Kurti: Pamjet e protestës së 1 tetorit 1997, e kthyen Kosovën në një top lajm në mediat botërore

01 tetor 2025 | 10:31

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar 28-vjetorin e protestave të Lëvizjes Studentore, ku edhe vet ishte pjesëmarrës.

Kurti ka shkruar në “Facebook” se mijëra njerëz nga e tërë Kosova, u bënë bashkë në një nga demostrimet më masive të vullnetit politik të shqiptarëve në historinë moderne të Kosovës.

“Atë ditë, më 1 tetor 1997, pas gjashtë vitesh të kaluara pa protesta dhe demostrata, mijëra qytetarë të Kosovës iu bashkuan protestës paqësore të thirrur nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP), kundër shtypjes, dhunës dhe segregimit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se protestat studentore të kthyera në demostrata popullore, i paraprinë dhe iu bashkangjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.

Postimi i plotë i tij:

Si sot, 28 vite më parë, mijëra njerëz nga e tërë Kosova, u bënë bashkë në një nga demostrimet më masive të vullnetit politik të shqiptarëve në historinë moderne të Kosovës. Atë ditë, më 1 tetor 1997, pas gjashtë vitesh të kaluara pa protesta dhe demostrata, mijëra qytetarë të Kosovës iu bashkuan protestës paqësore të thirrur nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP), kundër shtypjes, dhunës dhe segregimit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Të veshur me këmisha të bardha me stemën e Universitetit të Prishtinës në to, mijëra studentë dhe profesorë universitarë bashkë me qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, me parulla në duar me thirrje për t’u kthyer në hapësirat e fakulteteve të UP-së, kundër shkeljeve të lirive dhe dhunimit të të drejtave të njeriut mbi baza etnike, u nisën nga lagjja Velania për në kampusin e UP-së. Por vetëm disa qindra metra më poshtë, policia dhe punëtorët e sigurimit të fshehtë të Serbisë, ndërhynë dhunshëm ndaj protestuesve paqësorë, duke i rrahur dhe arrestuar shumë prej tyre. Përmes objektivave të kamerave të dhjetëra mediave ndërkombëtare, pamjet e protestës së 1 tetorit 1997, e kthyen Kosovën në një top lajm në mediat botërore. Me rektorin Ejup Statovci në ballë, krah për krah me shokët dhe shoqet studentë nga të gjitha fakultetet, atë ditë u kthyem në një trupë politike të admirueshme dhe të mbështetur nga pothuajse e tërë Kosova.
Rezistenca paqësore e popullit të Kosovës, e qendërzuar rreth organizimeve të lëvizjes studentore të studentëve të Universitetit të Prishtinës, i tregoi regjimit kriminal të Serbisë në Jugosllavi dhe botës demokratike në Perëndim, që shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur në rezistencën e tyre për jetësimin e vullnetit të tyre politik: për liri dhe për shtetndërtim.
Që nga viti 1991, regjimi i apartheidit i Serbisë që ishte instaluar në Kosovë mes viteve 1989 – 1991, i kishte përjashtuar studentët dhe profesorët nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, siç kishte bërë edhe me nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të mesme. Deri në shpërthimin e luftës në Kosovë, rreth 3000 shtëpi dhe lokale private u adaptuan në ambiente të improvizuara për zhvillimin e sistemit arsimor, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme. Protesta e 1 tetorit 1997, e theu dhe shembi figurën e mitizuar të “policit serb” të sfidueshëm siç e prishi edhe pasivitetin e tejzgjatur të rezistencës së viteve të fundit.
Protestat studentore të kthyera në demostrata popullore, i paraprinë dhe iu bashkangjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.
Duke i kujtuar shokët dhe shoqet studentë, profesorët e nderuar të Universitetit të Prishtinës dhe mijëra e mijëra qytetarë që patën vetëdijen dhe guximin për t’iu bashkuar lëvizjes studentore të UP-së në atë etapë aq të rëndësishme të rrugës së popullit të Kosovës drejt çlirimit të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot bëhen 28 vjet nga protesta e Lëvizjes Studentore e…