politike për momentin dhe me qasjen e tyre e shoh të pamundur arritjen e konsensusit. Asnjëra realisht nuk është e interesuar t’i zgjidhë problemet me Serbinë përmes bisedimeve. Shumica prej tyre mbijetojnë në skenën politike me temën e Serbisë dhe rrezikut nga ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fshati Bresje dhe një pjesë e Fushë Kosovës kanë mbetur…