Kuvendi i parë i Ismail Qemalit në Fier më 24 mars 1912

30 dhjetor 12:32

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë si shtet i pavarur nga Perandoria Osmane, ishte i vetmi qëllim final politik i patriotëve shqiptar, e cila kishte një rëndësi tepër të madhe, jo vetëm për jetën e popullit tonë, por edhe për vazhdimësinë e ekzistencës së tij si komb.

Ajo do të kurorëzonte me sukses të plot të gjitha përpjekjet, kryengritjet, betejat dhe luftën e gjatë shekullore të shqiptarëve, që kryen në të katër vilajetet e tyre, për tu çliruar nga zgjedha barbare e okupatorëve osman.

Ky akt i guximshëm do ti shpëtonte ata përgjithmonë nga kthetrat e robërisë dhe do të bënte realitet të gjitha ëndrrat dhe dëshirat e tyre, për të jetuar të lirë në trojet e veta aotoktone e stërgjyshore, ashtu si gjithë kombet e tjerë të gadishullit tonë ilirik e më gjerë.

Vetëm pas shpalljes së pavarësisë shqiptarët do të ndërtonin përsëri shtetin e vet, ashtu siç e kishin dikur në kohën e princit të tyre legjendar, Gjergj Kastriotit (Skëndërbeut), që mbrojti për 25-së vjet me radhë jo vetëm Arbërinë, por edhe qytetërimin e atëhershëm evropian nga hordhitë aziatike të Anadollit, të cilat dogjën e shkretuan një nga pjesët me të bukura e më të zhvilluara të Evropës Lindore dhe botës së asaj kohe.

Arkitekti ynë i shpalljes së pavarësisë Ismail Qemali, së bashku me patriotët dhe luftëtarët e mëdhenj të kombit tonë si Isa Buletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Jorgji Karbunara, profesor Jani Minga e qindra të tjerë, po punonin me përkushtim dhe trimëri për realizimin e këtij akti heroik monumental me rëndësi historike, që do ti sillte lirinë popullit tonë të vuajtur e të robëruar për pesë shekuj.

Diplomati ynë i shquar e vlerësoi mjaft drejt rrezikun e madh që po i kanosej përsëri vendit tonë nga synimet grabitqare të shteteve shoviniste fqinje serbe, greke e bullgare, të cilët kishin dërguar edhe ushtritë e tyre vrastare në trojet tona, për të bërë krime, masakra e spastrim etnik.

Duke parë qëllimin e mbrapshtë të këtyre fuqive ballkanike, që po përgatisnin një pushtim të ri edhe më të egër sesa ai osman, kreshniku ynë i Kaninës e intensifikoi edhe më tej veprimtarinë e tij, për shpalljen sa më parë të pavarësisë së Shqipërisë.

Plaku i urtë mjekërbardhë, që i ndiqte me vigjilencë të veçantë lojërat politike të diplomacive perëndimore dhe i njihte mjaft mirë djallëzitë e kancelarive të tyre, filloi të organizoj shpejt një sërë takimesh me patriotët, luftëtarët dhe nacionalistët shqiptar, për të bashkuar të gjithë popullin tonë rreth tyre, që ti dilnin zot mëmëdheut qoftë edhe me armë, në këto momente tepër të vështira ku varej fati i gjithë i Kombit Shqiptar.

Me aftësitë e tij drejtuese të një burrë shteti të madh, kulturën e gjerë politike prej diplomati të shquar, atdhedashurinë, guximin dhe trimërinë prej një patrioti të pashoq, pavarësisti ynë heroik i analizoi drejt të gjitha situatat, i priu në krye popullit dhe nuk u tërhoq kurrë para vështirësive e kërcënimeve, për të realizuar me sukses misionin e tij të shenjtë të shpalljes së pavarësisë.

Ismail Qemali – Vepër e piktorit Luan Jakupi

Ai eci gjithmonë me guxim të madh në rrugën e ndritur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe i vazhdoi me besnikëri e pa u lëkundur mësimet e saj, duke kryer me sukses të plot edhe porositë e kolosit tonë Avdyl Frashri, të lëna amanet prej tij, për ta bërë Shqipërinë shtet më vete e të pavarur nga Perandoria Osmane.

Meqenëse e njihte mjaft mirë Myzeqenë, si një nga krahinat me histori të ndritur, ku jetonte një popull i krishterë, tepër atdhetar e me ndjenja të theksuara antiturke, e cila ishte dhe një nga trevat më tē mëdha, më të pasura, me potencial të fuqishëm ekonomik, intelektual dhe me peshë në gjithë jetën e vendit, ky erudit largpamës me të drejtë e vlerësonte shumë këtë nahije.

Duke qenë edhe një mik i madh i myzeqarëve, mësonjësve priftërinjtë, rilindësve e patriotëve të shquar të kësaj zone, si Kostandin Minga, Jani Kostandin Minga, at Irakli Pylli, at Spiro Saqellari, At Kozma Dhima, Tuni Gjergji, Jovan e Zoi Ndreko, Llazar Bozo, Lam Shtëmbari, Pal Kadillari e të tjerë, Ismail Qemali mendonte që në këtë krahinë të hidhte themelet dhe ndërtonte edhe bazat ekonomike të shtetit tonë të ardhshëm shqiptar.

Plaku lab ishte tepër optimist dhe e gëzonte shumë fakti se në Myzeqe, si në asnjë nahije tjetër të vendit tonë, qysh me ardhjen e Mehmet Ali Vrionit, formimin e degës së ”Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, vizitën e Avdyl Frashërit më 31 tetor 1878 në Fier dhe krijimin e Komitetit të Fshehtë të Fierit rreth vitit 1900, ishin krijuar edhe çetat e para shqiptare të armatosura.

Këto formacione kryengritëse ushtarake kishin si qëllim mbrojtjen e popullit nga aktet e dhunshme të xhandarmërisë turke dhe kryerjen e aksioneve të ndryshme luftarake kundër okupatorëve osman, për të krijuar panik në radhët e tyre dhe vështirësi në administratën shfrytëzuese të atij regjimi shtypës.

Çeta e Pojan-Havaleas-Shën Pjetrës që drejtohej nga këngëtari, poeti, patrioti dhe luftëtari trim Llazi Spiro, ajo e Topojë-Semanit me komandant mësonjësin, priftin me kobure papa Isaia (Irakli Pylli-dëshmor), e Radostinë-Vadhizës të cilën e udhëhiqte mësonjësi hoxhë Ymer Hoxha, çeta e Kolkondasit me mësonjës at Kozma Dhima e at Spiro Saqellari (dëshmor), çeta e Ardenicës e drejtuar nga mësonjësi Tuni Gjergji dhe luftëtari guximtar Llazar Bozo, çeta e Libofshës e drejtuar nga mësonjësit dëshmor Jovan e Zoi Ndreko, çeta e Krutje-Bubullimës e drejtuar nga patriotët Lam Shtëmbari e Pal Kadillari , por edhe “Komiteti i Fshehtë i Fierit“, tashmë me aktivitetin e tyre patriotik për përhapjen e mësimit dhe ngritjen e shkollave shqipe ishin bërë tepër të njohura dhe të dashur për myzeqarët.

Ato kishin ngjallur shpresa të mëdha te njerëzit si forca ushtarake të dala nga gjiri i popullit, të cilat mbronin interesat e tij kombëtare dhe shqetsim serioz për okupatorin turk e xhandarmërinë e tij, që luftonin vazhdimisht me këto çeta nëpër pyjet e dendura të Divjakës, Grabianit, Spolatës, Kryekuqit, Tërbufit, Gradishtës, Ardenicës, Apollonisë, Kryegjatës, Shëndēllisē (Shën Ilisë), Bishanit, Povelçës e tjerë, për eleminimin dhe asgjësimin fizikisht të tyre.

Pa patur Myzeqenë me vete dhe në anën tonë thoshte shpesh diplomati i Kaninës, ne nuk do të shënojmë dot asnjë sukses e fitore në realizimin e këtij misioni të shenjtë që kemi marrë përsipër dhe që na e ka ngarkuar populli ynë, për ta shpëtuar Shqipërinë.

Për përmbushjen e këtij qëllimi kaq kardinal, Ismail Qemali mendonte vazhdimisht dhe po përgatitej seriozisht së bashku me shokët e tij që të vizitonte sa më parë Myzeqenë, nga ku do të fillonte ndërgjegjësimin dhe bashkimin e popullit tonë e të atdhetarëve shqiptarë, për ta mbështetur atë fuqishëm në rrugën e procesit të shpalljes së pavarësisë, kudo që do të kryhej ky akt i madh epokal, në Durrës, Tiranë, apo në Vlorë.

Nga fillimi i dekadës së parë të shekullit të XX-të, situatat politike në Ballkan, por dhe ato në Evropë e më gjer po evolonin me shpejtësi. Ato po e favorizonin edhe më shumë veprimtarinë e patriotëve tanë, për të avancuar më tej aktivitetin e tyre sipas interesave të çështjes tonë të shenjtë kombëtare.

Kështu më 29 shtator të vitit 1911, ushtria e fuqishme e Mbretërisë së Italisë filloi luftën kundër forcave të dobësuara ushtarake të Perandorisë Osmane.

Në një përballje të gjatë dhe të ashpër frontale midis tyre, më 18 tetor 1912 Roma i theu keq taborët turq të Anadollit dhe pas fitores mbi ta, aneksoi brenda territoreve të saj edhe Libinë.

Pas humbjes së kësaj beteje, Porta e Lartë e mori tatëpjetën dhe tashmë kudo popujt që vuanin nën zgjedhën e saj të robërisë nuk po e përfillnin më autoritetin e Stambollit.

Mbi qiejt e gadishullit tonë ilirik në ato momente filluan të shfaqeshin retë e zeza të një lufte të re ballkanike, ku shtetet shovinistëve e grabitqare serbe, malazeze, bullgare e greke, si krijesa antishqiptare e antieuropiane të Moskës, që e kishin fituar pavarësinë e tyre në tavolinat diplomatike me ndihmën e forcës së Rusisë Cariste, po përgatiteshin për të bërë copëtimin dhe ndarjen e trojeve shqiptare midis tyre.

Të ndodhur në kushtet e një situate të tillë e tepër të rrezikshme për ne, patriotët por edhe deputetët shqiptar në parlamentin turk, u mblodhën menjëherë në Stamboll dhe vendosën bashkërisht që ta detyronin Turqinë të njihte pa kushte pavarësinë e Shqipërisë.

Hasan Prishtina

Vepër e piktorit Luan Jakupi

Gjatë kësaj periudhe kohore të luftës parlamentare që po zhvillohej në Stamboll midis partisë së opozitës “Liri e Marrëveshje “ dhe xhonturqve, më 11 janar 1912 Hasan Prishtina me vendosmërinë dhe trimërinë e tij që e karakterizonte e kërcënoi hapur qeverinë turke me organizimin e një kryengritje të përgjithshme mbarë shqiptarë kundër saj, në rast se nuk njihej sa më shpejt mëvetësia e Shqipërisë.

Një ditë më vonë, më datën 12 janar 1912 Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali në lagjen Taksim të Stambollit bënë një mbledhje tjetër të fshehtë dhe aty vendosën organizimin e një kryengritje të armatosur në të gjitha trojet shqiptare kundër Turqisë.

Më 18 janar 1912 xhonturqit në pushtet, të trembur nga rreziku i opozitës dhe i deputetëve shqiptar që ishin bashkuar me të, shpërndanë parlamentin dhe vendosën datën e zgjedhjeve të reja.

Pas kësaj ngjarje jo të zakontë, patriotët tanë u tubuan përsëri në një “Mbledhje të Fshehtë” në Stamboll dhe pasi analizuan situatën me përgjegjësi të lart e në përshtatje me interesat tona kombëtare, morën shpejt dy vendime të rëndësishme dhe konkretisht:

1.

Deputeti dhe patrioti Hasan Prishtina të shkonte urgjentisht në Kosovë, ku ishte edhe vatra më e zjarrtë e lëvizjes tonë kombëtare dhe të organizonte atje kryengritjen e përgjithshme të armatosur kundër Perandorisë Osmane, për të kërkuar me forcë pranimin e njohjes së pavarësisë së Shqipërisë nga ana e Stambollit.

2.

Diplomati Ismail Qemali të nisej sa më parë drejt Evropës, me një mision tjetër të rëndësishëm dhe pikërisht:

a.

Të kërkonte mbështetje të fuqishme diplomatike nga fuqitë e mëdha perëndimore për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

b.

Të mblidhte ndihma financiare për nevojat e një kryengritje të përgjithshme.

c.

Të siguronte armë për armatosjen e kryengritësve tanë, që do të përballeshin me forcat e xhandarmërisë dhe të ushtrisë osmane.

Në këtë kohë, më datën 13 mars 1912, Serbia bëri një aleancë dhe firmosi një “Traktat Miqësor” kriminal me Bullgarinë, ku parashikohej copëtimi i trojeve shqiptare, ndarja midis tyre dhe dalja e Shtetit Serb në ujërat e detit Adriatik.

Pikërisht këto ditë, vigani ynë i shqiptarizmi Ismail Qemali, kthehet nga Evropa dhe së bashku me Luigj Gurakuqin e bashkëpuntorët e vet, duke patur në krah të tyre edhe patriotin shënpjetarak, birin e lavdishëm të Myzeqesë dhe profesorin erudit Jani Kostandin Minga, nga fundit i muajit të parë të pranverës së vitit 1912-të u nisën me urgjencë për në Myzeqe.

Qyteti e Fierit

Me të mbërritur në Fier, në këtë qytet të bukur, projektuar e ndërtuar sipas stileve evropianë e shijeve perëndimore dhe me tradita të larta atdhetarizmi, më datën 24 mars 1912 Ismail Qemali u prit me entuziazëm të madh e gëzim të veçantë nga të gjithë patriotët myzeqar dhe intelektualët e shquar të kësaj krahine e më gjer. Pa humbur kohë, plaku i urt shkoi si mysafir tek i ndjeri Omer Vrioni dhe në sarajet e tij mjaft luksoze, ai mblodhi “Kuvendin e Parë” me parinë e Myzeqesë, ku ishin të ftuar enkas edhe shumë të rinj nacionalist, luftëtar, klerik ortodoks përparimtar, mësonjës e atdhetar të shquar të kësaj treve.

Në këtë takim me rëndësi historike flitet se kanë marrë pjesë edhe disa nga drejtuesit më kryesor të lëvizjes tonë kombëtare në Myzeqe, si Kostandin Minga, mësonjësit At Kozma Dhima, At Spiro Saqellari, papa Isaia(Irakli Pylli), Tuni Gjergji, Jovan e Zoi Ndreko, Jani Kostandin Minga, Jorgji Karbunara, Elmaz Boce, Llazar Bozo e shumë të tjerë, të cilët i dhanë një mbështetje dhe përkrahje tepër të fuqishme Ismail Qemalit gjatë këtij kuvendi.

Ata jo vetëm që e falënderuan dhe u solidarizuan plotësisht me të, por edhe i premtuan atij edhe një herë, se do ta intensifikonin më tej veprimtarinë e tyre, duke i kryer në kohë të gjitha detyrat që do të diktonin situatat dhe interesat tona kombëtare.

Thuhet se gjatë kësaj mbledhje Ismail Qemali ka marrë takime të veçanta dhe ka biseduar me mjaft myzeqar të pasur patriot, për ta ndihmuar ekonomikisht e financiarisht lëvizjen tonë kombëtare edhe veçanërisht forcat tona, në rast të një kryengritje të armatosur kundër Turqisë.

Myzeqar të ndryshëm, duke ju referuar dëshmive të prindërve të tyre tregojnë për këtë ngjarje të largët, se ndër të parët në listën që e përkrahën këtë thirrje të Ismail Qemalit, duke kontribuar edhe me monedha e lira ari për veprimtarinë e heronjve tanë të kombit, ishin edhe emrat e disa të pasurve fierak si Trifon Toska e Spiro Toska të qytetit të Fierit, por edhe kryeplaku patriot rrobaqepës Thoma Leksi Ristani i Nikasit e shumë atdhetar të tjerë prej kësaj treve.

Nga ish të pranishmit e këtij tubimi është folur gjithashtu, se Ismal Qemali mbajti edhe një fjalim tepër të rëndësishëm mbi situatën e vështirë dhe rrezikun e madh që po kalonte populli ynë në ato momente. Ai u bëri thirrje të gjithë qemalistëve myzeqar, që të bashkoheshin sa më shpejt rreth patriotëve tanë për mbrojtjen e vatanit dhe të trojeve tona nga pushtuesit e rijnë sllavo-grek.

Gojëdhënat të ndryshme tregojnë se diplomati ynë me famë ka falënderuar përzemërsisht edhe patriotët myzeqar, anëtarët e degës së ”Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” , “Komitetin e Fshehtë të Fierit” që kishte krijuar çetat e armatosura dhe mësonjësit fierak si Jovan e Zoi Ndreko, Spiro Saqellari, Kovi Saqellari e të tjerë, për aktin e tyre të lartë heroik të hapjes së shkollës së parë shqipe në Libofshë më 25 gusht 1908 dhe në Cakrran gjatë muajit dhjetor të po këtij viti. Në këtë kuvend diplomati ynë bëri thirrje edhe për çeljen e shkollave të tjera, jo vetëm në këtë nahije, por edhe në krahinat përreth dhe mbrojtjen e tyre me forcën e armëve.

Atdhetari Ferit Vokopola, ish i pranishëm gjatë këtij kuvendi të madh, në kujtimet e tij të botuara te revista ”Njeriu” rreth kësaj ngjarje historike ndër të tjera ka shkruar:

“…u takova me atë në Fier, mars 1912…Kishte ardhur për të biseduar me parinë tonë, për të qarë me ta hallet e Shqipërisë. Në Fier kishte rënë mysafir tek i ndjeri Omer pashë Vrioni, ku takoi parinë e vendit dhe të rinjtë nacionalist, që kishin ardhur apostafat ”.

Kuvendi i marsit, i organizuar në qytetin e Fierit ka qenë padyshim një eveniment tepër e rëndësishëm politik në rrafshin tonë kombëtar. Ai ishte tubim i parë mbarë shqiptar për atë kohë dhe bëri një jehonë shumë të madhe, jo vetëm në Myzeqe dhe krahinat përreth, por edhe në gjithë jetën e vendit.

Ky kuvend shënoi veç të tjerash edhe kthesën e duhur të veprimtarisë së lëvizjes tonë kombëtare, duke i dhënë asaj një hov e dimension të ri, për realizimin sa më shpejt të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe formimit të shtetit Shqiptar.

Kjo mbledhje e drejtuar vet nga Ismail Qemali pati një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse realizoi disa qëllime e objektiva kryesore dhe krijoi premisa të reja më të favorshme, për mbarëvajtjen e aktivitetit tonë patriotik, që do të çonte në deklarimin mëvehtësisë dhe konkretisht:

1.

Qartësoi më mirë situatën e rënduar politike të asaj kohë në të cilën ndodhej vendi, si dhe atë ndërkombëtare.

2.

Vlerësoi më drejt rrezikun e madh që po i kanosej trojeve shqiptare nga coptimi dhe pushtimi i ri i tyre prej fuqive shoviniste të Ballkanit.

3.

Njohu dhe bashkoi me shumë patriotët shqiptar midis tyre nën udhëheqjen e Ismail Qemalit.

4.

Organizoi më mirë lëvizjen tonë patriotike në shkallë kombëtare dhe forcoi më teper unitetin dhe lidhjet brenda radhëve të drejtueseve të tyre.

5.

Nxiti formimin e çetave të reja të armatosura dhe rriti me tepër bashkëpunimin midis tyre, për veprime të ndryshme ushtarake kundër okupatorit osman.

6.

Ngriti në një nivel më të lart aktivitetin patriotik në Myzeqe dhe në shkallë vendi.

Gjatë këtij kuvendi Ismail Qemali shtroi edhe një sërë detyrash tepër të ngutshme, që duheshin realizuar sa më parë nga ana patriotëve tanë në ato momente, kur përcaktohej e vendosej edhe fati i Shqipërisë dhe konkretisht:

1.

Të hapeshin pa vonesë edhe shkolla të tjera shqipe jo vetëm në krahinën e Myzeqesë, por edhe në nahijet përreth saj.

2.

Të nxitet më tej bojkotimi i shkollave greke dhe mejtepeve turke, duke i dërguar fëmijët vetëm në shkollat shqipe.

3.

Të organizohen takime në çdo katund të Myzeqesë dhe të flitet me njerëzit rreth situatës që po kalonte vendi dhe për autonominë që kërkonin shqiptarët, me qëllim që populli ynë ti dilte zot vatanit të tij, për ta mbrojtur atë nga synimet grabitqare të shovinistëve të Beogradit dhe Athinës.

4.

Të demaskoheshin vazhdimisht mashtrimet, shpifjet dhe gënjeshtrat e klerikëve të lart, priftërinj e dhespot grek, që ndodheshin nëpër kishat tona në Myzeqe.

5.

Të forcoheshin çetat tona ekzistuese të armatosura që ishin dhe të krijoheshin edhe çeta të tjera ku të jetë e mundur, për ti treguar gjithkujt se shqiptarët janë zot të trojeve të tyre.

Edhe për këtë ngjarje lapidare, që i bënë nder gjithë kombit tonë e cila hodhi themelet e shpalljes së pavarësisë dhe të shtetit shqiptar, historianët tanë kalemthyer dhe Seksioni i Arsimit të rrethit Fier, i mbushur plot me ardhacak mediokër e megalloman të mbrapshtë, që e kishin për obligim të mblidhnin të dhëna e fakte rreth saj, kur ishin gjallë dëshmitarët e asaj periudhe, nuk e morën kurrë mundimin të shkruanin për të, por e lanë qëllimisht në errësirë, për ta mbuluar pluhuri i harresës.

Jani Minga

Në Myzeqe, gjatë kohës së diktaturës komuniste, rreth viteve 1975-1980 është folur shumë, se duar të pista, që u morën me shkuarjen e historisë dhe administrimin e vlerave arkivore, zhdukën një sërë dokumentesh që hidhnin dritë edhe për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, për tu hapur rrugën abuzimeve pa fund mbi këtë ngjarje të madhe të popullit tonë.

Objekt i këtij krimi të shëmtuar u bënë edhe dorëshkrimet voluminoze të profesorit të ndritur, oratorit të talentuar, kolosit të kombit, Kryetarit të Komisionit të Organizimit të Mitingut për shpalljen e pavarësisë, firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë, shokut dhe mikut të ngushtë të Ismail Qemalit, Avni Rrustemit e Selam Musait, nismëtarit të krijimit të “Shoqatës dhe Klubit Labëria”, mëso njësit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Vlorë (Kaninë), komandantit të luftës për çlirimin e Vlorës më 1920, birit të mësonjësit e rilindasit tonë të madh myzeqar, Kostandin Minga, babait të dy dëshmorëve, Jani Kostandin Minga, lënë me shkrim dore në qytetin e Vlorës, për të gjitha ngjarjet e rëndësishme të Shqipërisë, që nga viti 1900 dhe deri në çlirimin e saj, i cili u nda nga jeta më 7 maj të vitit 1947.

Nga: Themi J Tushe

New York-Kingston Pannsylvania

November – December 2021.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Motra e Rita Orës, Elena Ora është shfaqur e mahnitshme…