Kurti përkujton Ilir Konushevcin dhe dr. Hazir Malajn

09 maj 2025 | 16:45

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Malaj, të cilët u vranë më 9 maj 1998 në një pritë gjatë një misioni furnizimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ilir Konushevci – Mërgimi i jepte shpresë dhe guxim luftës çlirimtare. Ai ishte në krye të logjistikës dhe furnizimit me armatim e municion për UÇK-në, në një kohë të vështirë kur ajo po përballej me një ushtri armike e cila ishte shumëfish më e pajisur”.

“Mëngjesin e hershëm të 9 majit 1998, 27 vite më parë, gjersa përshkonte rrugët mes Kosovës e Shqipërisë, pikërisht për të sjellë furnizim për UÇK-në, Ilir Konushevci – Mërgimi nga prita u plagos rëndë. Dr. Hazir Malaj i cili po e shoqëronte e mori mbi supe Ilirin të plagosur, për të ecur shtigjeve të maleve e dhënë ndihmën e parë, por përsëri autorët e pritës i goditën duke i vrarë e hedhur trupat e tyre poshtë një ure”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka shtuar tutje se: “Sot e përkujtuam vrasjen e dy dëshmorëve të kombit, duke bërë homazhe te varret e tyre bashkë edhe me familjarë, kabinetin qeveritar, deputetë, miq e dashamirë. Kur kujtojmë dëshmorët e kombit, heronjtë tanë të cilët kanë punuar aq shumë në vitet e ‘90-ta në mënyrë që të mund të luftojmë siç duhet në vitet 1998-’99, padyshim që duhet ta kujtojmë edhe faktin se kishim luftëtarë çlirimtarë edhe para luftës çlirimtare. Ilir Konushevci – Mërgimi ishte i tillë. Pa njerëz si Iliri nuk do të mund ta kishim luftën çlirimtare, pa të cilën nuk mund të kishim dot as lirinë e shtetin që i gëzojmë sot. Lavdi Ilir Konushevcit – Mërgimit, Dr. Hazir Malaj dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje përsëri…