Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe mbahet sot në Tiranë

30 tetor 2025 | 08:40

Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe, i cili mbahet çdo dy vjet, përbën ngjarjen më të rëndësishme studimore të organizuar nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët, që këtë vit përkon me pesëvjetorin e themelimit të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.

Tema kryesore e kësaj ngjarje është “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë–vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”. Trajtimi i kësaj teme përbën rëndësi për kombëtarinë, e cila diskutohet për herë të parë në qarqet akademike shqiptare dhe që synon të hedhë dritë, përmes interpretimeve shkencore të shkollave të reja të mendimit, mbi këtë raport të Shqipërisë me komunitetin arbëresh, si dhe mbi dialektikën dhe dimensionet komplekse të diasporës dhe vendit të origjinës.

Dr. Giuliana B. Prato, profesoreshë e Antropologjisë Sociale në Universitetin e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar, do të mbajë një Lectio Magistralis me temë “Shaping New Albanian Identities: From Arbëresh Diaspora to Contemporary Expatriates”, e cila do të ndiqet nga diskutime dhe debate mes aktorëve kyç të komuniteteve të Arbëreshëve të Italisë, studiuesve shqiptarë dhe arbëreshë.

Përpjekjet e komuniteteve arbëreshe për të mbajtur gjallë lidhjet me Shqipërinë dhe anasjelltas, kanë qenë jo thjesht të parreshtura, por këmbëngulëse, aspekt i cili ka ndikuar në mënyrën se si diaspora historike dhe vendi amë e kanë perceptuar njëra-tjetrën: arbëreshët përmes lenteve nostalgjike, kanë ndërtuar narrativa ndaj atdheut të humbur, ndërsa Shqipëria duke ndërtuar narrativa kombëtare dhe ripërtërirë lidhjet me të shkuarën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi ushtrinë amerikane të enjten që…