
Kurti takohet me Ramën në Slloveni, Minxhozi jep detaje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe homologu i tij nga Shqipëria, Edi Rama janë takuar në margjinat e Forumit të Bledit në Slloveni.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi i ka thënë “Report TV” se të dy kryeministrat kanë zhvilluar takime kokë më kokë në Bled, dhe se kryeministri Albin Kurti do të jetë pjesë e samitit të 16 tetorit në Tiranë.
Ky është takimi i parë në mes të krerëve të qeverive shqiptare që pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive më 14 qershor në Gjakovë.
Tetë kryeministra, kryesisht të rajonit, tre presidentë, presidenti i Këshillit Evropian, 14 ministra të jashtëm dhe shumë të ftuar të tjerë të nivelit të lartë marrin pjesë në sesionin e 18-të të Forumit Strategjik Bled, i cili mbahet çdo vit në fund të verës në mjedisin piktoresk alpin të liqenit Bled, Slloveni.