
Kurti: Rritja e pranisë ushtarake serbe pranë kufirit, reagim ndaj ushtrimit ‘Defender Europe 25’
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, ka deklaruar se Kosova është njëra nga 18 vendet nikoqire të ushtrimit më të madh ushtarak të ushtrisë së ShBA-së në Evropë, “Defender Europe 25”.
Ai ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke marrë pjesë me rreth 1 000 trupa dhe se në Gjakovë është vendosur komanda e Divizionit 28 amerikan.
Kurti ka nënvizuar se pjesëmarrja dhe organizimi i këtij ushtrimi dëshmon përgatitjen dhe kapacitetin e institucioneve të Kosovës për të menaxhuar operacione ushtarake komplekse.
“Aktualisht në tri zona gjeografike në kontinentin e Evropës është duke u realizuar ushtrimi më i madh që Ushtria e ShBA-ve organizon dhe realizon në kontinentin e Evropës, ‘Defender Europe 25’, me pjesëmarrje të 25 mijë trupave nga 29 vende të NATO-s. Republika e Kosovës ka nderin dhe kënaqësinë të jetë në mesin e 18 vendeve nikoqire, dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1 000 trupa në ushtrimet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut. Këtë radhë Republika e Kosovës është vend i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë. Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane po udhëheq me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore”, ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për rritjen e pranisë ushtarake serbe pranë kufirit, duke e lidhur si reagim ndaj këtij ushtrimi ndërkombëtar.
“Institucionet tona dhe ushtria jonë po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë. E rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë besojmë që është reaksion ndaj ‘Defender Europe 25’, por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia”, ka thënë Kurti.