Kurti pas vdekjes së Dacit: Emër i rëndësishëm për shtetndërtimin e Kosovës

01 janar 2026 | 13:39

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeparlamentarit dhe ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka vlerësuar jetën dhe veprimtarinë politike dhe akademike të Dacit.

“Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, i zgjedhur dy herë kryetar, mes viteve 2000 – 2004 dhe 2004 – 2006. Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Nexhat Daci kishte lindur më 26 korrik 1944 në fshatin Tërnoc të Bujanocit. Pas shkollimit të mesëm në Leskoc, ai studioi për kimi në Universitetin e Beogradit, ku më 1968 e mbrojti edhe temën e magjistraturës. Në vitin 1973, Nexhat Daci doktoroi në Universitetin e Zagrebit, kurse në vitin pasues, kreu studime postdoktorale në Universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Që nga viti 1966 kur u zgjodh asistent në degën e kimisë, ai ligjëroi në Universitetin e Prishtinës, ku më 1984 u zgjodh profesor ordinar.

Nga viti 1994, Nexhat Daci u zgjodh anëtar korrespondent kurse nga viti 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, të cilën do ta drejtonte dy herë si kryetar i saj, mes viteve 1999 – 2004 dhe 2018 – 2019. Nexhat Daci është autor i shumë punimeve shkencore dhe veprave studimore nga fusha të ndryshme të kimisë”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka theksuar se Nexhat Daci do të mbetet një emër i rëndësishëm në historinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 40 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë…