
Kurtit s’i pëlqen pyetja pse vajza e tij nuk shkollohet në Kosovë
Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, s’i ka pëlqyer një pyetje që ia bënë gazetarët gjatë përurimit të një çerdheje në Orllan të Podujevës.
Kurti është pyetur se pse s’po e shkollon edhe vajzën e tij në Kosovë derisa po lavdëronte punën e tij në arsim.
“Në vazhdimësi po përkrahni projekte në arsim, a s’janë këto të mjaftueshme që edhe vajza juaj të shkollohet në Kosovë?”, ishte pyetja e gazetares së “Klan Kosovës”.
“Unë po ju falënderoj shumë që po i ndiqni këto investime që po i bëjmë ne këtu, dhe natyrisht që unë kujdesem për të gjithë fëmijët e Kosovës dhe po bëjmë atë që s’ka bërë asnjë qeveri para neve. Madje, të gjitha qeveritë marrë së bashku nuk mund të krahasohen me numrin e çerdheve që kemi hapur ne. Katër çerdhe për 18 vjet në njërën anë dhe në anën tjetër i kemi për vetëm katër vjet 65 çerdhe ose të ndërtuara ose në ndërtim e sipër”, ka thënë Kurti, duke i’u “hakmarrë” asaj menjëherë.
“Sa i përket televizionit tuaj, besoj që ju duhet t’u thoni pronarëve që t’ia ktheni 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kurti ka një vajzë me bashkëshorten e tij norvegjeze, Rita Augestad Knudsen, e cila jeton në Norvegji.