
Kurti viziton u.d e QKUK-së Osman Hajdarin, dënon sulmin ndaj tij
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar Osman Hajdarin, ushtruesin e detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kurti ka dënuar ashpër sulmin ndaj veturës së Hajdarit, që ndodhi ditën e mërkurë.
“Se krimi i organizuar dhe aksionet me elemente terroriste nuk i trembin drejtorët tanë e dëshmon deklarata publike e djeshme e z. Osman Hajdari, U.D. i Drejtorit të QKUK-së. Bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia e takuam sot atë si dhe Drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi. E dënoj ashpër sulmin ndaj drejtorit Hajdari dhe i bëj thirrje organeve të rendit e të drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe kryesit e këtij akti kriminal të sillen para përgjegjësisë”, ka pohuar Kurti.
Ai ka shtuar tutje se “në çdo institucion publik kemi ndërmarrë reforma të thella që në thelb kanë mbrojtjen e interesit publik e shërbime më të mira për qytetarët”.
“Këto reforma kanë prekur interesa të ngushta të klaneve të ndryshme të instaluara për më shumë se 20 vjet në çdo pore të institucioneve tona”, ka theksuar Kurti.
Mes tjerash, ai shtoi se “akte të tilla jo vetëm që nuk na ndalin, por na bëjnë edhe më këmbëngulës në punët e mira që po bëjmë”.
Ndryshe, të mërkurën në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndodhur një incident, ku është dëmtuar vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka thënë se dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, ndërkaq automjeti ishte i parkuar në hapësirat zyrtare të administratës në momentin e ngjarjes.