
Lajçaku thotë se po punojnë që takimi Kurti-Vuçiq të mbahet brenda javësh
I dërguari i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha para gazetarëve se janë duke punuar që takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.
“Mund të kthehem sërish së shpejti për t’u siguruar që takimi [Kurti-Vuçiq] do të jetë i përgatitur mirë dhe besojmë se nuk më ka kohë për të humbur”, tha ai.
Këto deklarata Lajçak i bëri pas takimit që pati në Prishtinë me Kurtin, ku tha se është diskutuar edhe për çështjet aktuale, veçanërisht situatën në veri pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Në nëntor, serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës (institucionet e drejtësisë, policia, niveli lokal, por edhe nga Qeveria dhe Kuvendi) në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave serbe.
Por, ndërkohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për çështjen e targave, por jo edhe për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të mbahen më 18 dhjetor.
Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje.