Kurti përkujton Elfete dhe Mentor Humollin
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë homazhe te monumenti përkujtimor i ngritur në fshatin Lupç i Poshtëm, ku 34 vjet më parë ishte vrarë nga policia e Serbisë, Elfete Humolli, ku së bashku me vëllain e saj, Mentorin po protestonin për liri dhe republikë.
Kurti ka thënë se Elfete dhe Mentor Humolli u kujtofshin me nderime mes të rënëve për lirinë e Kosovës.
“Më 1 shkurt 1990, Elfetja bashkë me vëllain e saj Mentorin dhe me shumë të tjerë, kishte marrë pjesë në demonstratë kundër pushtetit represiv të Serbisë pushtuese, që i shtypte shqiptarët në Kosovë, i burgoste mbi baza politike dhe i diskriminonte mbi baza etnike. Elfetja ishte 16 vjeçare, kurse Mentori 13 vjeçar. Mes shtëllungave të tymit të gazit lotsjellës, policët e Serbisë shtinë mbi protestuesit duke i plagosur Eset Kaçiun, Ismet Krasniqin dhe Avni Retkocerin, kurse Elfetja nuk u mbijetoi plagëve. Ajo vdiq aty, teksa fjalët e fundit të saj ishin: ‘Ku është Mentori, a ka shpëtuar?!’”.
“Mentori kishte shpëtuar dhe e vazhdoi rrugën e të njëjtave ideale të lirisë, duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe duke luftuar me uniformën e saj derisa ra dëshmor më 21 maj 1999 në betejën e Koshares. Për t’i kujtuar së bashku, Elfeten dhe Mentorin, sot bëmë homazhe të monumenti përkujtimor i ngritur në fshatin Lupç i Poshtëm, afër vendit ku kishte rënë Elfetja 34 vite më parë. Mbi një gur masiv janë gdhendur emrat e Elfete dhe Mentor Humollit, kurse poshtë tij është vendosur një krua me ujë për udhëtarët. Me nderime u kujtofshin gjithmonë Elfete dhe Mentor Humolli, mes të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.



