
Kushtetuta shkel shumicën, klasa politike ndan kolltukët, populli paguan
Shkruan: Astrit Gashi
Në teorinë politike, Kushtetuta është dokumenti themelor i një shteti, vula e legjitimitetit, themeli mbi të cilin ndërtohet e gjithë struktura juridike dhe institucionale. Në Kosovë, ajo është shndërruar në një letër të konsumuar, të përdhosur, të përbuzur një letër higjienike në duart e bandave politike që veten e paraqesin si elitë, por në thelb përfaqësojnë një simbiozë të shëmtuar mes krimit dhe arrogancës institucionale.
Nuk kemi të bëjmë më me ndarje klasike midis pozitës dhe opozitës. Kemi një klasë të vetme një kadavër politike që endet si hije mbi shtetin. Kjo nuk është një klasë përfaqësuese, as politike në kuptimin funksional të fjalës. Është një kastë e trashëguar dhe vetëripërtëritëse, që i ka humbur lidhjet me qytetarin dhe me idealet për të cilat u konceptua shteti i Kosovës. E veshur me kostume moderne, por me instinkte të egra grabitqare, kjo kastë ushqehet nga institucioni, jo për ta ndërtuar, por për ta mjelë kush zgjohet më herët, përfiton më shumë.
Në vend të vizionit, ofrohen arsyetime të dështuara. Në vend të politikës si mjet për të rregulluar të përbashkëtën, përdoret gjuha e hakmarrjes dhe mbijetesa primitive e klaneve. Pozita qeveris me arrogancë dhe amatorizëm, opozita kundërshton pa ide dhe pa substancë. Të dyja palët, në fakt, janë të ngulitura në të njëjtën matricë një kulturë politike e diskredituar, që jeton mbi shpinen e një populli të lodhur, të mashtruar dhe të zhgënjyer.
Ironikisht, opozita që sot thërret për “kushtetutshmëri” është vetë gjeneza e krizës institucionale. Ajo ka ndërtuar themelet e këtij sistemi të kalbur, dhe sot kërkon kthimin e normalitetit ku “normaliteti” nënkupton korrupsionin e institucionalizuar, pazaret nën tryezë dhe shtetin si pasuri private. Kushtetuta, për ta, është thjesht një instrument i përdorshëm për të bllokuar kundërshtarin, jo për të ndërtuar shtetin.
Nga ana tjetër, qeveria e Albin Kurtit që dikur erdhi me retorikën e ndryshimit dhe moralit politik ka rënë në grackën klasike të pushtetit me arrogancën e tyre. Në vend të tranzicionit etik dhe institucional, kemi një ngulmim për të mbetur në pushtet me çdo kusht. Kryeministri në detyrë sillet si sovran moral, ndërkohë që shkel parimet bazë të një rendi demokratik. Në thelb, është bërë një kopje më e sofistikuar e atyre që dikur i luftonte: një pushtet që nuk pranon të largohet, që nuk ka reflektim, dhe që kërkon të dominojë diskursin publik me arrogancë ideologjike.
Në këtë situatë të kalbëzuar, Kushtetuta e Kosovës shfaqet si një dokument i huaj në truallin tonë politik. Nuk është një tekst që pasqyron vullnetin popullor, por një akt juridik i prodhuar nga frika, frika ndaj sovranitetit të shumicës, ndaj legjitimitetit të popullit, ndaj ndërtimit të një shteti funksional. Ajo është hartuar nga duar të huaja dhe është miratuar nga duar të shitura, duke krijuar një sistem që, në emër të barazisë, ka ngritur një regjim të pabarazisë funksionale. Minoritetet kanë marrë jo vetëm mbrojtje, por edhe mekanizma për të bllokuar shumicën. Ky është një absurditet demokratik, i përkthyer si “kushtetutshmëri”, por që realisht është mjet për paralizë institucionale.
Në këtë kontekst, të flasësh për “qeveri teknike” është një fyerje inteligjencës kolektive. Kosova nuk ka mungesë politikanesh, por mungesë mendjeje të lirë dhe guximi moral. Nuk ka mungesë kushtetutash, por mungesë vullneti për të respektuar ndonjë prej tyre. Ajo që i nevojitet këtij vendi nuk është as “uniteti kombëtar” i rremë, as “konsensusi institucional” i sforcuar por fundi politik i kësaj klase dhe fillimi i një rilindjeje qytetare.
Kjo klasë politike është përbindëshi i një tranzicioni të pafund, një entitet pa ndjeshmëri, pa ide, pa vizion. Nuk ka ideologji, nuk ka komb, nuk ka Zot ka vetëm një objekt adhurimin në vetveten. Dhe në këtë pasqyrë të thyer ku çdo fytyrë politike duket njësoj, qytetari shqiptar është lënë pa alternativë, pa përfaqësim, pa shpresë.
Çka i nevojitet Kosovës nuk është një rotacion pushteti, por një metamorfozë e thellë një fund për këtë sistem që e mban peng një popull të tërë. Është koha për një kushtetutë të re, të shkruar nga qytetarë të lirë, për qytetarë të lirë. Një dokument që të jetë pasqyrë e vullnetit të shumicës dhe jo dokument i kapitullimit përballë interesave të pakicave të instrumentalizuara.
Sepse në këtë vend të vogël e krenar, e vërteta më e dhimbshme është se shqiptarin nga pushteti nuk e largon dot as ligji, as morali, as ndjenja e fajit. E largon vetëm vdekja biologjike ose politike. Dhe kjo është tragjedia më e madhe e këtij shteti që vdekja ka mbetur mekanizmi i fundit i tranzicionit.
Nëse nuk e pranojmë këtë si alarm për zgjuarjen qytetare, rënia do të jetë jo vetëm institucionale, por edhe shpirtërore. Dhe atëherë, as kushtetutë, as flamur, as “sovranitet” nuk do të kenë më kuptim. Siq nuk kanë kuptim dhe trashigimtaret politik sikur ne te ishim një monarki e ne faktë kjo klasë poltike që nuk respekton ligje me shumë i përngjan anarkisë.