
Kush janë kandidatët më të votuar në Tiranë, mbeten pa mandat deputeti Ilir Meta dhe Pandeli Majko
Procesi i numërimit të votave preferenciale në Tiranë ka nisur dhe sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri tani janë numëruar 87 nga gjithsej 1282 kuti votimi. Rezultatet paraprake po japin një panoramë të qartë të prurjeve të reja dhe të figurave që rrezikojnë të mbeten jashtë Kuvendit të ri. Partia Socialiste ka siguruar deri më tani 19 mandate në qarkun e Tiranës, që do të thotë se 7 prej tyre do të ndahen sipas votës preferenciale. Deri në këtë fazë, më të votuarit në listën e hapur të PS-së janë:
Blendi Gonxhja – 5,112 vota
Fatmir Xhafaj – 1,906 vota
Erion Braçe – 933 vota
Ornaldo Rakipi – 927 vota
Ervin Hoxha – 660 vota
Anila Denaj – 381 vota
Xhemal Qefalia – 351 vota
Emra të njohur si Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Etilda Gjonaj rezultojnë aktualisht jashtë listës fituese.
Në kampin opozitar, Partia Demokratike ka rikuperuar një mandat nga Partia Mundësia, dhe Ilir Alimehmeti është më i votuari me 1,127 vota, i ndjekur nga Jorida Tabaku me 1,009 vota, të cilët sigurojnë dy mandatet nga lista e hapur e PD-së.
Partia Mundësia, ndonëse ka humbur një mandat, do të përfaqësohet në Kuvend nga Agron Shehaj, i pari në listën e mbyllur. Kjo parti nuk do të ketë përfaqësim nga lista e hapur, pasi Erald Kapri nuk ka siguruar mjaftueshëm vota.
Nisma Shqipëria Bëhet arrin të çojë në Kuvend Adriatik Lapajn, i cili ka marrë më shumë vota se kandidati i saj tjetër, Endri Shabani.
Në të kundërt, Lëvizja Bashkë do të përfaqësohet në Kuvend nga Redi Muçi, i pari në listën e mbyllur, ndërsa Arlind Qori, ndonëse figurë publike e njohur, mbetet jashtë.
Partia Socialdemokrate (PSD) siguron një mandat përmes listës së mbyllur, që i shkon Albana Pëllumbit.
Aktualisht, jashtë Kuvendit mbeten figura të rëndësishme politike si Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, Myslym Murrizi, Asllan Dogjani, dhe Arlind Qori.