
Kushtetuesja rrëzon edhe disa nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar disa nene të Ligjit nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Kushtetuesja ka konstatuar se nenet 2, 7 dhe 8 të këtij ligji nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës.
Në njoftimin për medie, gjykata ka treguar se ka pranuar kërkesën e opozitës për shqyrtimin e ligjit në fjalë, e cila është bërë vitin e kaluar.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastet (i) KO232/23, me parashtrues: Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë; dhe (ii) KO233/23, me parashtrues: Besian Mustafa dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dorëzuara në Gjykatë bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës” është thënë në njoftim.
Më tutje, gjykata ka përmendur nenet e ligjin që i ka rrëzuar.
“Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe të konstatojë (ii) njëzëri, që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; (iii) me shtatë (7) vota për dhe dy (2) vota kundër, që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtin të pavlefshëm; (iv) njëzëri, që nenet 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; dhe (v) njëzëri, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të shpallë që Ligji nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për dekretim sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar”, është thënë në njoftim.