
Kurti për Limajn: I kam bërë ofertë konkrete për bashkëqeverisje, bisedimet s’janë finalizuar
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës ka bërë me dije se i ka bërë ofertë konkrete.
“Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gadishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe qeverinë”, ka thënë Kurti gjatë një konference për medie në Qeverinë e Kosovës.
Kurti ka thënë se nuk mund të ofrojë hollësi pasi kjo ofertë ende nuk është konkretizuar në marrëveshje, duke theksuar se “nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik”, në mënyrë që të krijohen institucionet e reja.
Më tutje, Kurti ka thënë se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave. “Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, ka thënë Kurti.