
Lajçaku: I kapërcyem disa mospajtime, vazhdojmë shpejt diskutimet në bazë të idesë së BE-së për kompromis
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka dalë me një njoftim për takimin me zëvendëskryeministrin kosovar, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Ai ka thënë se është mbushur pak hapësira për propozimet e palëve, por se diskutimi duhet të vazhdojë.
“Prita një tjetër diskutim me dy kryenegociatorët për një zgjidhje të përkohshme për personat që u preken nga vendimi i BQK-së. Ne ia dolëm të përafrojmë disa qëndrime nga propozimet e palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, ka shkruar Lajçaku në platformën “X”.
Hosted another discussion with the two Chief negotiators on a temporary solution for the people affected by the CBK decision. We managed to bridge some gaps between the proposals of the two Parties. I plan to continue our discussions soon based on the EU’s ideas for compromise. pic.twitter.com/PwhVpPiH2T
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 4, 2024
Pas përfundimit të takimit, Bislimi në një deklarim për gazetarët në Bruksel, ka thënë se pati dallime në mes të tij dhe palës serbe.
“Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serbë mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokatë të ‘Postanska Banka’ dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka thënë se propozimi që ka nxjerrë Lajçaku ka qenë “i konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë”.