Kusari: RTK-ja po shfrytëzohet nga Qeveria dhe LV-ja për inate politike

14 nëntor 2025 | 13:24

Por mosekzekutimin e pagës as në ditën e 14 të muajit nëntor për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), juristja e medias, Flutura Kusari e ka drejtuar gjithë përgjegjësinë mbi kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që sipas saj po bëhet vetëm për inate politike meqenëse nuk pati mundësinë ta bëjë gjithë RTK-në të nënshtrohet ndaj pushtetit të tij.

“Ajo që po shohim tani, ku kemi 700 punëtorë dhe rrjedhimisht 700 familje ende pa marrë pagat mujore, është vazhdimësi e ngecjes që Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje i bëjnë RTK-së. Kjo është vetëm një problem, por RTK-ja është duke u përballur me shumë probleme të tjera. Gjashtë dekada të fundit kanë dëshmuar degradimin e këtij institucioni, duke filluar nga mosgjetja e zgjidhjes për pronësinë. Pra, RTK-ja nuk ka pronë të vetën, dhe nëse shkoni dhe shikoni kushtet në të cilat punojnë gazetarët, do të shihni kushte të mjerueshme. Është turp të shkojë njeri në një institucion publik dhe të shohë kushte kaq të rënda pune. Pastaj, është edhe problemi i financimit dhe buxhetit, për të cilin duhet të gjendet një zgjidhje afatgjatë që mundëson edhe pavarësinë e saj. RTK-ja nuk ka ligj që e rregullon, e mos të flasim për menaxhmentin, i cili ka njerëz që janë ushtrues detyre dhe që kanë përfunduar mandatin, por janë aty për arsye të bindjeve politike të LV-së. Kjo që po shohim në RTK është një ngecje e madhe e këtij institucioni, që ka një rol të jashtëzakonshëm për informimin e publikut”.

“Një element tjetër është përdorimi i RTK-së për arsye politike, si mjet politik nga ana e Kryeministrit Kurti dhe LV-së. Jemi në një situatë politike ku LVV-ja nuk ka vota as për të formuar Qeverinë dhe as për të konstituuar Kuvendin e Kosovës në mënyrë të plotë. Çfarë po bëjnë ata? Po kërkojnë, çdo gjë që mund të përdorin si mjet për të shantazhuar partitë opozitare. Nuk ka asnjë detyrim për partitë opozitare të mbështesin LV-në, as për kryeministrin, as për Parlamentin, as për buxhetin e RTK-së. Kushdo që thotë se buxheti i RTK-së duhet të gjejë zgjidhje përmes opozitës është thjesht vazhdimësi e propagandës që ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje. Ajo që duhet të ndodhi është që në gusht, Kryeministri të kishte nënshkruar një vendim që e lejonte transferimin e mjeteve, dhe ky vendim duhet të përsëritet tani. Kam dëgjuar se po bëhet fjalë për ndarjen e pushteteve dhe se Kryeministri Kurti nuk do të ndërhyjë në Parlament. Pyetja ime është: Çfarë ka ndodhur që nga gushti deri tani, që i njëjti vendim nuk po merret? Pse ishte i ligjshëm në gusht dhe tani nuk është?”, deklaroi Kusari në një intervistë për Ekonomia Online.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka përjashtuar çdo mundësi që…