Kurtin për ‘AFP’-në: Duhet t’i normalizojmë raportet me Serbinë, na duhet fitore vendimtare në zgjedhje, mbi 50 %

24 dhjetor 2025 | 12:56

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë franceze AFP, ka folur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen këtë të diel, më 28 dhjetor, si dhe për raportet me Serbinë, ndikimin rus në rajon dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje synon një fitore të qartë dhe vendimtare, duke theksuar se rezultati duhet të kalojë pragun prej 50 për qind të votave.

“Na duhet një fitore vendimtare. Në shkurt fituam me 42.3 për qind dhe kësaj radhe synojmë ta tejkalojmë 50 përqindëshin”, ka thënë Kurti për “AFP”.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Kurti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve është i domosdoshëm, por shumë i vështirë për shkak të, siç e quajti ai, regjimit autoritar në Serbi.

“Ne duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Por normalizimi me një fqinj që nuk të njeh dhe që nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës është jashtëzakonisht i vështirë. Ekziston një marrëveshje për normalizim dhe ajo duhet të zbatohet, çka nënkupton njohje të ndërsjellë, të paktën de facto”, është shprehur Kurti.

Ai ka theksuar se për rifillimin e dialogut, Serbia duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, të cilin autoritetet e Kosovës e akuzojnë si organizator të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kurti ka thënë se pret që Bashkimi Evropian, veçanërisht Gjermania dhe Franca, të rrisin presionin ndaj Beogradit për dorëzimin e Radoiçiqit.

Në intervistë, Kurti ka shprehur shqetësim edhe për ndikimin e Rusisë në rajon, duke theksuar lidhjet e ngushta mes Moskës dhe Beogradit.

“Ka shumë lidhje mes dy vendeve dhe në përpjekjet e saj drejt Evropës Perëndimore, Rusia mund të llogarisë te Serbia si aleate. Kjo është shqetësuese për Kosovën, por ne po punojmë me partnerët tanë për ta parandaluar këtë”, ka thënë ai.

Kurti ka folur gjithashtu për marrëveshjen me ShBA-në për pranimin e 50 emigrantëve nga vendet e treta, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara. Deri më tani, sipas tij, në Kosovë ka mbërritur vetëm një emigrant.

“Ne nuk po kërkojmë ndihmë financiare në këmbim. Këtë po e bëjmë për ta ndihmuar ShBA-në, e cila është partnere, aleate dhe mike e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kosova të arrijë marrëveshje të ngjashme edhe me vende të tjera evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kujtesa Veliu nga Brodosana e Dragashit shpall të pavlefshme deftesën…