Ky është plani i Ministrisë së Ambientit për reduktimin e ajrit të ndotur

04 dhjetor 2017 | 10:30

Zëvendësimi i i thëngjillit me drunj tek disa operatorë, niveli i koordinimit me institucionet përgjegjëse, plani i aktiviteteve të ndryshme, themelimi i grupit punues për identifikimin e ndotësve dhe shkarkimeve në ajër, si dhe rritja e gatishmërisë për inspektimin e ndotësve, janë vetëm disa nga masat që është duke i ndërmarrë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit.

Kështu ka thënë për Arbresh.info, këshilltari politik i ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, Leutrim Sahiti.

“Kemi hartuar planin e aktiviteteve për reduktimin e ndotjes së ajrit, duke marrë propozimet edhe të institucioneve, donatorëve e organizatave joqeveritare. Është themeluar grupi punues për “Identifikimin e ndotësve dhe shkarkimeve në ajër”, i cili ka filluar punën dhe shumë shpejt do të dalim me raport mbi të dhënat e përdoruesve të thëngjillit në Prishtinë. Do të zëvendësojmë thëngjillin me drunj te disa operatorë që përdorin thëngjillin në mënyrë që vitin tjetër ata të mos blejnë më thëngjillin. Është rritur niveli i koordinimit me institucionet tjera përgjegjëse për sektorin e ajrit me që rast janë mbajtur takime dhe janë dërguar kërkesa MZHE, MAPL, MTI, MPB dhe MI, për ti zbatuar obligimet që dalin nga legjislacioni për ajrin. Kemi rritur gatishmërinë për inspektimin e ndotësve me të mëdhenj dhe dënimin e tyre eventual sipas ligjit”, ka thënë Sahiti.

Sahiti ka thënë se ndotja e ajrit gjithnjë e më shumë po shihet si kërcënim për shëndetin publik dhe se për këtë MMPH-ja, përmes inspektoratit ka kërkuar nga KEK-u dhe operatorët e tjerë ekonomikë që të ndërmarrin të gjitha masat teknike , profesionale dhe ligjore në zvogëlimin e emisioneve ndotëse të ajrit.

Sahiti, ka pohuar se që kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të fillohet me zbatimn e Udhëzimit Administrativ Nr.08/2016 për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të ndotjes.

Ai ka treguar edhe kërkesat që u kanë bërë ministrive të tjera sa i përket ndotjes së ajrit.
“Kemi kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të rritet kontrolli i cilësisë së derivate që importohen dhe shiten në Kosovë sipas Ligjit Nr. 2004 /5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës në Kosovë, Ligjit Nr. 03/L-138 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2004/5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës në Kosovë dhe U.A. Nr. 07/2012 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Drejtoritë e Arsimit të Komunave të ndalojnë përdorimin e thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe institucionet tjera arsimore, pasi që kështu rrezikohet shëndeti i fëmijëve tonë”, ka pohuar Sahiti për Arbresh.info.
Këshilltari Sahiti nuk ka lënë pa përmendur edhe përgjegjësitë ligjore të komunave të cilat duhet t’i zbatojnë në raport me ndotjen e ajrit.

“Edhe komunat kanë përgjegjësi të caktuara ligjore që duhet ti zbatojnë në raport me mbrojtjen e ajrit nga ndotja që në radhë të parë është hartimi i planeve dhe masave për reduktimin e ndotjes së ajrit, përgatitje të planeve të mobilitetit, zbatimi i rregulloreve në nivel lokal, rritja e inspektimeve apo edhe identifikimi i burimeve të ndotjes në ajër në territorin e tyre”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se tashmë gjenden në fazën e ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

“Ne tani jemi në fazën e ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, dhe nga ky ligj pastaj do të dalin udhëzimet administrative që rregullojnë sektorë të veçantë si dhe do të rregullohet çështja e shfrytëzimit të lëndëve djegëse duke përfshirë edhe thëngjillin”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësia policore në Ferizaj ka arrestuar të dyshuarin mashkull pasi…