Kush është deputeti 30-vjeçar që i dha fund jetës brenda Parlamentit në Finlandë
Një deputet i ri finlandez i ka dhënë fund jetës në ndërtesën e parlamentit të vendit, vetëm disa javë pasi zbuloi problemet e tij shëndetësore. Deputeti i SDP-së, Eemeli Peltonen, 30 vjeç, u konfirmua se kishte vdekur sot rreth orës 11:00.
Ai e fitoi mandatin e tij të parë si ligjvënës në vitin 2023 dhe ishte anëtar i Komitetit Administrativ dhe Komitetit Ligjor, si dhe këshilltar i qytetit të Järvenpää dhe kryetar i bordit të qytetit.
Në qershor, Peltonen zbuloi në mediat sociale se po merrte trajtim për probleme me veshkat dhe kishte marrë disa javë pushim nga detyrat e tij parlamentare për t’u rikuperuar në shtëpi. Më vonë ai zbuloi se kishte kontraktuar një infeksion bakterial ndërsa po trajtohej.
“Për të kontrolluar bakteret, më filluan një kurë me antibiotikë intravenozë në [spital], gjë që do të kërkojë kohë. Në të njëjtën kohë, trajtimi për problemet e mia me veshkat do të vazhdojë”, kishte shkruar ai.
Policia që po heton incidentin thuhet se nuk dyshon për ndonjë atentat, ndërsa edhe ndihmësit mjekësorë ndodhen në vendngjarje. Shërbimet e urgjencës thuhet se kanë marrë një telefonatë në orën 11:06 të paradites së sotme.
Transmetuesi finlandez Yle raportoi se të paktën një ambulancë, një zjarrfikëse dhe dy automjete policie ishin të pranishme në ndërtesën e Parlamentit.
Peltonen u zgjodh në parlament në vitin 2023 me gati 6,000 vota. Ai e filloi karrierën e tij politike në moshën 18 vjeç, pasi u zgjodh në këshillin e qytetit të tij lokal me 153 vota. Vetëm në moshën 22 vjeç, ai u bë kryetar i këshillit të qytetit të tij, personi më i ri që mbante këtë pozicion.
Ai u diplomua nga Universiteti i Helsinkit në vitin 2020 me një diplomë masteri në Shkenca Politike.
Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo tha se grupi ministror i Partisë së Koalicionit, partisë në pushtet, do të “ndalojë së foluri për politikë” për një kohë në përgjigje të tragjedisë. Ata e cilësojnë Peltonen si një koleg të pëlqyer dhe të respektuar përtej vijave partiake.
Parlamenti i Finlandës është aktualisht në pushim, me sesionin e vjeshtës që është planifikuar të fillojë më 2 shtator.



