Kurti po shndërron krizën në strategji politike, në dëm të shtetit

30 qershor 2025 | 18:23

Shkruan: Hisen Berisha 

(Deputetët të veprojnë nën shembullin e Minatorëve të Trepçës)

Kur një vend përballet me krizë kushtetuese dhe institucionale, liderët me përgjegjësi politike kërkojnë zgjidhje, ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe vënë interesin e shtetit mbi çdo llogari të ngushtë pushteti. Ata tregojnë pjekuri, e jo arrogancë numerike; jo hakmarrje politike, por përgjegjësi. Por kjo nuk është rruga që po ndjek Albin Kurti.

Në vend se të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e bllokadës së krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ai ka zgjedhur përballjen. Në vend të dialogut gjithëpërfshirës, ai ka zgjedhur provokimin e qëllimshëm politik.

Për Kryetare të Kuvendit, Kurti ka propozuar Albulena Haxhiun – një figurë që në vend se të unifikojë, ndan. Në vend se të përfaqësojë unitet institucional, ajo mishëron krizën e vetë partisë së tij: pa integritet institucional, me dosje të hapura gjyqësore, dhe e lidhur drejtpërdrejt me përpjekjet për të kapur drejtësinë.

Ky emërim nuk është zgjedhje për konsensus. Është provokim. Është shkelmim i çdo mundësie për zgjidhje. Është përçmim ndaj të gjithë atyre që kërkojnë dalje nga kriza përmes bashkëpunimit politik dhe institucional.

Përmes poshtrimit të votuesve të tyre duke i etiketuar për miopi e analfabetizëm, ka krijuar mendësinë që arroganca të konsiderohet si përfaqësim.

Për më tepër, Albin Kurti nuk e ka legjitimitetin që pretendon. Lista Vetëvendosje ka marrë 42.3% të votave – por brenda këtij rezultati janë edhe votat e partive tjera si Guxo dhe Alternativa që përfaqësojnë rreth 17% të ulëseve në Kuvend. Realisht, LVV ka rreth 25% të mbështetjes popullore. E megjithatë, ai sillet si një shumicë absolute.

Sot, ajo çka kërkon Kosova nuk është numërim mandatesh, por kapërcim krize. Kjo nuk është kohë për dominancë politike, por për konsensus. Ndërsa Kurti – i papërgjegjshëm dhe me vetëdije për pasojat – po e shtyn vendin drejt përplasjes institucionale me pasoja të rënda për rendin demokratik dhe sigurinë kombëtare.

Mënyra se si po sillet në Kuvend tregon qartë se, nuk është duke kërkuar marrëveshje, por përplasje. Ai po provon të ndryshoj në mënyrë arbitrare mënyrën e votimit në seancën konstituive – pa përfillur dhe ndesh me standardin e vendosur me Kushtetutë dhe Rregulloren e punës së Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës është kthyer në një laborator manipulimi politik, ndërsa Kurti luan rolin e regjisorit – pa dinjitet, pa legjitimitet, dhe pa përgjegjësi. Në sallë shërbehet si aleat i heshtur i Kurtit edhe Lista Serbe – për të cilën Kurti, sipas vetë deklarimeve të tij, llogarit vota për të formuar qeveri, por jo për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit.

Loja me shtetin, besimin e popullit, dhe me përkushtimin e aleatëve perëndimorë të kombit tonë, është një shërbim i padukshëm ndaj Beogradit.
Në vend që të krijojë aleanca për stabilitet, Kurti ndërton skena për konflikt. Në vend që të afrohet me opozitën, i vë asaj etiketa. Në vend që të ndërtojë konsensus, ai e polarizon Kuvendin dhe shoqërinë.

Dhe kjo nuk është rastësi. Ky nuk është vetëm mosveprim institucional – është strategji për krizë të kontrolluar, në trajtën e përplasjes civile apo trazirës sociale që konvencionalisht quhen luftë civile, me përfitime politike të njëanshme (përmes eliminimit politik të kundërshtarëve politikë dhe ideologjikë) dhe pasoja të qëllimshme për rendin kushtetues dhe sigurinë.
E gjithë kjo ndihmon vetëm një aktor: Beogradin, i cili kërkon me çdo kusht të provojë se Kosova është e paqëndrueshme dhe e paaftë për vetëqeverisje.

Opozita nuk duhet të heshtë dhe populli e Kosova kërkon qëndresë politike. Në këtë situatë, opozita – sidomos blloku i djathtë – nuk guxon të jetë spektator. Ajo duhet të veprojë si diga e fundit kundër kapjes përfundimtare të shtetit, duke organizuar shoqërinë civile dhe aktivizuar qytetarët në mbrojtje të demokracisë.

Deputetët e opozitës duhet të qëndrojnë/ngujohen në sallën e Kuvendit – nën shembullin dhe ashtu siç qëndruan dikur minatorët e Trepçës në thellësitë e errëta të tokës, përballë regjimit okupues të kohës.
Sot nuk ka kërcënim me armë, por ka një kërcënim më të rafinuar: shkatërrimi i institucioneve përmes manipulimit dhe monizmit, i cili e zhvesh shtetin nga sovraniteti dhe popullin nga përfaqësimi real.

Qytetarët besoj tashmë e kanë kuptuar realitetin se ky nuk është përfaqësim por është krizë e orkestruar.
Ata e shohin se kjo nuk është më politikë normale, por përpjekje për të mbajtur pushtetin me çdo mjet, edhe me cenimin e demokracisë.

Në vend të reflektimit, Kurti ofron kërcënim institucional. Në vend të kompromisit, ai përdor krizën si armë politike.

Shteti i Kosovës nuk është pronë e një partie. As vota nuk është leje për përçarje. Është koha për rezistencë politike dhe qytetare. Është koha për përgjegjësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LeBron Jamesi do ta ushtrojë opsionin prej 52.6 milionë dollarësh…