
Kurti vizitoi për ngushëllime familjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ekrem Jashari
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kabinetit dhe deputetë të Kuvendit, vizitoi për ngushëllime familjen Jashari, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Ekrem Jashari.
Ai i shprehu familjes dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit të tyre.
Për të ndjerin, kryeministri u shpreh se ishte veprimtar vetëmohues dhe punëtor i pandalshëm i çështjes kombëtare, dhe se idealet e tij për liri të popullit, përparim të Republikës dhe bashkim të kombit do të rrojnë me secilin brez pas tij.
Ekrem Jashari vdiq më 22 qershor. Ai ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj dhe prej figurave të njohura dhe të respektuara të çështjes kombëtare.
Shënimi i kryeministrit Kurti në librin e kujtimeve:
Baca Ekrem ishte veprimtar vetëmohues dhe punëtor i pandalshëm i çështjes kombëtare. Liria e popullit, përparimi i Republikës dhe bashkimi i kombit janë idealet e tij që do të rrojnë, lartësohen e realizohen me secilin brez pas tij.
Me nderime e mall, Albin Kurti
Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës