Kurti: Qeveria do të jetë përherë pranë komunave që u prekën nga vërshimet, duhet hetim për shkaktarët

25 janar 2023 | 11:26

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë ka folur në lidhje me dëmet e shkaktuara nga vërshimet në disa komuna të vendit.

Kurti ka thënë se komunave, familjeve, bizneseve e qytetarëve nga zonat e prekura, qeveria do t’iu qëndrojnë pranë përherë.

“Ndihma nga qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva bashkë do të ngritën”, është shprehur Kurti.

Më tutje, Kurti ka paralajmëruar se teksa po punojnë për të sanuar dëmet e shkaktuara, qeveria duhet të merret edhe me shkaktarët e shkallës së vërshimeve.

“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksplantimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyjeve, sistemet joadekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhës, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës publike si dhe ndryshimet klimatike globale, padyshim që i kanë ndihmuar, shpejtuar, shpeshtuar përmbytjet në vendbanimet tona”, është shprehur Kurti.

Kreu i qeverisë tha se duhet edhe hetim për veprimet, sipas tij, të jashtëligjshme në dëm të ekosistemit, teksa ka thënë se nuk mjafton rimëkëmbja nëse nuk nxirren mësime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se janë përzgjedhur përzgjedhësit…