Kush duhet të nxjerr mësim nga mocioni?

26 mars 2020 | 13:10

Shkruan: Perparim Ahmeti

Votimi i mocionit të mosbesimit mbrëmë nga LDK dhe opozita, përpos që ishte një votim normal për rrëzimin e një qeverie, ishte edhe një shprehje e një frike që ishte akumuluar nga partitë pozitës dhe opozitës, ku përmes 82 votave shprehet një protestë që duhet analizuar me kujdes nga të gjthë. LDK si parti e dytë, luftën për tu përballur me LVV e filloi qysh gjatë procesit të negociatave për formimin e qeverisë. Dhe, mu këtu qëndron problemi i këtij koalicioni.

Nominimi i Agim Veliut për ministër te brendshëm (Ministria me e proklamuar nga LVV) i cili në te njëjtën kohë ishte kryetar komune, mund të karakterizohet si një veprim, të cilin mund ta kishin planifikuar vetëm një grup i njerëzve në LDK. Kjo është një enigmë e cila ndoshta kurrë nuk do të zbardhet. Beteja tjetër e LDK’së për tu pozicionuar brenda koalicionit ishte ‘karta amerikane’. Këtë kartë LDK e luajti në formë shumë të hapur, duke përdorur ambasadorin Grenell përmes takimeve në Berlin dhe ato përmes Skender Hysenit në Washington.

Ky komunikim i njerëzve të LDK’së të cilët po të shikonin interesin e vendit do të duheshin të luftonin brenda koalicionit për një qëndrim të përbashkët vendor kundrejt Serbisë. Këtë lojë të LDK’së për fat të tij Albini nuk mundi ta menaxhojë më së miri.

Natyrisht e kuptueshme për një person i cili është në fillim të karrierës institucionale. Ai, këtë çështje me siguri mund ta kishte menaxhuar më mirë pas disa muajve përvojë në qeverisje. Kjo është absolut normale dhe vlen për të gjithë njerëzit të cilët në publik njihen si persona të prirur për t’i besuar bashkëbiseduesit.

Por, problemet e qeverive të shkurta në Kosovë, si duket zanafillën e kanë mu në zyrat e Kryeministrisë. Për fatin e tyre, gati të gjithë Kryeministrat e Kosovës kanë vepruar dhe kanë nxjerrë vendime të shpejta pa analiza më të thella për konsekuencat. Nëse i analizojmë zyrat këshilluese të ish-kryeministrave të Kosovës, shumë qartë e vëreni se këshilltarët e ish-kryeministrave janë dostat, dostat e dostave, dostat e biznesit e shumë dosta tjerë.

Pra, në vend qe kryeministrat të angazhojnë eksperta të gjitha fushave sektoriale nga ekspertiza vendore dhe ndërkombëtare për te etabluar një zyrë të fuqishme këshillëdhënëse per t’i mundësuar kryeministrave të mos marrin vendime ad-hoc, të shpejta dhe të pa analizuara, ata etablojne zyrat me persona sa për t’i shpërblyer me një rrogë apo për tu kryer ndonjë punë apo biznes.

Për derisa nuk vendoset një standard i tillë në qeverisje, do te kemi avaz të njejtë te vendimeve të shpejta të pa analizuara dhe shpeshherë të dëmshme për vet nënshkruesit e tyre.

Në aktualitetin e sotëm, një ditë pas mocionit, shihet që LVV është fituesja absolute e cila nuk e kishte luksin të bëjë ndonjë gabim nga siç u cek më lartë dhe si rrjedhojë ajo do të ketë një ngritje të fuqishme elektorale. Nëse nga ky mocion, LVV nuk nxjerr mësim eventual, nuk mund të llogaris në përkrahjen dhe simpatinë që ajo e ka fituar mbrëmë.

Gjithsesi, LVV duhet te dijë që kjo përkrahje dhe simpati, nuk është si rezultat i qeverisjes së sajë (sepse për 50 ditë nuk mund të vlerësohet), por si rezultat i keq qeverisjeve të kaluara.

Në mocionin e mbrëmshëm, mësime duhet të nxjerrin edhe partitë tjera, nëse te njëjtat duan të garojnë me Vetëvendosjen për t’i fituar zgjedhjet. Tani kur me Albin Kurtin, standardi i qeverisjes dhe lidershipit është ngritur në një nivel shumë të lartë, partitë tjera duhet ta analizojnë shumë thellë këtë situatë sepse përndryshe i pret një debakël zgjedhor.

Gabimet e rënda që janë shkaktuar nga vendimet e pa analizuara të qeverive të kaluara, sidomos marrëveshja për demarkacionin dhe asociacionin, janë nje fakt që në të ardhme qeveritë e Kosovës nuk duhet ta bëjnë. Për t’i ikur përgjegjësisë, ish kryeminsitrat kanë përdorur komisione të formuara ad/hoc dhe pa bazë ligjore, ne mënyre qe projektet e tyre t’i shtyjnë përmes këtyre komisioneve dhe t’iu shmangen përgjegjësive eventuale. Shembulli më i mirë i këtyre akrobacioneve është demarkacioni me Malin e zi.

Qeveritë e kaluara formonin komisione për demarkacion për të negociuar kufij shtetëror. Kjo është absurde dhe jo ligjore, sepse demarkacioni nuk mund te realizohet nga komisionet ad-hoc por përmes ligjit. E ligji per kadastër në nenin 21, pika 3, saktëson se, citojmë: ‘Punët gjeodezike për vendosjen e rrjetit referent shtetëror, rrjetit të nivelimit dhe aktiviteteve tjera gjeodezike si dhe përcaktimin dhe shënimin e vijës kufitare shtetërore janë kompetence e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe rregullohen me akte te veçanta nënligjore’.

Pra, zëvendësimi i organeve profesionale shtetërore me komisione ad/hoc të caktuara me vendime qeveritare për çështje të territorit, tregojnë për një gabim të rëndë, që asnjë kryeminister në të ardhmen nuk duhet ta bëjë, e sidomos në definimin e ardhshëm të kufijve me Serbinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në dorëheqje i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZh),…