Laçi dhe Muçi: Tani duam vendin e parë në grup!

15 tetor 2023 | 14:54

Qazim Laçi dhe Ernest Muçi kanë dalë para mediave në prag të ndeshjes miqësore me Bullgarinë, që do të zhvillohet nesër (e martë) në stadiumin “Air Albania” në orën 18:00. Të dy futbollistët e kanë vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe u shprehën se kjo ndeshje për ta ka rëndësinë njëjtë si një sfidë kualifikuese.

Qazim Laçi, ka theksuar se është një mundësi e mirë për lojtarët që nuk kanë pasur shumë minuta në sfidat kualifikuese, teksa u ka bërë  thirrje tifozëve për të mbushur sërish stadiumin “Air Albania”.

“Jemi pak të çliruar sepse ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për të marrë tre pikët dhe për të krijuar shkëputje në pikë përkundrejt Polonisë dhe Çekisë. Ne jemi gjithmonë me këmbë në tokë, s’ka mbaruar gjë akoma. Kanë ngelur dhe dy ndeshje për t’u kualifikuar në Evropian. Objektivi i parë ishte kualifikimi në Europian. Tani si objektiv të dytë kemi vendin e parë dhe për atë do luftojmë”, ka thënë Laç, duke treguar nëse do të ketë ndryshme në formacionin e Shqipërisë.

“Besoj se trajneri Silvinjo i njeh të gjithë vlerat e lojtarëve. Jemi të gjithë të rëndësishëm për ekipin. Edhe ndeshje miqësore, edhe ndeshje kualifikuese trajneri ka besim te të gjithë lojtarët. Jam dakord me ju edhe për ne që nuk kemi shumë minuta me ekipin kombëtar është si një ndeshje zyrtare për ne dhe prandaj do ta marrim seriozisht”, ka thënë Laçi.

Më tutje, ai ka thënë se ka harmoni  brenda Kombëtares kuqezi. “Besoj se niveli i ekipit Kombëtar është ngritur. Të gjithë lojtarët janë në kampionatet më të mira në botë. Të gjithë japin maksimumin. Në çdo ndeshje kemi 11 lojtarë, nuk mund të futësh më shumë, zgjedhjet i bën trajneri. Të gjithë lojtarët kur vijnë në ekipin kombëtar janë të motivuar, ndihemi të gjithë krenar dhe tani kemi një shans shumë të madh për të bërë ëndrrat e shqiptarëve dhe tonat realitet, kualifikimi në Evropian.

Ndërsa Ernest Muçi, ka thënë se të gjithë e kanë dashur shumë kualifikimin në Evropian që në fillim të kualifikueseve. Në lidhje me duelin me Bullgarinë, I riu tha se nuk e shohin si miqësore dhe se duan të vazhdojnë festën e nisur ndaj Çekisë. Edhe Muçi ka ftuar tifozët të shkojnë në “Air Albania” dhe ta mbështesin skuadrën kuqezi. “Ftesa për tifozët për ndeshjen ndaj Bullgarisë? Shpresoj që shumë tifozë të vijnë dhe të na shikojnë. Ne do të japim më të mirën në këtë ndeshje, të vazhdojmë festën për fitoren me Çekinë. Tani duhet të fokusohemi te Bullgaria”, ka thënë Muçi.

Shqipëria është në vendin e parë në grup në kualifikimet për “Euro 2024”. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje, Kombëtares shqiptare i duhen edhe dy pikë për ta siguruar pjesëmarrjen në “Euro 2024” që zhvillohet në Gjermani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të hënën do të…