Kush po guxon t’i thotë çlirimtarëve ‘me listën serbe’?
Shkruan: Donika Shahini-Lami
E vështirë me e dëgju shqip….
Mua s’më kalon lehtë kjo që po ndodh. Si dikush që e ka parë luftën me sy, që ka jetuar gjenocidin serb dhe që e di saktë çfarë ka kaluar ky vend, më dhemb dhe më indinjon ajo që po shoh sot dhe që po lexoj gjithandej!
Nuk bëhet politikë me gjak, me sakrifica, as me plagët e kombit!
Ju lutem, të gjithë ju që e keni gjakun kuq e zi, mos bini pre e lojërave të pista politike. Kështu na duan të përçarë, të hasmëruar, të dobët.
Mos u përgjigjni njerëzve që s’kanë as njohje, as histori, as përgjegjësi në shpatulla. Njerëz që s’kanë asnjë ditë të kaluar në mbrojtje të vendit, asnjë kontribut në çlirim dhe asnjë pikë respekti për sakrificën e brezave që na sollën këtu ku jemi.
Kosovën e lirë e kanë gjetur të gatshme. Të bërë prej Ilazit, Ademit, Hamzës, Zahirit, Abejës, Ramushit, Ramizit, Fehmiut, Hashimit, Kadriut, Elmiut, Feratit, Rexhës, Fatmirit, Latës, Remit, Nasmit, Jakupit, Esatit, Bekimit, Feridit, Samiut, prej shumë burrave e grave të UÇK-së… prej Debes, Xheves, Gales, Meritës, Elhames, Vlorës, Mervetit, Dritës, Fidajetit, Elmazit, Lindës, Shqipes, Ramizes, Hasimes, Hyres, Shefkijes, e shumë e shumë grave e burrave, por edhe prej meje, edhe prej tjerëve që e kemi jetuar e punuar për luftën dhe e kemi mbrojtur këtë vend pas saj.
Të akuzosh këta njerëz se paskan lidhje me Lista Serbe, është fyerja më e rëndë që mund t’i bësh historisë së Kosovës. Është baltosje mbi gjakun e dëshmorëve dhe mbi dhimbjen e mijëra familjeve.
Unë kam qenë 19 vjeçe kur kam parë trupat e masakruar të familjes Jashari. Kam parë gjenocidin në Reçak. Para syve kam Haxhiun dhe Besimin, të vrarë bashkë me babën e tyre mbi traktor në Rakovinë. Po….dëshmitare e Rakovinës jam. Kam parë Qirezin e Likoshanin. Kam parë fëmijë të vrarë, gra të dhunuara, familje të shpartalluara. Kam fotografuar trupa, kam larguar kufoma nga rruga. Kam intervistuar shpirta të shkatërruar. Kam ngushëlluar qindra nëna e baballarë. Vdekjen e kam pasur përballë, çdo ditë. Për dy vite…. gjithandej!
Pas luftës, kam vazhduar të njëjtën rrugë. 15 vite punë me rastet më të rënda, gra të dhunuara, burra të torturuar, fëmijë të traumatizuar. Nëna që janë dhunuar para familjarëve. Nëna që ua kanë dhunar vajzat e tyre të mitura para syve. Burra të përdhunuar e dhunuar.
Lexoni me kujdes, çdo ditë i falemnderohem Zotit që ma len mendjen në kokë. Por, ta dini kurrë ma shumë se këto ditë nuk kam qenë ma e lumtur që kurrë pozitë e pagë të buxhetit të Kosovës nuk kam pas. Asnjëherë! Sepse kurrë nuk jam jargavitë për pushtet por kam luftu për shtet. Por falmnderit Zotit se po të kisha pasur pozitë, e po të më përpjekëte puna me disa disa të politikës që pa pikë turpi po njollosin çdo gjë të shenjtë, e me dëgju etiketime të tipit: ” me listen serbe e me sërb…” nuk e di, nuk e di….
Nuk e di ku isha ndal veç e di që në emer të shkrumit të atyre fëmijëve që i kam pa me sy tek
mbyllin sytë, në emer të atyre gjymtyrve që kam varrosur, për nderë ….. nuk i kisha duru.
Kisha reagu siç e meritojnë me gjuhen e tyre!
Edhepse e vetdijshme se janë aq keq sa nuk duhet me i regjistru fare… as mos me i komentu nuk duhet se .. për pushtet e vota e kanë!
Por po më djegë ky realitet. As Serbia more nuk po na fyen deri në këtë nivel. Mjerana, ne veç Serbinë e kemi luftu edhe e kemi largu. Poshtetin merrne, nginu e frymen ua marrtë por mos guxoni me prekë ku nuk
preket!
Nuk janë të gjithë t’vdekur në këtë vend!
Kam punuar pa u përkulur, pa kërkuar favore, pa përfituar poste. Prandaj, kur dikush përdor emrin tim apo të kolegëve të mi, duke na vendosur në kontekst me “liste serbe”, atëherë e dini fare mirë se po prekni gjënë më të shenjtë që kemi, sakrificën tonë dhe kjo s’duhet toleruar.
Ju lutem, mos i faktorizoni këta njerëz. Mos u jepni peshë. Injorojini. Këto janë lojëra për pushtet, për vota, për përçarje.
Sepse dorën në zemër duhet të jesh krejt jashtë realitetit për t’u drejtuar njerëzve si Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Sali Mustafa, Elmi Reçica, Jakup Nura, Ferat Shala, Ganimete Musliu e shumë të tjerë, me fjalinë: “Jeni me Listën Serbe”.
Kjo nuk është as politikë, as debat.
Kjo është përdhunim i së vërtetës, plagosje e historisë dhe ri aktivizim i traumës së një kombi që ende s’e ka marrë veten.
Dhe për këtë, përgjegjësia është e madhe.
Shumë e madhe dhe shumë realitet i rrezikshëm. Uroj që çlirimtarët me e ruajte qetësinë, fundja e kanë fitu Serbinë e nuk po i fitojnë ca mendje të kalbura!
Por e vështirë me e dëgju shqip…



