
Kushtetuesja: Avni Dehari tejkaloi kompetencat formale dhe solemne me veprimet e përsëritura për ta mbajtur seancën
Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Pas publikimit të tij, nis edhe rrjedhja e afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit.
Kushtetuesja ka theksuar shkeljet e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, me veprimet e tij të përsëritura.
Sqarimi për këtë çështje është bërë në pikën e 126-të të aktgjykimit të Kushtetueses.
“126. Në vijim të elaborimit, gjykata vëren se në seancat e mbajtura për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor pas hyrjes në fuqi të Aktgjykimit në rastin KO124/25, përkatësisht nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 nuk është arritur që të votohet kandidati/tja për kryetar të Kuvendit. Për pasojë, gjykata vlerëson që veprimet e përsëritura të Kryesuesit për të zhvilluar dhe bashkërenduar mbajtjen e Seancës Konstituive në përputhje me aktgjykimin e gjykatës në rastin KO124/25, përbëjnë tejkalim të kompetencave formale dhe solemne të ndërlidhura me rendin e ditës së seancës konstituive, e cila njëherësh ka pasur për pasojë moskonstituimin e Kuvendit sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës”, është thënë në arsyetimin e aktgjykimit.