
Kuvendi i Kosovës shpenzoi 8 milionë euro gjatë vitit 2021
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje u shqyrtua raporti vjetor i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2021, të cilin para deputetëve e ka paraqitur dhe arsyetuar sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Sipas tij, buxheti i Kuvendit të Kosovës ndahet në katër programe: deputetët e Kuvendit, administrata, stafi mbështetës politik dhe Komisioni për Ndihmë Shtetërore. Sipas sekretarit Krasniqi, shpenzimet për vitin 2021 për katër programet janë mbi 8 milionë euro, nga të cilat, rreth 6 milionë euro janë për paga, mëditje dhe shtesa.
Pas prezantimit u hap diskutimi në lidhje me raportin vjetor, me ç’rast anëtarët e komisionit shtruan pyetje në lidhje me shpenzimet të cilat morën përgjigje nga sekretari Krasniqi.
Komisioni u pajtua që raporti të hidhet në votim në mbledhjen e radhës, pas disa plotësimeve.
Për mbledhjen e ardhshme u shty edhe raportimi i Bankës Qendrore për të gjeturat e Raportit të Progresit për vitin 2021, ndërsa u shqyrtua kërkesa për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve.
Deputetët u morën vesh që në mbledhjen e ardhshme të diskutojnë sërish në lidhje me këtë pikë, pasi ta kenë në duar një hulumtim se si janë të rregulluara kompensimet e deputetëve në shtetet e BE-së dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe, po ashtu, t’i shohin propozimet nga shoqëria civile.